Pavarësisht se Shqipëria ende nuk e ka kaluar fazën e ndërmjetme IBAR, konsideruar si testi kryesor i progresit në funksionimin e shtetit ligjor dhe luftën e korrupsionit në nivele të larta, pa të cilin Shqipëria nuk mund të mbyllë grup-kapitujt, ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato krah kryeministrit Edi Rama mohoi që të ketë bllokim negociatash. Akuzat e artikulara shpesh nga opozita, shefi i delegacionit të BE i konsideroi si spekulime për atë që po ndodh në Bruksel. Ai sqaroi se raporti që i është dorëzuar Këshillit të BE-së nga Komisioni, për Vlerësimin e pikave të ndërmjetme (IBAR), ka qenë pozitiv për Shqipërinë.

Ambasadori i BE theksoi se procesi i negociatave po vijon normalisht dhe se diskutimet mes vendeve anëtare janë pjesë e zakonshme e procedurave të unionit. Gonzato shtoi se tashmë përgjegjësia kalon tek shtetet anëtare, të cilat duhet të dakordësojnë pozicionin e përbashkët në mënyrë që Shqipëria të kalojë në fazën tjetër, atë të mbylljes së negociatave.

“Kam dëgjuar spekulime për atë që po ndodh në Bruksel. Së pari, grupi i punës COELA, është grup pune që bën bashkë përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE, mblidhen me dyer të mbyllura në praninë e KE për të diskutuar. KE i ka dorëzuar këtij grupi pune raportin e IBAR, për të parë nëse Shqipëria i ka përmbushur piketat e ndërmjetme që të kalojë në fazën tjetër që është mbyllja e kapitujve, raporti ka bërë vlerësim pozitiv. Janë shtetet anëtarë që do të diskutojnë, nuk hidhet në votë, ato vetëm e diskutojnë. Ajo që duhet të bëjnë nën udhëheqjen e Këshillit është të miratojnë një qëndrim të përbashkët të BE që do të shpjegojë piketat përmbyllëse që duhet të plotësojë Shqipëria për mbylljen e negociatave. Kapitulli i themeloreve është i pari që hapet dhe që mbyllet. Është diskutim i rëndësishëm që kërkon diskutime nga të gjitha shtet anëtare. Po diskutohen të gjitha këto çështje”, tha Gonzato.

Edhe kryeministri Rama mbajti të njëjtin qëndrim, duke theksuar se KE i konsideron të përmbushura detyrat e Shqipërisë dhe në këtë pikë tashmë është vetë komisioni që diskuton me shtetet anëtare të BE. Akuzave të opozitës për bllokim të procesit të integrimit, shefi i qeverisë iu përgjigj se “të thuash që u bllokua, është të shesësh ajër”.

“Sot në Bruksel nuk negocion Shqipëria me BE, por diskuton KE me shtetet anëtare. Shqipëria negocion me Komisionin, jo me shtetet. Komisioni përfaqëson shtetet në negociatat me Shqipërinë dhe pastaj fazë pas faze kur komisioni i konsideron të kryera, shkon tek shtete për të paraqitur raportin e vet. KE i konsideron të përmbushura detyrat e Shqipërisë për këtë fazë dhe piketat e ndërmjetme dhe tani është komisioni që po diskuton me shtete anëtare. Të thuash që u bllokua, është të shesësh ajër. Kush beson se ajri blihet, e blen, por ky proces ka një nevojë që veçantë për ju, njerëzit që jeni mes këtij procesi dhe opinionin publik për ta kuptuar si funksionin dhe për ta transmetuar tek opinioni publik”, theksoi kryeministri Rama.

Komentet Rama dhe Gonzato i bënë në një aktivitet për çeljen e Javës së Europës.

Lajmi në përditësim.....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:22
Reforma zgjedhore/ Rama: Opozita me ultimatume nuk ia del me mua! Gonzato: Po i ndjekim nga afër, të plotësohen rekomandimet e OSBE-ODHIR

 

Kryeministri Edi Rama tha për reformën administrative- territoriale dhe atë zgjedhore se procesi po vijon në mënyrë gjithëpërfshirëse, ndërsa duke iu referuar qëndrimeve të opozitës, ai tha se me ultimatume, nuk funksionon. Përsa i përket vitit 2027 si objektiv për mbylljen e grupkapitujve dhe viti 2030 si ai i finalizimit të anëtarësimit në BE, Rama tha se këto janë objektiva të caktuara bashkërisht me BE.

Rama: Përsa i përket reformës zgjedhore, duhet të kontaktoni me drejtuesin e këtij procesi me Damian Gjiknurin, mund t’iu japë një panoramë të plotë të qasjes tonë lidhur e këtë reformë, unë personalisht e kam thënë dhe e përsëris, ne jemi të hapur të dëgjojmë me durim këto që ulet në tryezë për të folur dhe për të dëgjuar. Imponime dhe ultimatume dhe qëndrime të paracaktuara besoj që është mjaftueshëm kohë e gjatë për të kuptuar që me mua nuk funksionojnë. Jemi të interesuar për të ulur numrin e deputetëve të parlamentit dhe uroj që të ketë konsensus në këtë drejtim. Nga këtu çdo diskutim tjetër është i hapur. Reforma administrative, procesi është zhvilluar në mënyrë gjithëpërfshirëse, janë bërë dëgjesa, diskutime.

Përsa i përket 2027, është një objektiv i vendosur bashkërisht, por është lënë dhe një hapësirë gjoja që mund të jetë një zgjatje deri nga mesi i 2028. Jemi pak a shumë në të njëjtën gjatësi vale. Dhe për këtë arsye 2030 është vendosur si objektiv.

Ndërkohë Gonzato u shpreh se procesi i përmbushjes së reformave administrativo-territoriale dhe asaj zgjedhore, po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian. Sa i përket objektivave për vitin 2027 dhe atij 2030, Gonzato tha se kjo strategji, i mban palët e fokusuara në proces.

Gonzato: Reforma zgjedhore, një nga kërkesat që kemi cilësuar është që Shqipëria është të plotësojë rekomandimet në vijimësi nga OSBE. Është pjesë e standardeve demokratike. Pluralizmi demokratik është i rëndësishëm. Dhe reforma territoriale-administrative, Shqipëria duhet të ketë një administratë vendore që të përfitojë nga anëtarësimi i saj në BE. Të gjitha programet që ka BE kanë të bëjnë me qeverisjen vendore dhe rajonale. Ndërsa i përket objektivit të 2027, unë gjithmonë  kam thënë që është e rëndësishme që të ketë një objektiv të qartë se i mban palët të përqendruara. Dhe kjo ka treguar vlerën e saj se ka pasur një përkushtim të plotë të KE dhe shteteve anëtare për ta ndjekur këtë proces.

Ora 11:45
Rama: Integrimi në BE, vendi ku e kanë ëndërruar Shqipërinë rilindasit tanë! Jemi pikë referimi për sundimin e ligjit në rajon

 

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij foli për rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian teksa e vuri theksin te reforma në drejtësi dhe shteti i të drejtës.

“Dje ne patëm një ngjarje të shënuar, e cila do të ishte e paimagjinueshme pak vite më parë, preludin e Kongresit Botëror të Ligjit që do të mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri. Një platformë që buron nga një histori jashtëzakonisht e bukur dhe kuptimplotë e krijuar nga njerëzit e ligjit, të cilët janë bërë bashkë dhe i japin përmes kësaj platforme zë nevojës për sundimin e ligjit. Kongresi Botëror i Ligjit vjen këtu dhe Shqipëria është bërë një pikë referimi në bazë të shprehjes së një vullneti të hekurt për t’u vetëvendosur nën sundimin e ligjit, duke bërë një reformë në drejtësi që nuk ka të dytë në rajon.

Është shprehja më kuptimplotë e angazhimit për ta bërë Shqipërinë një vend ku BE të bëhet pjesë e pandarë. Do të ishte absolutisht e pamundur që ne ta ndërmerrnim, e jo më pastaj ta çonim përpara dhe ta zbatonim një reformë të tillë, nëse ne nuk do të kishim Evropën si ëndërr dhe si tokë të premtuar, si amanet dhe si mision të pazëvendësueshëm. E nëse s’do të kishim BE si partner të pandarë në këtë rrugë, ku dija e BE-së e transferuar drejt nesh, për mënyrën sesi një vend mund të kthehet në një arkitekturë institucionesh, është diçka që as nuk mund të blihet, as të zëvendësohet e as të imagjinohet jashtë perimetrit të Evropës.

Nëse ne sot jemi besimplotë për ecurinë e këtij procesi dhe sot Shqipëria ka arsye për të besuar në këtë proces, kjo lidhet me ecjen dorë për dorë me BE-në dhe të qenurit pjesë e tij është garanci. Shumëkush e përfytyron BE si pengesë, barrë, si një perimetër që nuk të lejon të marrësh frymë lirisht, por nuk ka gjë më larg të vërtetës dhe më të gabuar, sepse në fakt BE garanton perimetrin e shtetit të së drejtës. Shteti i së drejtës nuk mund të negociohet.

Në këtë Ditë të Evropës, unë dua të nënvizoj që shqiptarët janë në ditën e tyre më të mirë dhe janë sot në një kohë kur bekimi i të qenurit pranë Evropës është një garanci e të qenurit në një rrugë pa kthim, për t’u ankoruar përfundimisht aty ku kemi vendin dhe ku e kanë ëndërruar Shqipërinë rilindasit tanë”, tha Rama.

Ora 11:32
Rama: Europa për ne ëndërr dhe tokë e premtuar, amanet i pajetërsueshëm kombëtar

 

Në ditën e Europës, kryeministri Edi Rama theksoi arritjet e shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Krah ambasadorit të delegacionit Euripian, Silvio Gionzato, shefi i qeverisë tha se për ne, Europa mbetet një ëndërr dhe tokë e premtuar.

“Për ne Shqiptarët, Europa mbetet edhe në këtë kohë të vranët ajo që ka qenë kur nuk ishte dot e arritshme, përveç se mes atyre valëve të dobëta që ekranet ilegale sillnin nga jashtë Shqipërisë në ekranet e televizorëve. Europa për në mbetet një ëndërr dhe tokë e premtuar, amanet i pajetërsueshëm kombëtar dhe mision i pandryshueshëm politik. Jo se ne jemi navië, as se ne kemi iluzione, por se ne e dimë fort mirë, më mirë se sa kush do tjetër në këtë kontinent se çfarë do të thotë të jetosh i izoluar dhe i rrethuar me mure për tu mbrojtur nga Europa”, tha Rama.

Ora 11:28
Java e Evropës/ Ambasadori Gonzato: Shqipëria pjesë e rëndësishme e BE, të investojmë në paqe dhe stabilitet

Ambasadori i BE në Shqipëri Silvio Gonzato në aktivitetin për çeljen e Javës së Evropës, foli për misionin e Bashkimit Evropian në një kohë që stabiliteti, paqja e ekonomia janë nën kërcënim serioz.

Gonzato tha se Shqipëria, si një vend kandidate për tu anëtarësuar në BE, po investon në një të ardhme më të sigurt dhe të bashkuar.

"Evropa u ndërtua mbi një premtim lirie, barazie dhe demokracie. Sot, në një botë me konflikte në rritje dhe presione ekonomike, duhet t’i mbrojmë këto vlera si brenda kufijve ashtu edhe jashtë tyre. Sot kremtojmë jo vetëm atë që jemi, por edhe atë që bëjmë dhe angazhimin për të mbrojtur mënyrën tonë të jetesës. Tani është koha të qëndrojmë fort për ato vlera që besojmë, për të drejtën ndërkombëtare dhe për të ndërtuar stabilitet. Paqja në Evropë është në rrezik. Në një botë lufte dhe kërcënimesh, BE duhet të veprojë për të mbrojtur qytetarët e saj, demokracinë dhe vlerat. Tensionet në botë po rriten. BE po vepron për t’iu përgjigjur kësaj situate duke forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe duke rritur kapacitetin për t’iu përgjigjur këtyre rreziqeve. Shqipëria, si një shtet që aspiron të bëhet anëtar, është pjesë e rëndësishme e BE-së. Paqja nuk është falas, ajo duhet të mbrohet çdo ditë. Forca e BE-së qëndron në aftësinë e saj për të tërhequr dhe frymëzuar vende të tjera. Zgjerimi është një mjet i fuqishëm i Evropës për të promovuar demokracinë; duke mbështetur Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate, Evropa po investon në një të ardhme më të sigurt dhe më të bashkuar. Nuk mund të ketë rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit. Një pjesë e rëndësishme e punës sime këtu është që vendi të mbetet i përkushtuar në përmbushjen e standardeve të BE-së. Sfida është gjithashtu të garantohet cilësia, zbatimi dhe qëndrueshmëria. Kjo vjen si rezultat i një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. BE në Shqipëri po kremton Ditën e Evropës përmes përpjekjeve dhe arritjeve. Jam krenar që përfaqësoj BE-në dhe gjithçka që përfaqëson BE-ja”, tha ndër të tjera Gonzato.