Hipokrizia me 'Oligarkët', kanë paguar dhe njëherë si përherë

Hipokrizia me 'Oligarkët', kanë paguar dhe njëherë si përherë

Lulzim Basha

Përveç vetes, Lulzim Bashën e tradhton herë pas here edhe fati. Nëse do të jetë ai vetë dhe jo ndonjë “aktor” i rastësishëm, pasagjer në bordin e Range Rover-it, i kapur në video duke fjetur, atëherë fushata diskriminuese e Ramës ndaj tij do të gjejë kashtën e duhur për benzinën e ironisë. Se zjarrin ja ka vënë prej kohësh. Në fakt nuk ka asnjë të keqe të dremisësh gjatë udhëtimit me makinë, me kusht që të mos jesh shoferi i saj. Problem është jo çfarë ndodh, por perceptimi i asaj që mund të ndodhë. Problemi është se gjumi si dembelizëm të Bashës, Rama e përdorin si identikit për kundërshtarin, si një djalë të mirë, por që nuk është për atë punë. Kush mendon se në kushtet e kryetarit të opozitës gjumi është luks, ndoshta ka pjesërisht të drejtë sepse e pamundur në një situatë si kjo është të flesh dhe jo të rrish pa gjumë. Dhe zoti Basha arrin të bëjë të pamundurën me gjumin e tij, sipas Ramës. Deri këtu, ky është koloriti lokal që merr fushata zgjedhore në Shqipëri. Situata nis e ndërlikohet kur bëhet fjalë për thelbin e fushatës. E cila, qoftë në anën që kërkon të rikonfirmojë pushtetin dhe qoftë në palën që kërkon pushtet, ka të domosdoshme kornizën morale. Kërkon përgjigje së paku normale brenda atyre kufinjve gjithmonë e më të paqartë mes të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të gabuarës, sinqeritetit dhe hipokrizisë. Dhe nëse për opozitën ky lloj morali është shkak për shpjegim, për opozitën duhet të jetë domosdoshmërisht detyrim i përcaktuar.

Nuk është ende në video të bërë publike, por ka shumë dëshmitarë. Nuk ka gjurmë dokumentesh, por ka peshë provash. Bëhet fjalë për një situatë të ndërlikuar që nuk është financiare edhe pse bëhet fjalë për paratë. Për shumë e shumë para. Së paku për katër vjet, që kur ka hyrë në fjalorin e shqipes kjo fjalë e huazuar, “oligarkët” kanë qenë një nga kryetemat e ndeshjes politike në vend. Edi Rama e të majtët e tij kanë refuzuar të pranojnë se ekziston kjo kategori pasanikësh në Tiranë që shumëfishojnë milionat me diellin e  politikës, Lulzim Basha dhe të djathtët e tij i kanë konsideruar shënjestra të qeverisjes së tyre të ardhshme dhe i kanë denoncuar me fushata që shuheshin papritur, po aq befasisht edhe sa nisnin. Në rastin e parë konsiderohej se ata kishin marrë peng qeverisjen, në rastin e dytë ata vetëçliroheshin nga pengmarrja politike duke paguar me premtime apo duke premtuar pagesë.

Logjikisht tema e “oligarkëve” duhet të ulërinte në fushatë, si një mënyrë për të kryengritur 99 për qindshin e votuesit gjithmonë e më të varfër – siç thotë opozita – kundër një për qindshit gjithmonë e më të pasur. Nuk po ndodh kështu për një arsye të thjeshtë. Shumica e listës që Lulzim Basha e konsideronte armike të parave publike, që ai e denonconte në ekranë mediash apo në foltore partiake, me vetëm pak përjashtime të rralla, ka mbërritur tashmë në selinë blu. Ka “premtuar dhe realizuar darovitjen” e rradhës për fushatë. Ka derdhur haraçin elektoral që biznesi paguan për politikën që e shantazhon, njëlloj siç ka bërë edhe me PS-në, qeverisja e të cilës i ka ushqyer gjatë qeverisjes së majtë. “Oligarkët” kanë paguar elektoralisht dhe asimetrikisht së paku dy partitë e mëdha, me logjikën që nesër të vijojnë të jenë në sofrën e parasë publike, pavarësisht ngjyrës në qeverisje. “Oligarkët” që refuzojnë të kalojnë traun e politikës do të identifikohen me emër personalisht nga Basha ose Lulzimi do t’u vizatojë personalisht identikitin e tyre. E bëri gjatë kthimit nga Kukësi në rrugën e Kombit. Siç e ka bërë edhe më parë, pikërisht në kulmin e fushatës së opozitës kundër pasanikëve të rinj të Shqipërisë, të lidhur me politikën.

Nuk janë pak njerëzit që janë dëshmitarë të kësaj të vërtete të hidhur; JavaNews.al disponon një listë paraprake me emra kompanish, që njerëz brenda PD-së, e konfirmojnë si një të vërtetë të thjeshtë. Por kur, herët a vonë, kjo listë të dalë në dritë, ajo do të dëshmojë me ulërimë vetëm një fakt që e dinë të gjithë, por pakkush e thotë me zë të lartë: politika në Tiranë është thellësisht hipokrite. Hipokrite dhe egoiste. Egoiste dhe e pasinqertë. Gënjeshtare dhe makute. Qoftë kur hiqet si adoleshente e virgjër, qoftë kur bën sikur tregon xhepat me transparencë. Sepse ajo është bërë gjithmonë e më e shtrenjtë. Qindarkat që marrin partitë nga buxheti, nuk dalin as për çimçakiza mëngjezi, ndaj simbioza mes pagatatorëve dhe të paguarve është një karusel që rrotullohet nga e majta në të djathtë e pa dallim.

Për të mbyllur qarkun e hipokrizisë, disa çuna problematikë nga Elbasani, kanë gjetur mundësinë të kërkojnë falje majtas e djathtas, kryesisht djathtas ama, për atë dimër të vogël në Ditën e Verës në Elbasan. Edhe për ta ngjyra e fanelës politike nuk ka pikën e rëndësisë: siç ndodh gjithmonë, ata jepen me qera në muajin e fushatës për të tentuar të marrin në koncesion politikën për katër vjet. Në këtë pikë, në raportin me ta dhe sidomos me paratë, për ironi të fatit, kësaj here opozita nuk mundi të bëjë ndryshimin. Dhe më shumë se fatit, nesër zoti Basha duhet t’i kërkojë llogari Lulzimit për rezultatin e parathënë të zgjedhjeve që do të ndikohet nga ky lloj raporti. Kryetari i opozitës nuk ka kuptuar një të vërtetë elementare: për të hyrë në zyrën e kryeministrit nuk mjafton vetëm të jesh shefi i njërës prej partive të mëdha, por duhet të dish të bësh sakrifica të mëdha. Duke nisur që nga refuzimi i gjumit në makinë dhe për të mos mbaruar tek xhepat misteriozë të partisë./ Javanews.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë