Historia trishtuese e një 
“akademiku” të gënjeshtërt

Historia trishtuese e një <br />“akademiku” të gënjeshtërt
…Në katin e dytë të Universitetit Politeknik të Tiranës, në një korridor gjysëm të ndriçuar, gjen të vendosura rradhazi 13 foto. Janë fotot e kujtesës së këtij universitetit të njohur, pra rektorët e nderuar që kanë dhënë kontributin e tyre të vyer për arsimimin e kuadrove inxhinierikë në disa fusha. I fundmi i rektorëve, ka diçka më shumë se të tjerët. Jo thjesht numrin 13, që shumë e quajnë numër ters, por sidomos titullin e tij “akademik”. Ky është Akademik Jorgaq Kaçani. Askush para tij nuk ka mundur të marrë këtë titull. Shumëkush i jep përgjigje të ndryshme kësaj ndjesie të parë pamore, por në fakt nuk është kaq e thjeshtë. Por do të flasim më gjatë për këtë, më tej sigurisht.

Ajo që na bën të shikojmë imtësisht disa dukuri të menaxhimit të këtij universiteti është shumë më shumë se titulli “akademik” i Jorgos.  Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, në datën 17 Prill 2014, nëpërmjet një letre me nr 3/234/1, i kërkon “akademikut” informacion të plotë lidhur me disa shqetësime të depozituara në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Në fakt, nga një interesim sipërfaqësor, mësova se një numër i konsiderueshëm njerëzish të nderuar kishin depozituar, me kërkesë të znj. Lindita Nikolla, pikërisht shqetësimet e tyre, me shkrim, për ecurinë e punës së UPT.

Po përpiqem t’i marr një nga një problemet, me qëllim që të kem mundësi të shpjegoj vetëm disa nga bëmat e një rektori të papërgjegjshëm dhe të paaftë. Nuk nxitohem kur bëj një përcaktim të tillë. Pse?
Në vitin 1995, me Urdhrin nr 10, datë 1/6/1995, Biblioteka Shkencore Universitare kaloi në pronësi të Universitetit Politeknik të Tiranës (BSHUPT). Deri në vitin 2005, tre të kartërtat e godinës ishin pjesë e BSHUPT. Një marrëveshje mes ish-rektorit të UPT, Përparim Hoxha dhe ish-rektorit të Universitetit të Tiranës (UT), Shezai Rokaj i siguron katin e dytë të BSHUPT Rektoratit të UT. Nuk gjendet askund, asnjë gjë e shkruar për këtë tjetërsim prone, as marrëveshja si e tillë. (Do të kem mundësi të flas edhe për këtë më vonë.)

Të dy rektorët e mësipërm kanë qenë në detyrë, kur në hapësirën mes BSHUPT dhe Muzeumit Arkeologjik (tani Instituti Albanalogjik) u ndërtuan “Kolonat”, një fast-food, që ka një histori të çuditshme pagesash për kontrata qeradhënie që nuk është e lehtë t’i gjesh. Në vitin 2007, në muajin korrik, kur z. Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, një SMS e ka detyruar të dërgojë Inspektoratin Urbanistik Vendor të bllokojë punimet brenda BSHUPT, ku po ngrihej natën (nuk punohej në asnjë orë të ditës, por vetëm pas orës 19.00) një bar-kafe, e ngjashme me atë të bërë në krahun tjetër, pra tek Instituti Albanologjik. Kërkesa për këtë Bar-Kafe ishte nënshkruar nga Prof. Përparim Hoxha, mbante nr 408/1 prot dhe datën 04/06/2007 dhe i dërgohej Arben Palit, drejtor i BSHUPT. Kryetari i Bashkisë, Rama, ishte i ndjeshëm ndaj kësaj kusarie dhe e bllokoi menjëherë. Mbrapa saj ishte një deputet dhe eksponent i PD, gjithashtu edhe ministër. Por “ruspa” e Bashkisë e bllokoi ndërtimin, ndërsa për “kthimin në identitet” të punimeve ilegale të ish-ministrit të PD, pagesa u firmos nga paratë publike të UPT, firmosur tashmë nga “akademik” Jorgaq Kaçani.

Ky është dëmi më i vogël i shkaktuar nga papërgjeshmëria e një drejtuesi të institucionit publik. Ndërtimi i fast-food “Kolonat”, solli shkatërimin e plotë të fondit të librit të bibliotekës. Bllokimi i dritareve të ajrimit dhe ventilimit e nxori jashtë përdorimit katin e poshtëm të bibliotekës, 2.5 herë më e madhe se sipërfaqja e katit të parë! As rektori Përparim Hoxha, as drejtorët e biblotekës nga viti 2005 deri në 2008 nuk e shpëtuan dot kalbjen dhe mykjen e mijëra librave në këtë fond. Në 3 Mars 2008 Drejtoria e Shëndetit Publik merr një kërkesë të drejtorisë së BSHUPT, për të inspektuar mjedisin, sepse në të punonin një numër i konsiderueshëm punonjësish, shëndeti i t ë cilëve rrezikohej seriozisht.

Nuk vonon që Ministri i Shëndetësisë i kohës të reagojë. Ai ngarkon Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror të verifikojnë shqetësimin e drejtorisë së BSHUPT. Në procesverbalin me nr 43, dt 10/09/2008, të firmosur nga Dr. Vili Sinjari dhe I. Prifti, mbështetur në ligjin nr 7643, dt. 02.12.1992 “Për Inspektoratin Sanitar Shtetëror” (nenet 14, 17) dhe ligjeve nr. 9636, dt. 06.11.2006 dhe nr. 9518, dt. 18/04/2006, u vendos: “Ky ambient është i papërshtatshëm, ndikon në shëndetin e punonjësve dhe përbën rrezik për ta” si dhe u rekomandua: “Të hiqet i gjithë fondi i librit i mykur, të riparohet i gjithë ambjenti, të hapen dritaret, të vendoset sistemi i ajrimit, të rregullohen kanalizimet”.

Ky dokument i Ministrisë së Shëndetësisë, iu dërgua “akademik” Kaçanit me shkresën nr. 105 prot, datë 19.09.2008, shkresë në të cilën i shpjegohen rekomandimet e MSH dhe -citoj- i: “kërkohet ndërhyrje e shpejtë për të shpëtuar çfarë mundemi nga fondi i rëndësishëm i librit”  si dhe i propozohet- citoj- “ngritja e një komisioni të përbashkët të bibliotekës dhe administratës së UPT për të parë konkretisht gjendjen dhe për të përcaktuar disa masa për përmirësimin e gjendjes si dhe për të përgatitur një projekt për një ndërhyrje rehabilituese të shpejtë”.

“Akademik” Kaçanit, as që ia ndjente për këtë!
Në datën 06/02/2009 me shkresën nr 31 prot, “akademik” Kaçanit i dërgohet “Informacion mbi gjendjen e rënduar të mjediseve të fondit të librit”, ku i shpjegohet se “sipërfaqja 2,5 herë më e madhe se sa hapësira aktuale e BSHUPT, (që shtrihet në kufijtë: Lindje-Sheshi Italia, Perëndim- Sheshi “Nënë Tereza”, Veri- Muzeu Arkeologjik (fondi shtrihet gjatë gjithë hapësirës mbi të cilën ngrihet fast-food “Kolonat”, Jug-Rruga e Sheratonit), ndodhet në një gjendje të rënduar”. “Akademikut” nuk ia ndjen akoma! Sinjalizohet përsëri se “është dëmtuar çatia, si rezultat i punimeve të kryera nga subjekti “Kolonat”, duke sjellë sipërfaqe të suvasë të rrëzuara dhe futje të lagështirës nga ujrat e bardha dhe të zeza të lokalit”.

Vihet në dijeni nga drejtuesi i institucionit se “në pjesën e dritareve të ajrimit është bërë bllokimi i tyre me material të ngurta, që kanë sjellë jo vetëm mungesën e ventilimit natyral, por janë bërë shkas edhe për depërtimin e ujrave të shiut”. I thuhet se “në veriperëndim të godinës, hedhja e mbeturinave të ngurta ka kufizuar mundësinë e ventilimit dhe ka rritur sasinë e lagështirës”. “Akademikut” nuk ia ndjen edhe njëherë tjetër.

Pak vite më vonë, kur mjediset e katit përdhes u shkatërruan plotësisht, ka pasur një tentativë për të ndërtuar një parkim të nëndheshëm në sheshin “Italia”, i bllokuar jo thjesht sepse askush nuk investoi, (edhe pse vendimi u zbardh “sa hap e mbyll sytë”), por sepse inxhinierët projektues mësuan se kati përdhes i BSHUPT kishte një udhë nëntokësore, të projektuar nga italianët (Projekti mban shënimin Vizatimi nr. 17, Romë, 09/12/1939- Arkivi Bosio- i azhornuar në Tiranë më 26/04/1940), e cila do të përdorej për të lidhur sheshin e sotëm “Nënë Tereza” me dhomat e larjes së futbollistëve në Stadiumin “Qemal Stafa”. (Nuk mund ta konfirmoj dot këtë, sepse ka qenë e pamundur të hysh në nënkatin e BSHUPT!)
Kështu ndodh, deri në ditën kur ministrja Lindita Nikolla, pas letrave të pafundme në adresë të saj,  nxjerr Urdhrin nr. 106, dt. 28.03.2014 dhe ia dërgon ‘akademikut” me nr. 2176 prot.,  ku i kërkon t’i përgjigjet në mënyrë shkresore,  sidomos pikave 1, 3, 8, 15, 18, 26, 32 dhe 35!
A ka lidhje kjo me lënien në mëshirë të fatit të katit përdhes të BSHUPT? A kanë gisht dy rektorët e fundit në ndonjë aferë korruptive? Kjo është një çështje e prokurorisë, tashmë dhe jo e artikullshkruesit!
 
Kontrolli i Lartë i Shtetit: Asgjë e re nga fronti i ….Bujar Leskajt!
Leskaj thuhet që ka njohje të vjetër me “akademik” Kaçanin! Punë e tyre! Njohja është një gjë, puna e shtetit është një gjë tjetër. Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka gjetur “asgjë” në shkelje të ligjit dhe akteve nënligjore në Universitetin Politeknik. Raporti i kontrollit nuk është bërë publik, por disa pyetje duhen shtruar edhe për kryekontrollorin:
1. A ka informacion vlonjati Leskaj për dëmin që ka shkaktuar vlonjati Kaçani në katin përdhes të BSHUPT? (kujtojmë se janë mbi 45 mijë tituj librash që i mungojnë inventarit të kësaj biblioteke- kontrolli i KLSH është bërë këtë pranverë!);
2. A ka informacion z. Leskaj se, duke shkelur në mënyrë të përsëritur (prej vitit 2011) vendimet e Këshillit të Administrimit të UPT, z. Kaçani ka emëruar punonjës e ka ndarë tituj si ofiqe personale apo ndere, në kundërshtim me vendimet e Këshillit Administrativ, duke dëmtuar financiarisht arkën e shtetit dhe të institucionit (çdo titull i dhënë ka koston 10 mijë lekë/muaj më shumë në pagë!)

3. A ka identifikuar Leskaj ndonjë shkresë si psh. atë të drejtores së burimeve njerëzore, e cila paguhet sikur ka mbaruar doktoraturën, ndërsa doktoraturën nuk e ka mbaruar akoma. Ose më drejtpërdrejt; a e kanë parë inspektorët e Leskajt se vetëm dekania e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit (FTI) nuk e ka respektuar një urdhër kaçanian për të paguar të gjithë kandidatdoktorantët me pagën e atij që mbaron doktoraturën?! Mbase edhe këtu ka vend për të parë përdorimin e parave publike që vijnë nga taksapaguesit shqiptarë apo nga kuotat e studentëve!
4. A ka dijeni KLSH dhe madje edhe ministrija Nikolla se, gruaja e vlonjatit Kaçani punon në Institutin e Gjeoshkencave, që varet nga “akademiku” Kaçani, se Neritan Shkodrani, shef katedre në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, ka gruan drejtore të BSHUPT dhe vëllanë, Migen Shkodrani, drejtor të prokurimeve, institucione që varen drejpërdrejt nga “akademik” Kaçani?

5. A ka dijeni KLSH dhe znj. Nikolla që, Përparim Deçolli, profesor i FIM dhe i ngarkuar për Qendrën e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë së Rektoratit, ka vajzën specialiste të statistikave në UPT, kur ajo thjesht ka mbaruar për psikologji!?
6. A i ka gjetur z.Leskaj dhe inspektorët e tij “letrat” e punonjëses N.Suparaku, sekretare e Dekanes së FIE, që punon në të njëjtin dekanat me burrin e vet?!
7. A e di z. Leskaj dhe inspektorët e tij se kancelarja e inxhinierisë së Gjeologji-Minierave është transferuar nga kancelare e këtij fakulteti, në postin e kancelares së Inxhinierisë së Ndërtimit me arsyen kaçaniane “se i biri i kancelares duhet të ishte pedagog te fakulteti i Gjeologji-Minierave”?!
 
 Skandali më i madh i ndodhur ndonjëherë: Shtesa e UPT!
Shumë njerëz e kujtojnë se si Artanët, Lame dhe Shkreli, pak para zgjedhjeve të qershorit, dolën në media, pikërisht prapa kurrizit të Korpusit Qendror të UPT, duke kundërshtuar projektin për shtesën e UPT në dëm të Parkut Kombëtar të Tiranës. Por shqetësimi i tyre nuk shkoi dot “në vesh të “Allahut”! “Allahu” ishte afër me “akademikun” dhe nuk dëgjonte. U mor vendimi për shtesën e UPT, u përzgjodh kompania dhe filloi punimet. Kjo ishte dhe është e vetmja kompani që fiton tendera në UPT.

Por…telashet nuk kanë të sosur për “akademikun”! Kompania nuk kishte përvojën e duhur në punime të tilla. Gjatë procesit u punua pa një projekt të qartë, nga gërmimet u lëviz nga vendi një nga faqet anësore të godinës ekzistuese, duke e dëmtuar seriozisht konstruksionin ekzistues. Kush foli për këtë u “kërcënua” deri edhe me vendin e punës. Kush nuk foli dhe firmosi, u bë… ”zëvendësrektor”! Sot, në katin e parë të Korpusit Qendror mund t’i gjesh ende “zgavrat” e gabimit fatal të kompanisë. Por gabimi më fatal është urdhri i “akademikut” për të ngritur një grup pune që të firmoste se nuk ka “asgjë” për t’u shqetësuar! Në këtë grup bënin pjesë vartësit e Kaçanit, por edhe drejtuesi i punimve, inxh. A. Sevrani! Si ka mundësi, edhe të drejtosh punimet, të bësh “zarar” dhe të firmosësh se “nuk ke bërë zarar?”. Edhe këtu mbase më shumë gjëra i duhen bërë të njohura prokurorisë sesa media-s! Por sidomos z. Bujar Leskaj!

Ministrja Lindita Nikolla e ka tashmë një dosje të plotë të të gjithë asaj që ka ndodhur dhe është përgjegjësi e saj nëse nuk vë para përgjegjësisë autorët.  Ajo do të ndodhet, afër apo vonë në kohë, përballë ndonjë katastrofe kur t’i gjejë studentët nën inerte, sepse  riparimi i bërë “natën” nuk do të mund ta shpëtojë godinën ekzistuese nga gafa e “meremetimit” të zgavrës së hapur nga gabimi inxhinierik dhe mungesa fatale e përvojës!
 
Akademiku Kaçani dhe mjerimi i Akademisë Shqiptare!
Jorgaq Kaçani është akademik, titullin e tij e ka firmosur Gudar Beqiraj. Gudari ka qenë dekan i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, që varej nga rektori Kaçani. Pesë burra në Akademinë e Shkencave kanë pranuar në gjirin e tyre akademikun e ri. 12 burra të tjerë që kanë fotot në korridorin ku Kaçani kalon çdo mëngjes nuk duhet të jenë të mërzitur me këtë. Disa prej tyre nuk jetojnë, të tjerë janë gjallë, por kur i pyet se përse nuk mundën të bëhen “akademikë” si Kaçani, nuk përgjigjen, të shikojnë në sy dhe qeshin hidhërueshëm. Kaçani, në fakt ka qenë student i tyre, sikundër edhe unë që po shkruaj këto rreshta.

Por ka se ku mund të marrësh informacion për “akademizmin” e Kaçanit! Në “WEB of Science”, nëse je i abonuar, sapo të klikosh “Albania scientific articles” gjen se sa artikuj kanë botuar profesorët e Shqipërisë të të gjithë universiteteve dhe fakulteteve. Gjen edhe “akademikun” Kaçani: ka vetëm dy artikuj gjithsej dhe të dyja me bashkëautorë (?!) dhe të dyja që nuk kanë asnjë lidhje me shkollimin e tij bazë. Të dy artikujt janë me të njëjtën bashkëautore, M.A, që është pedadoge e Departamentit të Energjisë në UPT!  Ose në “Scopus” gjen një referim në konferencën e 2012 me "Mathematical modelling and simulation in engineering education", që përsëri është me bashkëautorë: Orion Zavalani dhe Jorgaç Kaçani.

Në botimin nr. 30, viti 2011 të Akademisë së Shkencave të RSH ka një botim interesant, përsëri me bashkëautorë të “akademik” Kaçanit, me titull “Situation and perspective of the textile and garment sector”, shkruar nga Ermira Shehi, Luela Prifti, Akli Fundo. Në botimin 2001 (2) vëllimi 31, “akademik” Kaçani shkruan përsëri me bashkëautor Msc. Klodian Gumeni (KESH sha) një research papers me titull “Geotechnical study and anchore plem design”, ndërsa në Buletinin Shkencor të UPT (për fat të keq nuk përfshihet në botimet cilësore, sepse është vetëm në gjuhën shqipe), “akademiku” Kaçani ka botuar “Studimi analitik dhe numerik me MEF i sforcimeve termike ne nje model fibër matricë të një kompoziti metalik”, me bashkëautorë Dr. Odhise Koça, (UPT) Msc. Klodian Gumeni (KESH sha) dhe “akademik” J. Kaçani.

Sqaroj se në këtë kohë Kaçani ka qenë anëtar i Këshillit Mbikqyrës të KESH sha! Ata që janë familjarë me studime të tilla e kuptojnë mirë “lidhjen që kanë” këto punime me titullin “akademik” dhe madje mund të venë re se bashkëautorësi të tilla janë dukshëm jashtë kompetencës profesionale të autorëve. Kjo shton kaosin dhe mashtrimin “shkencor’ në Shqipëri, do të më thoshte pak ditë më parë një “vartës” i Kaçanit, që shtonte se “të vjen çudi dhe keq njëherësh që emrin e ndonjë doktori shkencash të kualifikuar me vite jashtë (si psh. në studimet e sforcimeve në materialet kompozite dhe që dikur mund ta ketë botuar krahas emrave të personaliteteve botërore të fushës së tij), e sheh këtu në ndonjë artikull, të bashkëngjitur me emrin e ndonjë “shefi” me drejtim krejt tjetër nga fusha ku del si bashkëautor. Po kështu për ndonjë problem studimi gjeologjie apo tekstili “bashkëautor” mund të hasje përsëri ndonjë teknolog mekanik”,- përfundon komunikimin “vartësi” i akademik Kaçanit.

Kemi edhe të tjera fakte interesante: Nuk kuptohet për shembull, se si një “akademik” me shkollim inxhinieri mekanike të “drejtojë” projekte (me financim te BE-së) si ai “Sustainable development of the sea-corridors and coastal waters” (prill 2014) ku “akademik” Kaçani është anëtar i Scientific Committee dhe Local Organizing Committee (!).
 
Ca gjëra të tjera për administrimin e UPT
Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, z. Aurel Plasari, në datën 12 Mars 2014 i është paraqitur dorëheqja e parevokueshme e znj. A. B, me detyrë përgjegjëse e një prej sektorëve pranë këtij institucioni. Drejtori Plasari, pavarësisht mosrespektimit të afatit ligjor për dorëheqjen e menjëhershme (Neni 155 - Zgjidhja e menjëhershme e pajustifikuar e kontratës së punës nga punëdhënësi (Ndryshuar me ligjin nr. 9125, datë 29.07.2003) e ka pranuar këtë dorëheqje dhe ka pranuar edhe kandidaturat e paraqitura për vendin vakant.

Nga ana tjetër, një komision i mbledhur nga “akademik” Jorgaq Kaçani, në datën 10 Mars 2014 në Universitetin Politeknik të Tiranës ka marrë në shqyrtim dosjet e kandidatëve për vendet e lira të punës në Bibliotekën Shkencore të Universitetit Politeknik të Tiranës. Në këtë komision është paraqitur edhe dosja e punonjëses A. B, momentalisht e punësuar në Bibliotekën Kombëtare , që konkuronte për vendin bosh të Kaçanit, duke qenë e punësuar dhe e paguar ndërkohë nga Plasari (?!). Në shkresën nr. 30, datë 12.03.2014 të firmosur nga Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani shkruhet: “Vendim i Rektoratit të UPT/- Në bazë të komisionit të ngritur me nr. 10, datë 10.03.2014 për shqyrtimin e dosjeve të kandidatëve për vendet e lira në Bibliotekën Shkencore të Universitetit Politeknik të Tiranës, zonja A. B, emërohet drejtore e BSHUPT”. Ky është një tjetër vendim në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, sepse një e punësuar me kontratë të pambyllur nuk mund të emërohet dhe të nënshkruajë një kontratë të re. Po kjo është një çështje që tashmë i takon Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të z. Kaçani.

Historia më pas është qesharake dhe e denjë për t’u kapur nga inspektorët e Leskajt: Në datën 12 Prill 2014, znj. A. B, jep dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e Drejtores së Bibliotekës Shkencore të Universitetit Politeknik të Tiranës, pa shkaqe të justifikueshme, duke shkelur përsëri procedurën ligjore të parashtruar në Kodin e Punës së RSH. Ajo bën dorëzimet në datën 15 Prill 2014. Drejtori Plasari e ripunëson znj. A. B, po në datën 15 Prill 2014 (?!)
Përvoja ime e gjatë e punës në media, nuk më ka sjellë asnjëherë parasysh një rast të tillë kaq flagrant të shkeljes së ligjit, një bajraktarizëm të tillë me vendin publik të punës, që e paguajnë taksapaguesit shqiptarë dhe jo z. Plasari dhe “akademik” Kaçani.

Kjo është me pak fjalë historia e pambyllur e akademikut pa një shkrim akademik, Jorgaq Kaçani. Atij nuk i ka hyrë “gjemb” në këmbë nga sa thashë. Ky shtet, nëse kërkon të bëhet shtet duhet t’i japë Çezarit, atë që i takon Çezarit.
 
Bardhi Sejdarasi
Sekretar i Përgjithshëm
Lidhja e Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë

Shkrimi u publikua sot, 6 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 
 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë