Hasan Bello: Joseph Cowen, deputeti që përkrahu çështjen shqiptare në parlamentin anglez

Hasan Bello: Joseph Cowen, deputeti që përkrahu çështjen shqiptare në parlamentin anglez

Rrethanat e vështira që u krijuan pas Kongresit të Berlinit dhe Shën Stefanit (1878) ku një pjesë e trojeve shqiptare u jepeshin shteteve ballkanike, i shtyu shqiptarët drejt një qëndrese të armatosur, e cila gjeti shprehje me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Përpjekjet e kësaj organizate, veç ngadalësimit të këtij gjymtimi, sollën si rezultat edhe faktorizimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Fuqitë e Mëdha kur e panë se shqiptarët nuk do t`i lëshonin Hotin dhe Grudën pa luftë, vendosën që t`a detyronin Perandorinë Osmane që në vend të tyre t`i jepte Malit të Zi Ulqinin. Për zbatimin e këtij vendimi, shtetet evropiane, e kërcënuan qeverinë osmane duke dërguar një flotë ushtarake në bregdetin e Izmirit dhe në Ulqin.  

Një veprim i tillë ngjalli debate në parlamentin anglez. Deputeti Joseph Cowen, mbajti një fjalim të zjarrtë duke iu drejtuar kryeministrit Gladston me fjalët: “Besoj se qëllimi i avulloreve luftarake që do të mblidhen në Raguzë është që t`i trembin turqit. Po sikur turqit të mos tremben? Ç`do të ndodhë atëherë? Forca detare e Anglisë, e Anglisë së lirë dhe konstitucionale, a do të përdori forcën për të djegur e shkatërruar kasollet e peshkatarëve dhe barinjve shqiptarë të Ulqinit?Për këtë qëllim të ligë do të përdoret fuqia e Britanisë?

Për interes të kujt do të bëhet kjo padrejtësi? Për interes të armiqve të Shqipërisë?  Këta armiq janë të rrethuar prej një populli që është trim sa ata, dhe historia e të cilit humbet në mjegullën e kohës. Ky popull është populli shqiptar. Dhe shqiptarët janë populli më i vjetër i orientit. Ishin atje më parë se grekërit e vjetër. 

Shqiptarët kanë legjenda dhe karakteristika të veçanta të tyre. Kanë disa cilësi që ndryshojnë nga ato të armiqve të tyre, por janë po aq trima sa ata. Plani i Fuqive është që të marrin një copë të Shqipërisë dhe t`ia japin armikut të saj, pa i pyetur shqiptarët dhe pa u kërkuar leje”.

Në këtë pikë, fjalën deputetit Cowen ia ndërpret një koleg, duke thënë se: “Shqiptarët nuk janë një komb”.

“Nuk janë një komb,–ia pret deputeti Cowen-, thotë zotëria e tij. Atë fjalë tha dhe princ Bismarku në Berlin. Princ Bismarku tha se nuk ka dëgjuar të kish një kombësi shqiptare. Po princ Bismarku nuk kish dëgjuar as për kombësin e Hollandës a të Danimarkës. 

Një tjetër princ, po aq i fuqishëm atëherë, sa është Bismarku sot, pretendoi në Kongresin e Vjenës se nuk njihte kombësi italiane. Sipas mendjes së atij diplomati, Italia nuk ishte veçse një «shprehje gjeografike» dhe megjithë këtë, ne sot e dimë të gjithë se Italia është një komb i madh dhe i bashkuar. Ajo që u vërtetua për popullin e një ane të Adriatikut, pak më tepër se 50 vjet, mund të vërtetohet në një mënyrë të ndryshme dhe për anën tjetër, po për aq kohë”.

Nga fjalimi i deputetit anglez Joseph Cowen i mbajtur në vitin 1880 nuk kaloi as edhe një shekull dhe Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Cowen u tregua largpamës, objektiv dhe i drejtë. 

Atëherë kur personalitetet më të mëdha të kohës vinin në dyshim ekzistencën e kombit tonë, ai thoshte se unë i njoh shqiptarët. Shqipëria po rilind.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës