Një turp e ka cilësuar juristi Kreshnik Spahiu, heqjen e mikrofonit ndaj kreut të PD, Sali Berisha në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Në emisionin "Frontline" në Report Tv, Spahiu tha se asnjë lider europian, qoftë edhe nga vende jo miqësore si Serbia apo Greqia, nuk ka folur në forume ndërkombëtare për Shqipërinë, me të njëjtën mënyrë që foli Berisha.
Spahiu shtoi se nuk mundet që një i pandehur si Berisha për korrupsion, të dalë dhe të akuzojë shtetin e tij.
“Unë jam ndjekës i seancave më kryesore që zhvillohen në Këshillin Europian, Komisionin Europian dhe Bashkimin Europian, për shkak të kuriozitetit që kam për seancat ndërkombëtare. Po ju them një gjë me bindje, fjalimi i Sali Berishës është një turp i vërtetë, edhe për atë podium por edhe për politikën shiptare. Kjo hyn në historinë e parlamentarizmit, nuk gjen lider europian, në pushtet apo në opozitë, që të hedhë helm kundër shtetit të tij. Nuk ka asnjë fjalim të një politikani serb, grek, rus, që në një forum ndërkombëtar, të hedhë akuza për shtetin shqiptar. Pyetja është shumë e thjeshtë, si ka mundësi që nuk ka asnjë lider të huaj, që të thotë për Shqipërinë narkoshtet, të thotë që shqiptarët janë si kolumbianë, janë kartelet më kryesore të kokainës, heroinës në Europë apo në planet.
Dëgjojini fjalimet e liderëve europiane opozitarë se çfarë thonë për shtetin e tyre. Unë e pranoj që të thotë çdo gjë Sali Berisha në Kuvendin e Shqipërisë, në protestat që ai organizon, po si ka mundësi, një njeri i pandehur, shkoi dhe akuzoi shtetin e vet në forumet ndërkombëtare. Një i pandehur për korrupsion, bredh lirshëm dhe flet kështu për Shqipërinë. Pas 79 sekondash, i hiqet mikrofoni dhe i thuhet nuk ke më përkthim. Nuk e kalon dy minuta, realisht që çdokush ndjehet keq, nuk është hera e parë që Berisha e bën këtë”, theksoi Spahiu.
Juristi Kreshnik Spahiu thotë se Sali Berisha nuk mund të baltosë Shqipërinë në BE, ndërkohë që është i pandehur për korrupsion.
Në emisionin “Frontline” në Report Tv, Spahiu u shpreh se Berisha nuk mund të jetë lideri i opozitës dhe se është ai që e ka mbajtur të përçarë.
“Berisha ka pjesërisht të drejtë, sepse është e vërtetë që shpresa e Shqipërisë është opozita. Aty ku nuk ka të drejtë, është që Berisha nuk është opozita e Shqipërisë. Nëse do të ishte opozita e Shqipërisë, do kishte ardhur në pushtet në 11 maj, ku jam i bindur që afro 2 milionë shqiptarë nuk janë më me Edi Ramën. Berisha ka mbetur vetëm kryetar i partisë së tij, ka humbur rolin e lidershipit. Fakti që nuk arrin ta bashkojë opozitën, ka penguar rotacionin politik. Sali Berisha nuk do ta pranojë, por ky është realiteti, kjo është e vërteta. Sali Berisha është pjesë e qeverisjes, Sali Berisha pas 35 vitesh politikë, nuk mund të thotë që Shqipëria është narkoshtet.
Nuk ka një personalitet botëror, i cili të ketë qeverisur 20 vite shtetin e tij, të shkojë dhe të vjellë vrer kundër shtetit të tij. Ky bën sikur është i virgjër, sikur hyn për herë të parë në politikë. Një njeri i pandehur, i merr vetes një atribut që nuk e ka. Në moshën 82-vjeçare dhe nën akuzë nga prokuroria, nuk mund të jetë as shpresa e shqiptarëve, as kryetari i opozitës, t’i hapë krahun lidershipit të ri. Bëri gabim që hoqi atë që kishte në parti, bën gabim që nuk i hap krahun Adriatkut, Arlind Qorit, Agron Shehajt, të gjithë mund të jenë liderë opozitarë, vetëm Berisha jo. Sa kohë të rrijë ai, nuk e bashkon opozitën shqiptare.", deklaroi Spahiu.
Komente











