Prokuroria e Tiranës ka dërguar kartelat e studentëve pranë IML-së (Instituti i Mjekësisë Ligjore) për të përcaktuar shkakun e helmimit të tyre në fillim të këtij muaji (7 maj)
Ndërkohë më 19 maj ish-drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për Tiranën, Ersid Hasanllari dhe Flutura Polaci, drejtoreshë e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor u pyetën nga Prokuroria e Tiranës si deklarues në lidhje me këtë çështje.
52 studentë të Akademisë së Sigurisë u helmuan pasi konsumuan ushqimin e ardhur nga kateringu ‘SORI-AL’. Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.
AKU fillimisht bllokoi aktivitetin e kësaj kompanie si dhe i gjobiti me 1.5 milionë lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare. Ndërsa disa ditë më vonë zhbllokoi aktivitetin e kompanisë pasi analizat e mostrave për higjenën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, rezultuan brenda normave të lejuara për treguesit e higjenës.
Komente








