Nga Konferenca Ndër-parlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë” në Tiranë, Ferit Hoxha tha se për Shqipërinë, Evropa është një kthim në shtëpinë ku përket.

Ministri i Jashtëm theksoi se parimi i meritës mbetet thelbësor për besueshmërinë e procesit të zgjerimit, ndërkohë që Shqipëria nuk kërkon rrugë të shkurtra, por njohje dhe shpërblim të përparimit të arritur.

“Ne nuk kërkojmë favore, as rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita; një proces në të cilin rezultatet sjellin përparim dhe përparimi të mund të njihet. Parimi i meritës është thelbësor për besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe duhet të mbetet në thelb të tij. Por besueshmëria duhet të funksionojë në të dyja drejtimet. Vendet kandidate duhet të realizojnë reformat, zbatimin e tyre dhe rezultate të prekshme. Bashkimi Evropian duhet ta njohë gjithashtu dhe t’i përgjigjet përparimit kur ai arrihet me sukses”, deklaroi Hoxha.

Për Shqipërinë, përparimi në rrugën drejt BE ka qenë i konsiderueshëm dhe pas reformave, fokusi mbetet te zbatimi.

“Në më pak se dy vjet kemi hapur të gjithë kapitujt, kemi përmbushur standardet dhe kemi nisur fazën e fundit, atë të mbylljes së kapitujve. Anëtarësimi nuk ka të bëjë thjesht me arritjen e një date në kalendar. Ka të bëjë me arritjen e nivelit të përgatitjes që i mundëson një vendi të kontribuojë plotësisht në projektin evropian, që nga dita e parë. Kjo është arsyeja pse fokusi i Shqipërisë tani është qartësisht te zbatimi. Angazhimi ynë është i palëkundur. Reformat tona vazhdojnë. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Dhe e ardhmja e një Bashkimi Evropian më të fortë, më të sigurt dhe më të plotë përfshin pa diskutim Shqipërinë”, nënvizoi ministri.


Lajmi kryesor:

Integrimi, Rama: E dashurojmë Evropën, por mos na lini në baltë! Do të ishte dështim madhor! Ambasadorja e BE: 2030 ambicie impenjative, vijoni punën!