Një i moshuar nga Saranda është infektuar me covid-19. Burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një 80-vjeçar, i cili është infektuar gjatë kohës që qëndronte në QSUT në Tiranë pasi pësoi hemorragji cerebrale.  Rasti pritet të konfirmohet gjatë ditës së nesërme nga ministria e Shëndetësisë.

Mësohet se një natë më parë i është marrë tamponi dhe momentalisht i moshuari po merr mjekim në spitalin e Sarandës, ku gjendja e tij shëndetësore është e rënduar. Ende nuk ka përgjigje të analizave për kontaktet e rastit të rezultuar pozitiv në mëngjes. Nga ana tjetër, 18 tamponët e marrë dje në Delvinë kanë rezultuar të gjithë negativë.

Sakaq në 24 orët e fundit në vendin tonë kanë humbur jetën dy pacientë me COVID-19. Vdekjen e një 76-vjeçaria, ministria e konsideroi të papritur, pasi i moshuari kishte pasur përmirësime pas 15 ditësh trajtim, ndërsa viktima tjetër, 54-vjeçari ishte në gjendje më të rëndë, e për pasojë ndërroi jetë në Urgjencën e Spitalit. Në total personat të cilët nuk e kanë fituar betejën me COVID janë 51.

Ndërkohë, situata paraqitet serioze në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 87 pacientë, 15 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar, teksa ka pasur një rritje të numrit të të shëruarve.