Hetimi i SHISH, Basha:
Po luajnë me zjarrin

Hetimi i SHISH, Basha:<br />Po luajnë me zjarrin
Në studion e Top Story këtë të enjte, i ftuar kreu i PD, Lulzim Basha iu përgjigj një sërë pyetjesh, duke nisur nga konsensusi i munguar parlamentar, statusi kandidat, nga ballafaqimi aktual me mazhorancën, tek situata ekonomike, tek situata e rendit, tek paralajmërimet për humbjen përseri të statusit kandadit, zgjedhjet vendore 2015 dhe shumë të tjera.

Sokol Balla - Le ta nisim menjëherë nga problemi i konsensusit të munguar…

Lulzim Basha - Fjala konsensus, siç e kuptojnë shumë mirë shqiptarët hyri me një intensitet të pazakontë në fjalorin e ditës kur konsensusi u shkel. Konsensusi i arritur mes forcave për integrimin europian, për të famshmet tre ligje, u miratua me unanimitet 3 javë përpara zgjedhjeve. Brenda muajit të parë të qeverisë, me një akt normativ, kjo qeveri vendosi ta zhbënte këtë konsensus. Ky ishte një akt i rëndë dhe i paprecedent  në historinë e konsensusit mes partive politike në vend. Mes 23 viteve ka pasur gjithmonë përplasje të forta politike mes palëve, por gjithmonë ka pasur konsensus, si i fundit me tre ligjet, por kjo ishte hera e parë dhe shpresoj e fundit që një marrëveshje e arritur mes dy palëve u shkel nga njëra palë. Ajo që u asgjesua dhe kjo është më e keqja, ishte një standart europian për të cilin punuam për një kohë të gjatë të dyja palët.

Sokol Balla - Pala tjetër e sheh ndryshe këtë dhe s’janë të paktë ata që e shohin se në fund të fundit, marrëveshja e 30 Majit u bë në një situatë të ndryshme politike, me një konfigurim 66-4-70. Në 23 Qershor doli një tjetër mazhorancë, e stërmadhe dhe që në një farë mënyrë interpretohet se kjo mazhorancë e shqiptarëve është një mazhorancë e shqiptarëve që janë të lodhur dhe të bezdisur nga marrëveshjet e vjetra politike e kërkojnë një mazhorancë të re që të jetë në gjendje të bëjë reforma, që mbase këto konsensuse në të shkuarën i kanë penguar.

Lulzim Basha - Më lejoni t’iu them pse nuk qëndron kjo. Shqiptarët i dhanë kësaj mazhorance 83 mandate dhe 2 i peshkoi nga opozita. Shqiptarët nuk i dhanë kësaj mazhorance 84 mandate, por 83 dhe dy janë të trafikuara, por ky nuk është thelbi i çështjes. Unë thashë që në 23 Qershor shqiptarët nuk i dhanë kësaj mazhorance shumicën e kualifikuar që ajo pretendon të ketë. Pse e bëri këtë? Ky është akti i dytë pas prishjes së konsensusit, duke i dhënë një sinjal shqiptarëve që këta duan të qeverisin jo pa opozitë, por edhe pa ligj, kushtetutë dhe institucione të pavarura. Kjo është dilema më e madhe për vendin. Me të vërtetë, kushtetuta ka një mazhorancë të kualifikuar 3/5, por shqiptarët e vendosën këtë barrierë kaq lart jo sepse shpresonin që një koalicion do të arrinte atje. Por, sepse për ligje të rëndësishme për vendin, shqiptarët i thonë klasës politike që do të uleni dhe do të merreni vesh, sepse këto janë çështje shumë të rëndësishme për t’u aprovuar vetëm nga një mazhorancë e në këto reforma duhet të përfaqësohen të gjithë, që kur kryeministri në pritje të bëhet kryeministër, gjëja e parë që të bëjë mos të jetë zhbërja e asaj që bëri kryeministri në largim. Logjika tjetër është që meqë kanë 85 vota, i heqim të gjitha, me president, me prokurorë, me institucione, e ku gjithçka mund të vendoset me VKM.  Shumica e shqiptarëve e kanë shumë mirë parasysh se si funksiononte ky sistem (I referohet diktaturës) dhe kanë zgjedhur një sistem mes kontrollit dhe balancave, një shtet ligjor që respekton kushtetuën, ligjin dhe konsensusin politik për çështje të rëndësishme.

Sokol Balla - Konsensus do të thotë të marrësh e të lëshosh. Qëndrimi i opoziës duket sikur kërkon një veto.

Lulzim Basha - Fjalën veto ne se kemi përdorur kurrë. Nuk e kemi kërkuar dhe as përdorur në kuptimin që nuk është një kusht i yni. T’i thuash opozitës ke veto në komision në reformën territorial, por në Parlament bëjmë si duam ne, kjo s’të çon asgjëkundi.

Sokol Balla – Përfaqësues të mazhorancës, përfshirë zotin Çuçi e kanë shtrirë këtë premtim deri në Parlament.

Lulzim Basha - Kjo është një çështje që i takon vullnetit politik dhe me gjithë respektin kjo nuk i takon Çuçit apo nokës, kjo i takon kryetarit apo kryetarëve të mazhorancës që të garantojnë këtë standart që nuk e kam shpikur unë, por që ata e kanë gëzuar kur ishin në opozitë. Gjithçka duhet të miratohet në mirëbesim, mirëkuptim dhe pa përdorur numrat e reformat. Nëse doni hyjmë më thellë në reformën territorial. Emri i saj të fut pak në rrugë të gabuar. Ne kemi dashur të bëjmë reformën tërësore të pushtetit vendor që ky pushtet të zgjidhë në mënyrë më të dobishme problemet e tij. Dhe që kjo të arrihet kërkon një reformë tërësore dhe një azhornim të përditshëm, një ndryshim të qeverisjes vendore që nga njëra anë do të ndihmojë qeverisjen qëndrore.

Sokol Balla - Kam përshtypjen se kjo po ju ofrohet…

Lulzim Basha - Përshtypja juaj kundërshtohet nga një fakt, ku dy OJQ, njëra e majtë e kryesuar nga Bufi dhe tjetra e djathtë rakorduan mbi këtë çështje. E rëndësishme është të përcaktohen funksionet e funskionalitetit të pushtetit vendor, çdo i ofrojë ky pushtet shqiparëve, si 100 lekë të kthehen më mirë nga sa kthehen sot dhe në funksion të kësaj të bëhet ndarja territoriale. Në fillim duhet kali pastaj patkoi dhe jo e kundërta. E fundit me këtë rast, është fakt i pakundërshtueshëm që kjo reformë ka ndikim në sistemin zgjedhor… nuk kemi vendosur kusht të pakalueshëm, siç kemi vendosur me konsensus dhe ka qenë zakon i mirë që këto ligje janë miratuar me mirëkuptim të përgjithshëm. Me veto në komision, me pamundësi për t’u respektuar në Parlament është e kotë. Duke dhënë konsensusin për këtë çështje, atëherë do të heqim çdo shenjë keqbesimi apo frike se duan ta përdorin këtë proces për interesat e tyre politike.

Sokol Balla - Duke ju dëgjuar, pa dashur t’iu kundërvihem, sinqerisht në këtë emision, përfaqësuesit e opozitës kanë folur për pasojat elektorale që mund të ketë kjo reformë. Pa dyshim këtu keni të drejtë, reforma elektorale politike kërkon një konsensus, por një mazhorancë që ka 85 vota, të peshkuara apo jo, duhet të bëjë një reformë për të mirëmenaxhuar pushtetin lokal që të mos kemi me mijëra bashki që s’janë fare efektive për njerëzit dhe ndikojnë në nivelin e varfërisë, pasi këtu kemi komuna me 50 mijë banorë dhe bashki me 5 mijë banorë.
Lulzim Basha - Nuk do të thoja që hendeku është kaq i madh, por këto janë statistika. Në parim ne s’jemi kundër një reforme tërësore të pushtetit vendor për ta bërë më të aftë, më efiçent dhe të dobishëm për qytetarët. Ajo që po themi është që kjo reformë është bërë gjithmonë në këto vite me konsensus dhe nëse mazhoranca e dëshiron ta bëjë këtë, e ka të lehtë të adoptojë atë që ne i kemi ofruar kur ishte në pozitë.

Sokol Balla – Me të vërtetë mendoni që nëse Berisha do të kishte 85 vota do të kërkonte konsensus?

Lulzim Basha - Pikë se pari, unë s’jam nga ata që i futem hipotezave. Ne s’i kishim këto vota dhe s’mund të merrem me skenar hipotetik. Por, unë them që PD ka një rekord të qartë të shtrirjes së dorës për konsensus për reformat ku përfundimi i të cilave duhet të shtrihet përtej çështjes së mazhorancës, që ka të bëjë me mirëqënien e demokracisë dhe ligjet e qënësishme të vendit e këtë s’mund ta mohojë askush, as përfaqësues të nderuar të mazhorancës sot, ndaj nëse ka një vullnet për ta kryer këtë reformë ne jemi të gatshëm, por nëse ka një vullnet të mbrapshtë, është e domosdoshme që jo vetëm opozita, por që të gjithë shqiptarët nuk mund të kenë qëndrim tjetër veç thirrjes për bashkëpunim politik e braktisjes së një procesi destabilizues.

Sokol Balla - A mund të më siguroni që PD nuk ka një axhendë politike pas këtij qëndrimi?

Lulzim Basha - As i jemi futur këtyre llogarive, as unë e as bashkëpunëtorët e mi. Interesi ynë është që të realizojmë këtë reformë jo të parëndësishme për vendin, të realizojmë një standart dhe të tregojmë në këtyë moment kyç për integrimin që mazhoranca e opozita janë në gjendje të bashkëpunojnë.

Sokol Balla - Çfarë duhet të bëjë mazhoranca nëse uleni në komision dhe ju propozoni që Kasharin, Paskuqanin e Farkën ta fusni brenda vijës së Tiranës?

Lulzim Basha - Të jeni të sigurt që në këtë reformë, PD nuk futet për allishverishe. Nëse futemi për këtë reformë, futemi të zbatojmë kritere dhe norma, pikërisht për të shmangur krijimin e hardhucave parlamentare, për t’i shërbyer interesave momentale pasi në këtë moment jo vetëm do tradhëtonim besimin e qytetarëve, por do të faktonim që e gjitha ka qenë për t’i shërbyer interesave të njërës palë ose tjetrës dhe për të çimentuar karriget e deputetëve, një praktikë e papranueshme për 2014-n.

Sokol Balla - Pak javë më parë, lidhur me këtë reformë, thuajse keni kërcënuar që nëse vazhdon vetëm me votat e mazhorancës, PD dhe aleatët e saj do të shohin pozicionin e pjesëmarrjes në zgjedhje. i qëndroni këtij qëndrimi?

Lulzim Basha - Ecja përpara në kundërshtim me praktikat e mirënjohura të konsensusit do të ishte një provikim i rëndë ndaj demokracisë. S’do të ishte i pari fatkerqësisht, por do të ishte një precedent shumë i rëndë, do të ishte një provikim ndaj të ardhmes europian ndaj nëse kjo do të ndodhë, opozitës nuk i mbetet gjë tjetër veç të mobilizojë të gjithë kapacitet e saj politike për t’iu kundërvënë kësaj lëvizje destabilizuese.

Sokol Balla – Në qëndrimin tuaj përfshihet edhe mundësia e bojkotit të zgjedhjeve vendore 2015?
Lulzim Basha - Nuk më pëlqen të flas hipotetikisht, aq më pak për një skenar të keq. Unë uroj që të gjejmë një shembull të mirë për t’i dhënë shqiptarëve një produkt të mirë e të qëndrueshëm.

Sokol Balla - Si i përgjigjeni argumentit të kritikëve se i gjithë ky qëndrim lidhet edhe me fatin tuaj personal në zgjedhet lokale 2015?

Lulzim Basha - Kjo është një triko leshi që vetë e kanë thurrur dhe vetë e veshin. E kanë thënë vetë sepse nuk dëgjojnë argumentat që unë i parashtrova me qetësi dhe mendojnë të gjejnë bishta. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë, as nga unë personalisht, as nga PD në moment të tillë një ngushticë apo një tkurrje për të mbrojtur apo përpunuar interesa ngushtëisht politike. E kuptoj që ata që e thonë mund ta kenë bërë për interes personal në 2005, 2007 kur vendi s’ishte në NATO, kur shqiparët nuk lëviznin pa viza, por sot vendi ka standartë të tjerë, pret standarte europiane dhe Basha është një kryetar europian i PD dhe frikën që ata kanë që mund të bëj unë në pozitën e tyre e kanë të pajustifikuar.

Sokol Balla – Megjithatë, arithmetika është kundër jush.

Lulzim Basha - Nuk e di për çfarë e keni fjalën.

Sokol Balla - Në 2011-n fituat me një marzh të vogël dhe në 2013-n e humbët Tiranën me një avantazh të thellë.

Lulzim Basha - Do të kemi kohë të flasim për zgjedhjet vendore e vendimamrrjen tonë, e për kandidatët tanë.

Sokol Balla - Ju keni në dorë ta sqaroni, në do të kandidoni apo jo në zgjedhjet e 2015-s.

Lulzim Basha - Shpresoj të mos jetë ky takimi ynë i fundit dhe shqiptarët sot presin të dëgjojnë gjëra më urgjente.

Sokol Balla – Por, në pozitën e dyfishtë që ndodheni, ndoshta është mirë të sqaroni këtë pikë.

Lulzim Basha – Mendoj se nuk është përjashtuese të jesh kryetar i mazhorancës dhe i bashkisë njëkohësisht. Në pushtet është mazhoranca, unë jam kryetar i opozitës dhe për fat të keq në ditët e fundit, Bashkia e Tiranës që unë drejtoj me një mandat nga qytetarët është vënë në sulme të padrejta politike nga qeverisja, me vonesën dy mujore të buxhetit, me bllokimin e papranueshëm të varrezave të Tiranës e shumë e shumë bllokime të tjera.

Sokol Balla - Si është problem varrezave?

Lulzim Basha - Mendoj se sot u sqarua qartë që bëhet fjalë për një bllokim nga qeveria, për një çështje që prek në momentin më të dhimbshëm qytetarët, por pavarësisht kësaj unë jam i vendosur dhe e kam treguar e do e tregoj deri në ditën e fundit si kryebashkiak i Tiranës që do i mbaj qartë dhe të prera përgjegjësitë e Tiranës, si kryetar i PD dhe kryetar i bashkisë.

Sokol Balla – Por, kalendari politik duket kundër…

Lulzim Basha - Unë them fare qartë që këtu ka një qëndrim të prerë në ndarjen e përgjegjësive.

Sokol Balla – Por, këtë kalendar politik e keni kundër. Si do dilni në 2015-n e do thoni: Unë do të jem kryetar bashkie part-time!

Lulzim Basha – Shpresoj, uroj që të jemi prapë në studio kur kjo pyetje të jetë aktuale dhe të jeni të sigurt që do të merrni një përgjigje të plotë.

Sokol Balla - Unë thjesht ju kujtova një gabim të paraardhësit tuaj.

Lulzim Basha - Reforma e pushtetit vendor s’ka të bëjë fare me faktin nëse Basha do të kandidojë për bashkinë e Tiranës apo jo.

Sokol Balla: Cila është strategjia e opozitës, marrëdhënia e saj me parlamentin, bojkot i pjesshëm apo qëndrim që do të vazhdojë? Ka një paqartësi për këtë cila është strategjia?

Lulzim Basha: Më 20 shkurt pati një ngjarje të rëndë, që në masë të madhe u eklipsua nga protesta e opozitës. Në mënyrë të paligjshme duke shkelur rregulloren dhe kushtetutën, maxhoranca shkarkoi kryesinpektoren në detyrë dhe pastaj nxorri nga arkiva dy dektrete të presidentit duke uzurpuar kompetencat e presidentit për të propozuar në rast vakance. E shkarkoi në mënyrë të paligjshme dhe kur ligji thotë se ka një vakancë, në mënyrë flagrante shkelën Kushtetutën. Cdo anëtar i institucioneve të pavarura ka marrë një mesazh nga maxhoranca Rama-Meta, që ka Kushtetutë, ka institucione të pavarura, ka institucione kontrolli dhe balance, por ka edhe një maxhorancë që nuk pyet fare, nuk pyet për presidentin dhe merr në dorë cdo atribut. Ky është një atentat i pastër kundër demokracisë. Zgjedhja jonë është shumë e vështirë. Ka patur një vendim të PD dhe aleatëve për të mos iu futur rrugës së bojkotit së pari për të mos dëmtuar kauzën, imazhin e Shqipërisë në momentin e statusit të vendit kandidat dhe së dyti për të zgjedhur rrugën e ballafaqimit në cdo hapësirë parlamentare që na mbetet. Në seancë kjo ndodhi, jetësimi i këtij vendimi. Nëse kjo nuk zhbëhet do sjellë një kostot të jashtëzakonshme për demokracinë dhe integrimin europian.

Sokol Balla: T’i marrim me radhë, mospjesëmarrja në seanca normale dhe pjesëmarrja në seanca të forta. Marrim ish-kryetaren e ILDKP-së, ka një argument mbrojtës nga ana e maxhorancës. Nga ana tjetër nga aktiviteti që po kryen tani kryetari i ri i ILDKP, që dha urdhër për hetimin e gjithë pasurive nga 2006 e këtej, duke lënë të kuptohen se kjo nuk është bërë nga zonja Xhuka, cfarë mund të quhet ky sulm apo funksionim institucioni?

Lulzim Basha: Këto janë dy gjëra të ndryshme dhe funksionon apo nuk funksionon institucioni, këtë e vendosin institucionet.

Sokol Balla: Po por faktet janë që nga 2006 denoncimet në prokurori, dosje zyrtari për ndjekje penale në prokurori janë zero, asnjë dosje. Faktet janë fakte.

Lulzim Basha: Pokuroria që ju i referoheni dhe i ashtuquajturi grup kontrolli i PS, hodhi poshtë në një dokument publik cdo akuzë të moskryerjes së detyrës nga zonja Xhuka. Institucioni i prokurorisë i hodhi poshtë këto pretendime. Maxhoranca merret me personat, ne merremi me normën, me ligjin dhe faktin që shqiptarët kanë krijuar një sistem balancash dhe kontrolli dhe kanë dhënë presidentit të drejtën për të propozuar 2 kandidatura dhe parlamentit të votojë. Zonja Xhuka u hoq për faktin se po hetonte as më pak dhe as më shumë vetë kreun e maxhorancës. U shkarkua zonja Xhuka me pretendimins e nuk po plotësonte më kriteret. Ligji thotë që presidenti propozon dy kandidatura dhe që t’i hiqej kjo kompetencë presidentit, u bë një ushtrim i shëmtuar për të shkelur kompetencat e presidentit. Nuk ka të bëjë me emrin e zonjës Xhuka, por me mesazhin që dërgojmë. Mesazhi i dërguar është ky; që maxhoranca të shkel, ne nuk pyesim, ne të heqim dhe ky është mesazh shkatërrimtar për institucionet e pavarura. Nuk e themi vetëm ne, institucionet e pavarura janë në sulm, por këtë po e thonë europarlamentarët, kryeu u punëve të jashtme në PE. Problemi i një super-maxhorance arrogëante që shkel ligjin, shkel kushtetutën, shtyllat e ngrehinës demokratike për të futur nën kontroll institucionet e pavarura, sot është një problem madhor për vendin që po kthehet në problem madhor edhe për aleatët tanë.

Sokol Balla: Ju thoni që maxhoranca po merret me emra. Ju vendosët në krye të institucioneve figura të larta brenda Partisë Demokratike, atëherë nëse duhet të merrej me emra pse të mos e kishte nisur me presidentin Bujar Nishani, kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, por nuk ka asnjë sulm ndaj Nishanit, Adriatik Llallës apo Leskajt. Cili institucion po sulmohet?

Lulzim Basha: Nisi me sulmin ndaj Nishanit, 10 minuta pasi u largua nga Presidenca me aktin i parë i qeverisë Rama, ishte heqja e fotos së Presidentit. Më 20 shkurt sulmet e hapura apo jo, brenda institucioneve, një nga deputetë që e sulmon politikisht, apo në mënyrë mediatike, kulmuan me uzurpimin e kompetencave të Presidentit, është një atentat kundër presidentit që është institucion kontrolli dhe balance. Sot kemi 6 muaj që kjo maxhorancë është instaluar, pse nuk janë plotësuar vendet vakante në KQZ? Sepse nuk u intereson kjo. Shkarkuan në mënyrë të paligjshme drejtuesen e INSTAT edhe pse i kishin të gjitha mjetet për ta bërë këtë ligjërisht. Këto janë mesazhe për të shkarkuar edhe prokurorin Llalla. Shqetësimi ynë nuk ka të bëjë me emra, por që maxhoranca u është përveshur kapjes së institucioneve të pavarura, një problem që ka të bëjë me ngrehinën brenda së cilës jetojmë ne.

Sokol Balla: Nëse problemi do të ishte zgjidhur që në rrënjë, zgjodhët president në mënyrë të njëanëshme, kryetar të KLSH, sërish, kryetare e AMA-s, ish-këshilltare e Berishës, dhe me përjashtim të zonjës Nurja të INSTAT, të gjithë të tjeterët janë figura qendrore të partisë tuaj, institucione të pavarura nga qeveria dhe të varura nga opozita thoni ju?

Lulzim Basha: Nurja nuk ka patur asnjë gjysmë dite aktivitet në Partinë Demokratike, por ke nga ana tjetër President të Republikës, një zgjedhje përtej një partie politike, sepse mori konsensusin edhe të aleatëve tanë në qeverisje. Faktet janë kokëforte. Pse kjo uri e shfrenuar e kësaj maxhorance për të qeverisur vetëm?

Sokol Balla: Mendoni që po qeveris në mënyrë të qetë me shefin e shërbimeve sekrete, në një kohër kur përgjohen katër ministra, përfshi edhe ministrin e rendit?

Lulzim Basha: Hetimi i atentateve nuk lidhet me SHISH, por me policinë dhe prokurorinë. Një nga detyrat e SHISH është të bëjë rojen e rojtarëve, ndër vite ka detyrë funksionale me mjetet dhe mënyrat që i njeh ligji. Spekullimi që po përdor ky apo që po përdor ai, ngjan me goditjet mediatike të ngritura kundër ILDKP-së dhe pas sulmit mediatik nisën kontrollin. Nuk është masë ligjore, por e paligjshme. Nuk ka qeverisje, maxhoranca ka 6 muaj dhe nuk po qeveris vendin, po rrëzon kushtetutën. Kligjet dhe po shkel të drejtat e shqiptarëve.

Sokol Balla: Le të ndajmë sulmet politike nga faktet. Kanë dalë dokumenta që kanë dalë nga SHISH që tregojnë përgjimet e ministrave…

Lulzim Basha: Them që nëse ka të dhëna zyrtare që ligji nuk është zbatuar, atëherë ajo është e qartë duke i vënë shkelmin zbatuesit të ligjit.

Sokol Balla: A ka të drejtë kryeministri që të ketë një person bashkëpunues me të në krye të SHISH?

Lulzim Basha: Kushtetua u ka përcaktuar fushat e kontrollit dhe bashkëpunimit me institucionev të ndryshme.  SHISH ka detyrat e veta të ngarkuara me ligj dhe Kushtetutë.

Sokol Balla: Megjithatë, zoti Nishani, në një intervistë të para 2 viteve në lidhje me shkarkimin e Bahri Shaqirit thotë: “funksionimi i SHISH është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe është instrument që duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur nga qeveria, por në kuadër të objektivave qeverisës të qeverisë. Ka qenë një kërkesë tërësisht ligjore dhe në bazë të kompetencave të Kryeministrit. Momenti ka qenë normal. Kishte një kohë të gjatë që Bahri Shaqiri ka qenë në atë detyrë, ishte krejt e dukshme që marrëdhëniet e kreut të SHISH me qeverinë nuk ishin në bashkëpunim të plotë. Qeveria shqiptare është një qeveri e ligjshme për të ndërtuar punën e saj mbi institucione ku ka besim të plotë dhe procedura është ndërtuar mbi diskutime shumë serioze të Presidentit me Kryeministrin e vendit dhe unë besoj që ka qenë një proces mjaft korrekt që u bë publik në momentin e duhur”.

Lulzim Basha: Intervista ka qenë pas ngjarjeve të 21 janarit, ku pati një thyerje të plotë besimi dhe publike mes palëve. Por shikoni dhe faktin tjetër, Shaqiri kishte 8 vite në krye të SHISH.  

Sokol Balla: Cfarë do të thotë kjo, që duhet të presim që Visho Ajazi të mbushë 8 vite në krye të detyrës?

Lulzim Basha: Sot kemi një maxhorancë që synon të vendosë nën kontroll partiak SHISH, kërkon të largojë nga kreu i institucionit një person të zgjedhur në mënyrë të ligjshme.

Sokol Balla: Nisma për komision hetimor është zyrtarizuar, do marrë pjesë opozita?

Lulzim Basha: Nuk kam informacion për këtë nismë, por kjo do të shqyrtohet dhe nëse nisma është anti-ligjore nuk do të marrim pjesë.

Sokol Balla: Mbajtët një qëndrim të ashpër ndaj debatit mbi furgonët, por qeveria kërkon zbatimin e një vendimi të 1998. Jeni për respektim të ligjit, apo protestës popullore edhe nëse ajo bazohet në një kërkesë joligjore?

Lulzim Basha: Qëndrimi ynë është në krah të personave që me këtë punë sigurojnë bukën e gojës. Bëhet fjalë për dy tipare të qeverisjes që s’jemi aspak dakort. Pashpirtësinë dhe arbitraritet që 21 mijë familje t’i hedhësh në rrugë. Këta shoferë kanë dhënë një kontribut për gjithë shqiptarët në transport. Unë jam i bindur që pas kësaj qëndrojnë interesa klienteliste. Nuk është zgjidhur problemi, por sot ka shkaktuar problemin më të madh, papunësinë. Zyrat e Punës aty kanë qenë, por tani po lyhen muret dhe po rihapen me stilin e zotit Rama. Sot dëgjova që zyrat e punës punësojnë 1 mijë shqiptarë në muaj, por sa i duhen qeverisë për të mbajtur premtimin për 300 mijë vende të reja pune? Në 6 muaj jo vetëm që nuk janë hapur vende të reja pune, por janë mbyllur.

Sokol Balla: Presidenti i Senatit Francez, Zhan Pier Bel, në një intervistë për Top Channel thotë se është optimist se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat në qershor.

Sokol Balla: Zoti President cili është mendimi juaj për zhvillimet politike të fundit në Shqipëri?

Zhan Pier Bel, president i Senatit francez: Nuk dua të ndërhyj në debatet politike shqiptare, por mendoj se kemi të bëjmë me një situatë në përputhje me një vend demokratik, ku kemi një shumicë me mjete të mjaftueshme për të ndërmarrë reformat dhe një opozitë që duhet të luajë rolin e saj si opozitë. Në sitemin demokratik kjo gjë është shumë e natyrshme. Ajo që duhet është që në sistemin politik të brendshëm, është që njerëzit të kenë përshtypjen që institucionet funksionojnë. Në demokraci ka vend edhe për opozitën. Duhet që institucionet të funksionojnë, duhet që shqiptarët të kuptojnë se cilat janë sfidat e mëdha që shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e tyre në mënyrë demokratike.

Sokol Balla: Po ju ndani të njëjtin mendim me të?

Lulzim Basha: Në momentin që kjo maxhorancë erdhi në pushtet trashëgoi një situatë jashtëzakonisht të favorshme, por me veprimet e saj në 3-4 muaj qeveria ja doli të krijonte një mal skepticizmi që kontribuoi që vende si Holanda, Gjermania, Anglia dhe Franca të rezervoheshin për një afat 6-mujor. Ky afat iu dha maxhorancës, qeverisë, jo shqiptarëve, jo ekstremistëve në Europë. Rama u kthye në Tiranë dhe me vendimet e tij po vë në rrezik për refuzimin për herë të tretë të statusit. Sa i përket cështjes së riorganizimit të PD, unë kam shpallur platformën, bashkim dhe ribashkim të të gjithë figurave historike, një bashkim dhe ribashkim si dhe hapje e PD ndaj cdo kujt që dëshiron të vijë dhe ndaj brezit të ri të shqiptarëve që tek PD gjejnë lirinë.

Sokol Balla: Reforma territoriale…

Lulzim Basha: Ne dëshirojmë një konsensus për këtë reformë, por jo në dëm të demokracisë. Zoti Rama erdhi në pushtet në një moment pritshmërie pozitive. Trashëgoi një situatë pozitive, po pavarësisht këtyre, me paaftësinë, Rama në 6 muajt e parë ka një bilanc negativ, rendi, ekonomie dhe integrimit europian të vendit. Mua nuk më pengon aspak kjo, as mua dhe as PD, që të shikojmë si pjesë favorizuese sukseset e kryeministri aktual nëse ato do të ekzistonin.

Sokol Balla: Ramën do të kem këtu javën tjetër, cfarë këshille keni për të, nëse do ta kishit përballë?

Lulzim Basha: Të njëjtën gjë që thashë para 100 mijë shqiptarëve: mbylle fushatën e gënjeshtrave.

Marrë nga Top-Channel
(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025