Hasan Bello: Si e pengoi shteti shqiptar hapjen e bankës jugosllave në Shkodër në vitin 1923

Hasan Bello: Si e pengoi shteti shqiptar hapjen e bankës jugosllave në Shkodër në vitin 1923

Një nga politikat e shteteve ballkanike për të shtrirë influencën e tyre ekonomike mbi shtetin e shqiptar ishte hapja e bankave. Kështu, më 5 janar 1923, prefekti i Shkodrës Rauf Fico informonte Ministrinë e Brendshme se, nënshtetasi jugosllav Pashko Kraja kishte mbërritur nga Cetina për të hapur një filial me emrin “Harvatska-Jugosllavenska-Albanska-Banka”. Për këtë qëllim, ai kishte marrë me qira një lokal në qendër të Shkodrës.

Pasi kishte qëndruar tre ditë, Pashko Kraja ishte rikthyer në Cetinë për të tërhequr mobiliet e nevojshme, duke lënë si zëvëndës nënshtetasin shqiptar nga Shkodra, Lolko Vuçiniç. Për drejtimin e këtij filiali, ai kishte ftuar edhe Pjetër Bumçin, i cili në këtë periudhë ndodhej në Fiume. Rauf Fico kërkoi udhëzime nga MPB nëse kishte informacion për bankën jugosllave. Kjo e fundit kërkoi mendimin e Ministrisë së Ekonomisë si dikasteri i cili merrej direkt me çështjet financiare.

Në letrën e ministrit të Ekonomisë, Kol Thaçi, drejtuar kryeministrit thuhet se në aspektin juridik ligjet ndërkombëtare nuk e pengonin asnjë shtet për të hapur bankë në një shtet tjetër. Megjithatë, ai kërkoi rregulloren dhe statutin mbi të cilin do të funksiononte dhe do të administrohej filiali i bankës jugosllave. Në përfundim të përgjigjes së tij, Kol Thaçi i sugjeroi kryeministrit se, për momentin hapja e këtij filiali nuk ishte në interes të shtetit shqiptar. Kjo pikëpamje iu bë e ditur edhe prefektit të Shkodrës.

Arsye kryesore ishte se pa u krijuar Banka Kombëtare, nuk mund t`i jepej leje asnjë filiali të huaj që të operonte në sistemin bankar. Kjo për shkak të influencës politike dhe ekonomike që shtete të ndryshme mund të ushtronin nëpërmjet kapitalit të tyre.

Si pretekst për të penguar hapjen e filialit të bankës jugosllave në Shkodër u gjet “kapitali i saj i pamjaftueshëm”.

Që këto tentativa kishin një prapaskenë politike vihet re dhe nga ndërhyrjet e konsullit jugosllav. Kështu, në një letër tjetër për Ministrinë e Brendshme zëvendësprefekti i Shkodrës informonte për takimin me konsullin e mësipërm, i cili i kishte deklaruar dëshirën e disa nënshtetasve jugosllavë për të hapur një filial të bankës serbo-shqiptare me qendër në Cetinë. Kjo, sipas tij, ishte themeluar me miratim të Ministrisë së Tregëtisë dhe Industrisë së Jugosllavisë.

Në vazhdën e kësaj politike, Beogradi kërkoi gjithashtu që nëpërmjet një malzezi të themelonte në Shkodër edhe një agjenci tregtare. Por edhe kjo tentativë u pengua nga Ministria e Brendshme, me justifikimin se, ajo duhej të përmbushte kriteret e parashikuara nga ligji për shoqëritë e huaja.

Pavarësisht problemeve të shumta të Shqipërisë së këtyre viteve, elita politike përpiqej që të ruante sovranitetin ekonomiko-financiar të shtetit të sapo krijuar të shqiptar.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbërori: 15/10/2023 12:27

    Gjdo gjë që nuk arritën serborusët dikur sot u është servrar në tepsi nga Edvin shkjau shqipfolës!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Festat sjellin trafik të rënduar në Tiranë, eksperti: Semaforët e shumtë bllokojnë qarkullimin, duhen mbikalime! Shoferët nuk zbatojën rregullat

Festat sjellin trafik të rënduar në Tiranë, eksperti: Semaforët e shumtë bllokojnë qarkullimin, duhen mbikalime! Shoferët nuk zbatojën rregullat