Një prej organizatorëve të protestave në Tiranë, Ilir Xhemalaj, ka folur në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në protestë, ku një grua u lag me lëng frutash dhe u përzu nga sheshi, si dhe për ecurinë e tubimeve.

Teksa tha se protesta ka qenë e qëndrueshme dhe me pjesëmarrje të madhe, Xhemalaj shtoi se incidenti i djeshëm ndodhi pas një provokimi nga zonja që u përzu nga sheshi.

Xhemalaj tha se ishin vetë pjesëmarrësit në protestë që e larguan nga sheshi gruan në fjalë dhe jo organizatorët.

Ai shtoi se nuk do të pranojnë në protestë askënd që provokon të pranishmit apo nxit dhunë.

“Forca jonë është qëndrueshmëria. Po të shikosh protestën ditën e sotme, është nga më të mëdhatë që kanë ngritur çdo forcë politike. Po të marrim të shtunën e kaluar, njerëzit fillonin që nga Sheshi Nënë Tereza e deri te Sheshi Skënderbej. Por e them sërish, fitore e kësaj proteste është qëndrueshmëria dhe që është protestë paqësore.

Në turmë ka edhe njerëz të ndryshëm që duan ta drejtojnë, adresojnë apo shuajnë protestën. Zonja që ishte dje, kishte qenë edhe më parë, para Kuvendit. Një pjesë e jona ishte hasur me të edhe para Parlamentit. Edhe le të themi se kishte një lloj provokimi nga ana e saj. Normalisht ne ishim në pjesën e brendshme atje, nuk është se e dëgjuam. Por vetë pjesëtarët e protestës e larguan atë, nuk ishin organizatorët. Ne nuk pranojmë provokatorë të ndryshëm aty që të shkaktojnë tensione apo dhunë”, tha mes të tjerash Xhemalaj.

Kujtojmë se dyshimet lindën pasi gruaja u pa teksa filmonte si shumë të tjerë të pranishëm. Një grup djemsh e ndoqën këmba-këmbës në bulevard, duke e ofenduar, teksa zonja përpiqej t'i shpëtonte keqkuptimit. Teksa u sqaronte dhjetëra djemve dhe burrave agresivë, se është thjeshtë një gazetare dhe edukatore shqiptare që punon në Greqi, një person i afrohet dhe i zbraz shishen me lëng frutash mbi kokë.

Më tej Xhemalaj foli edhe për sulmin me vezë dhe kërcënimet ndaj deputetëve dhe punonjësve të policisë, të kryera nga protestuesit.

Sipas Xhemalaj, ishte ardhja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që vendosi nën presion protestuesit.

Më tej Xhemalaj e cilësoi sulmin me vezë ndaj deputetëve si një metodë normale e të protestuarit në Perëndim.

“Ne dje ishim përpara Parlamentit. Ishin një pjesë njerëzish që protestonin duke gjuajtur me vezë. Dhe situata ishte e qetë, as nuk po gjuhej me vezë në atë kohë, deri në momentin që kanë mbërritur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Kur kanë mbërritur FNSH, edhe protestuesit janë ndier të kërcënuar në njëfarë mënyre. Gjithsesi protesta ka vijuar e qetë. Janë hedhur vezë, por më duket një mënyrë demokratike të protestuarit me vezë dhe miell”, shtoi Xhemalaj.

Në përfundim Xhemalaj ‘dha garanci’ se në protesta nuk ka linçime apo kërcënime ndaj personave të caktuar.

Më tej Xhemalaj theksoi se ‘pika që derdhi gotën’ dhe çoi në nisjen e protestave, ishte dhunimi dhe tërheqja zvarrë e qytetarit në Zvërnec, nga forca të sigurisë private, në sy të punonjësve të Policisë, të cilët nuk reaguan.

Sipas organizatorit Xhemalaj, protestuesit dalin në shesh për hallet e përditshme që i mundojnë dhe për keqqeverisjen sipas tij të vendit.

Për Xhemalajn, protestat janë kundër sistemit politik ’80-vjeçar’, teksa shtoi se tubimet i bëjnë mirë edhe PS e PD, të cilat sipas tij kanë nevojë për një riorganizim të thellë.

“Pika që derdhi vazon ishte ai grusht që hëngri ai djalë atje dhe që u mor zvarrë para Policisë së Shtetit dhe që nuk pati asnjë reagim nga Policia. Pastaj për Rrjollin, për Zvërnecin, ne kishim muaj që protestonim, por nuk ishim në këtë gjendje. Por njerëzit aty dalin për ekonominë, për shëndetësinë, për pensionet, sepse u ka vajtur thika në kockë. Aty ke shumë socialistë që dalin. Unë kam shumë miq socialistë, që janë edhe me funksione të larta si drejtora dhe më thonë ‘sot nuk ka PS, por parti oligarkësh’. Prandaj unë po them që kjo protestë është në të mirë edhe të PD edhe të PS, të bëjnë një reformë sa më të thellë brenda tyre. Aty nuk po krijohet parti politike. Aty kërkohet ndryshimi i sistemit 80-vjeçar. Linçimi te ne nuk ekziston. Aty ka pasur thirrje edhe për gazetarët, por gazetarët janë njerëz të ndershëm, nuk kemi probleme me gazetarët”, përfundoi Xhemalaj.