INTERVISTA/ Arrestimet e ‘5D’ Rama për Report Tv: SPAK le t’i nxjerrë ujin e zi korrupsionit! 'Emisioni i RAI3', Kryeministri: Shqipëria u sulmua me duart e italianëve, malli nga Tirana

TIRANE- "Sulm ndaj Shqipërisë me duart e italianëve duke përdorur mallin e shqiptarëve në Tiranë." Kështu e konideron kryeministri Edi Rama emisionin investigativ "Report" publikuar të dielën e 21 prillit 2024  në televizionin italian Rai3.

Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e emisionit "Studio e Hapur' Arbër Hitaj transmetuar sot (24 prill 2024) në Report Tv, kryeministri komenton dhe telefonatën e tij ndaj drejtorit të RAI 3 pas transmetimit të emisionit nga ky ekran apo dhe reagimin e sotëm në twitter. 

E quan reagim "në funksion të së vërtetës për shumë gënjeshtra ku u sulmua Shqipëria" dhe nuk fsheh indinjatën për faktin se emisioni është "konspiracion i ngritur mbi mbledhjen e ujërave të zeza të kanaleve politike dhe mediatike të Tiranës" 

' Reagova se u sulmua Shqipëria! Përpjekja për të na ulur kokën në mënyrë skandaloze merr përgjigje.  Shqipëria u godit me duart e italianëve por me mallin e dhënë nga shqiptarët në Tiranë" thotë Rama për gazetarin Arbër Hitaj.

Beson se e gjithë kjo është shfrytëzuar edhe për interesat e politikës së brendshme në Itali.

"Është shumë e qartë që sulmi nuk do kishte ndodhur po të mos bëhej fjalë për një barrikadim politik në Itali midis të majtës dhe të djathtës në prag të zgjedhjes dhe goditja për paktin e bërë mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët është një goditje për qeverinë italiane dhe jo shqiptare. Tendenca për ta futur Shqipërinë aty si dëm kolateral dhe për të lënë të kuptohet që ja me kë kanë bërë marrëveshje, me një qeveri ku ky ka qenë avokat i trafikantëve" 

E në emisionin që e cilëson ‘produkt i nxjerrë nga magazinat e errëta të kohës së palavdishme të medias italiane kur sa herë fliste për ‘albanesi’ fliste për trafikantë, hajdutë, e Shqipërinë si atdheu i të gjithë të këqijave' viktimë kryesore sheh sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, bashkëpunëtorin e tij, Engjell Agaçi. 

"Gënjeshtër e pafalshme, kanë pasur në dorë përgjigjet e dhëna, nuk i kanë publikuar dhe kanë thënë nuk i janë përgjigjur. Nuk e di që avokatët në sistemin e të drejtës mbrojnë shenjtorët" thotë Rama. 

Ngriti zërin dhe reagoi sepse u hodh baltë mbi Shqipërinë edhe pse gjatë investigimit përmendet dhe vëllai i tij, Olsi Rama për të cilin i takon SPAK të thotë të vërtetën. 

Unë nuk reagoj për çështje personale. Unë nuk kam reaguar për çështjen e tim vëllai as këtu në Shqipëri. Im vëlla është 55 vjeç. Ka të gjithë kapacitetin e tij dhe detyrimin të përballet si gjithë të tjerët. Kështu që ajo është një çështje që i takon këtu tani drejtësisë. I takon SPAK, Gjykatës Speciale"  shpjegon kryeministri.

Me drejtësinë e re është i qartë. SPAK duhet të godasë kudo ku ka prova, tha kryeministri Edi Rama më tej në intervistën për “Studio Live” në Report Tv kur u pyet për arrestimet e drejtorëve të bashkisë së Tiranës dhe hodhi poshtë aludimet për 'një ftohje' të raporteve me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. 

 “SPAK t’i nxjerrë ujin e zi korrupsionit dhe ku ka arsye ku ka prova për këdo qoftë që nga njëra anë është rreshtuar sipas shkallëve të caktuara në frontin e shtetit për punën e përbashkët dhe nga ana tjetër e shfrytëzon pozicionin e tij në atë front për punën e përveçme dhe krejt të pa amnistueshme për përfitim të paligjshëm. Të godasë dhe të mos pyesë as majtas as djathtas por vetëm drejt. Në fund të ditës kjo është gjëja që kam dashur dhe që kam kërkuar," nënvizoi kryeministri gjatë intervistë marrë në zyrën e tij në kryeministri.

Preferoi të ishte i rezervuar sa i takonte sulmeve të kreut të PL, Ilir Meta ndaj SPAK por garantoi se Prokuroria e Posaçme ka mbështetjen e tij në luftën kundër pandëshkueshmërisë. 

'Nuk kam bërë asnjëherë një koment për askënd që ka një çështje të hapur me SPAK apo se ndjen se SPAK mund ti hapë një çështje. E  kuptojnë shqiptarët nuk është nevoja ta diskutojmë. SPAK të vazhdojë drejt. Ka të gjithë mbështetjen time pa kushte dhe të PS" 

Sa i takon Greqisë pranon se marrëdhëniet me kryeministrin grek sot nuk janë më të mirat për shkak të çështjes së Belerit, por se vija e kuqe është e qartë. 

"Ajo është çështje e drejtësisë shqiptare, e këtu mbaron. Se çfarë bëhet në Greqi e çfarë bëjnë ata që ndajnë kombësinë me zotërinë nuk është puna ime  Në këtë proces shtetbërjeje të Shqipërisë ky është aspekt mbi të cilin ne nuk negociojmë asgjë e me askënd, as brenda partisë e as mes partive e lëre më pas me një shtet tjetër' 

Protestën me molotovë para bashkisë së Tiranës të grupit demokrat të Rithemelimit, - drejtuar nga Sali Berisha i hetuar për korrupsion për aferën "Partizani" në arrest shtëpie - dhe Partia e Lirisë e sheh si tentativë e dështuar për të dalë nga bataku ku kanë hyrë.

"Janë me probleme, me halle, me sakëlldi të mëdha dhe kërkojnë të nxjerrin veten nga një batak ku e kanë futur veten dhe nuk ia ka fajin kush" tha Rama.

Për opozitën e përçarë bën dhe një parashikim për vitin e ardhshëm, zgjedhjet e 2025 

Nëse deri dje ishin bllok kundër meje, tani janë bllok i ndarë në fletë kundër meje dhe fletë që luftojnë me njëra tjetrën për të thënë kush është blloku. Gjithmonë me ultimatume. Nuk do ketë rezultat tjetër në 2025. E vetmja gjë që di është se rezultati do të jetë më i thellë në dëm të tyre"

Vetë shumë shpejt do të nisë turin për rienergjizimin e PS me diasporën të cilëve i garanton se votën do ua sigurojë sa të jenë gati aspektet teknike.

"Kush përpiqet që të na i hedhë emigrantët në kurriz apo të krijojë idenë që ne u shmangemi se ata janë mendimi i vërtetë do ta marrin përgjigjen nga vetë ata" thotë Rama

Eshtë i vendosur në objektivin e tij për ta kthyer Shqipërinë në qendrën e turizmit edhe pse e pranon se kundër ka shqiptarët 'që çmendën edhe Konicën' por u çon mesazh se atë nuk e çmendin dot, se "që kur kam hyrë në politikë e kam pranuar që jam i çmendur"

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:36
'Kur hyra në politikë e pranova se jam i çmendur', Rama kujton fushatën e vitit 2000: Ju thosha se ju duhet një njeri anormal

 

Kryeministri Rama në mbyllje të intervistës në 'Studio Live' me Arbër Hitajn kujtoi një episod nga fushata e zgjedhjeve të tij të para si kryetar bashkie i kryeqytetit në vitin 2000.

'...mua nuk më çmendin dot, se që kur kam hyrë në politikë e kam pranuar që jam i çmendur.

Ju kujtohet apo ke qenë i vogël, kur kemi bërë garën e parë për kryetar bashkie, ai nuk më kujtohet as kush ishte kundërshtari se u bënë shumë vjet thoshte, ju keni nevojë për njeri normal, Edi Rama nuk është normal. Se kujtonin se unë do thosha jo unë jam normal. Unë i thosha jo. Ju nuk keni nevojë për njeri normal, se njeriu normal këtë çmenduri dhe anormalitet nuk e ndryshon dot. Ju keni nevojë për një njeri anormal. Natyrisht kjo ka dhe të këqijat e veta. Por shqiptarët nuk kanë gabuar', u shpreh Rama. 

Ora 18:32
Suksesi në turizëm, Rama: Do përshkallëzohet! Për fat të keq disa e kanë tmerr

 

Kryeministri Rama dha komentin e tij në lidhje me sezonin e ri turistik teksa tregoi pritshmëritë për këtë vit si dhe vizionin që e ka shoqëruar gjithmonë për një Shqipëri turistike edhe kur kjo gjë dukej e pamundur. 

Arbër Hitaj: Pyetja e fundit që nuk e lë pa jua bërë, për turizmin. Shifrat janë optimiste, besoj do jenë deri në fund të vitit. Pritshmëritë tuaja, cilat janë?

Kryeministri Rama: Pritshmëritë e mia janë ato që kanë qenë kur askush nuk e besonte se ky do bëhej një vend ku do vërshonin turistët. Kur filluam programin e Rilindjes urbane. Kur filluam të përmirësojmë imazhin e Shqipërisë jo thjesht si imazh, por si përmbajtje.

Kur e kthyem Shqipërinë në një vend ku ndërsa në 2013 të gjithë flisnin: Krimi, krimi, krimi, hajdutët, hajdutët, hajdutët. Na morën pulat e na morën gjelat e na morën delet e na vodhën shtëpinë, në një vend që ka një nivel sigurie dhe rendi dhe që është vendi me numrin më të ulët të vjedhjeve të shtëpive në Europë. Jo sipas nesh, por sipas statistikave ndërkombëtare. Ku njerëzit që vijnë ndjehen si në shtëpinë e tyre, dhe që ndjejnë atë siguri që ndjejnë gjithnjë e më pak në shumë vende të mëdha, në shumë qytete të mëdha, ku nuk ecën dot natën vetëm në zona të caktuara, sepse nuk dihet me sa pjesë të rrobave mangut kthehesh në shtëpi.

Ky eshtë një proces që ka filluar dhe unë e kam pasur pritshmëri prej kohësh dhe tani vetëm do të përshkallëzohet si sukses i madh i Shqipërisë, si për fat të keq disa këtu e kanë tmerr. Dhe më kujtojnë Konicën që thoshte: Të falin çdo gjë por nuk të falin suksesin. Dhe i vetmi ndryshim me kohën e Konicës është që janë hedhur edhe shqiptarët, jo shqiptarët, disa shqiptarë janë po ata që çmenden edhe Konicën, por mua nuk më çmendin dot, se që kur kam hyrë në politikë e kam pranuar që jam i çmendur.

Ora 18:21
Turi në Diasporë, Rama: Vota e emigrantëve, kur të sigurohen kushtet teknike

Në intervistën e dhënë për “Studio Live” në Report Tv kryeministri Edi Rama foli edhe për turin e takimeve që do të nisë në Diasporë duke filluar nga Athina.

“Turi është për rienergjizuar diasporën për Shqipërinë 2030. Ne jemi për votën e emigrantëve por duam që të sigurohen aspektet teknike. Kush përpiqet që të na i hedhë emigrantët në kurriz apo të krijojë idenë që ne u shmangemi se ata janë mendimi i vërtetë do ta marrin përgjigjen nga vetë ata. Sa i përket kongresit ne kemi në emigracion njerëz që janë anëtarë të PS, por ky tur është për të gjithë”, shtoi Rama.

Ora 18:10
Rama: Himara kërkon paqe e jo sherr, nuk është ajo e agjendave destabilizuese dhe e fantazive nga jashtë

Kryeministri Edi Rama u ndal dhe në çështjen e Himarës, ku pritet që gjykata e Apelit e GJKKO-së të shqyrtojë dosjen për Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur të 14 majit 2023 në Himarë

Me Himarën çfarë do të ndodhë?
Edi Rama:
Vendimi i gjykatës po pritet për shkak se zotëria ka marrë mandatin nga KQZ. Pastaj zgjedhjet i deklaron presidenti. Pastaj në Himarë do të kemi kandidatin tonë

A është Tavo kandidat potencial?

Edi Rama: Nuk është çështje emrash. Jemi larg nga ajo ditë. Besoj se aty duhet të fitojë Himara. Himara që kërkon paqe e jo sherr. Ajo që u pa në zgjedhjen e këshillit bashkiak se cila është ajo çfarë synon. Himara, ku agjendat destabilizuese për interesa të caktuara individësh këtu brenda apo fantazish nga jashtë nuk është absolutisht Himara që votoi në këshillin bashkiak dhe kërkon të shohë nga e ardhmja. Himara që nuk ka interes të hyjë në sherre, jo kush janë shqiptarët e kush minoritarët, Zero!

Ora 18:06
Rama: Gjykata Kushtetuese nuk dha vendim për heqjen e mandatit të Xhaçkës, po ta bënte s’do diskutohej

Kryeministri Edi Rama në intervistën e dhënë për “Studio Live” në Report Tv ka argumentuar qëndrimin e PS kundër dërgimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatë Kushtetuese. Në gjykimin e saj në themel, Rama tha se Gjykata nuk dha vendim për heqjen e mandatit, duke bërë që vendimi i saj sipas tij të ishte i pazbatueshëm. 

“Nuk ka të bëjë votimi në parlament me personin. Ka të bëjë me faktin që siç e na e kanë thënë shumë ekspertë që ai vendim i Gjykatës Kushtetuese ishte praktikisht i pazbatueshëm sepse Gjykata Kushtetuese është rojtare e Kushtetutës dhe ka të drejtën të ndërhyjë dhe të përcaktojë pozicionin në raport me Kushtetutën të çdo nisme të kthyer në ligj që cenon Kushtetutën. Por Gjykata Kushtetuese nuk e ka as detyrë as të drejtë e as mundësi që ti thotë Parlamentit sesi duhet të veprojë për një rast apo një tjetër. Nuk ia thotë dot këtë sepse Parlamenti është sovran.

Nuk funksionon kështu, është kaq e thjeshtë kaq e qartë, nuk ka asnjë lidhje fare. Gjykata Kushtetuese e kishte aty çështjen, bëri një gjykim në themel të gjerë dhe të gjatë dhe nuk dha vendim për heqjen e mandatit. Nëse do kishte dhënë vendim do ishte e padiskutueshme. E kërkuan dhe nuk e dha. E kishte aty. Gjithë ky konfuzion ishte produkt i konfuzionit mes opozitave që çuan dy kërkesa. Ata janë në luftë kush është i vërteti dhe kush i gënjeshtërti. Ata janë të gjithë bashkë dhe kanë thënë ne jemi të gjithë të vërtetë. Fakti që janë në luftë tregon se janë të gjithë të gënjeshtërt”, tha Rama.

Ora 18:06
Protestat e Rithemelimit para bashkisë, Rama: Janë me sekëlldi të mëdha! E kanë futur veten në batak, nuk ia ka fajin kush

 

Kryeministri Rama komentoi në 'Studio Live' protestat e Rithemelimit para bashkisë me molotovë.

Pyetje: Rikthehemi pak te situata në bashkinë e Tiranës, ana tjetër e medaljes, protesta e një pjese të opozitës edhe familjarë të zotit Berisha, molotovë në dyert e bashkisë. Besoj i keni ndjekur zhvillimet?

Rama: Patjetër i kam ndjekur, por është një pikturë që flet vetë. Shpeshherë njerëzit pa dashje duke u përpjekur të bëjnë diçka tjetër, ekspozojnë diçka krejt tjetër. Ekspozojnë atë që thashë. Nuk janë të vërtetë. Janë me probleme, me halle, me sekëlldi të mëdha dhe kërkojnë të nxjerrin veten nga një batak ku e kanë futur veten dhe nuk ia ka fajin kush. Askush, kështuqë ça mund ti thuash.

Ora 17:49
Fredi Beleri dhe Greqia, Rama: S'negociojmë asgjë e me askënd, as brenda partisë e as mes partive e as me një shtet tjetër

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin "Studio Live" në Report Tv dha dhe një koment mbi Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur në Himarë në zgjedhjet e 14 majit 2023, por i dënuar me 2 vite burg nga GJKKO për vjedhje votash. Tregoi dhe stadin e marrëdhënieve aktuale me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis ndërsa përsëriti qëndrimin e prerë se çështja i takon drejtësisë dhe këtu është vija e kuqe. 

Arber Hitaj: Fredi Beleri? Do të jetë kandidati zyrtar për në PE i Demokracisë së Re të Mitsotakis, besoni se zgjedhja e tij mund ta dëmtojë procesin integrues të Shqipërisë. A ka shkrirje akulli me kryeministrin e Greqisë?

Edi Rama: Prapë me akujt, ftohjet, ngrohjet.  Marrëdhëniet e mia me kryeministrin e Greqisë janë shumë të mira. Nuk kanë ndryshuar as në kohën kur marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pësuar këtë lloj tronditje jo për shkakun tonë. Sepse unë besoj tek komunikimi, ballafaqimi i të vërtetave. E kam të pamundur të mos them atë që mendoj. Njëkohësisht jam i hapur dhe i gatshëm të dëgjoj edhe nëse nuk jam dakord. Ky është një dialog që ka vijuar dhe nuk është ndërprerë asnjëherë, por ndodh që në raportet shtetërore që kondicionohen nga pozicioni politik, agjenda politike, interesi sipas njëri e tjetrit të shtetit të vet të ketë dhe tronditje marrëdhëniesh. Në këtë aspekt nuk ka dhe nuk do të ketë problem nga ana ime.

Sa i takon ecurisë së procesit, kërkon nga unë diçka që nuk komentoj. Për mua, ajo është çështje e drejtësisë shqiptare, e këtu mbaron. Se çfarë bëhet në Greqi e cfarë bëjnë ata që ndajnë kombësinë me zotërinë nuk është puna ime por këtu çdo qytetar shqiptar pavarësisht kombësisë i nënshtrohet drejtësisë shqiptare. Kësaj drejtësie që siç është e pavarur dhe e lirë të bëjë atë që mendon, kur godet individë brenda oborrit të PS-së, e patrazuar, është e lirë të bëjë atë që mendon kur godet individë në çdo oborr të çdo partie e në çdo pjesë të oborrit të Shqipërisë kur e sheh të arsyeshme si rezultat  shkeljes së ligjit. Në këtë proces shtetbërjeje të Shqipërisë ky është aspekt mbi të cilin ne nuk negociojmë asgjë e me askënd, as brenda partisë e as mes partive e lëre më pas me një shtet tjetër.

Ora 17:48
Ftohje raportesh me Veliajn? Rama hedh poshtë aludimet: Përballja e shkelësve me ligjin, meritë e PS që reformoi drejtësinë

SPAK duhet të godasë kudo ku ka prova, tha kryeministri Edi Rama në intervistën e dhënë për “Studio Live” në Report Tv, ndërsa hodhi poshtë edhe aludimet për një ftohje të raporteve me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Kur SPAK vepron dhe shkelësit e ligjit ekspozohen para publikut, për kryeministrin është një lajm i mirë njëkohësisht dhe meritë e PS e cila siç nënvizoi ai ka reformuar drejtësinë.

Pyetje: Sa i përket arrestimit të drejtorëve në bashkinë e Tiranës, Veliaj në reagim ju citonte në disa pasazhe që u interpretuan si një shantazh politik ndaj jush...

Rama: Pse, për çfarë?

Pyetje: Si është raporti juaj me Veliajn?

Rama: Kjo pyetja si është raporti juaj me këtë burrë me atë burrë është një pyetje që e shoqëron historinë e marrëdhënies së medias me njerëzit publik dhe nuk do na ndahet. Pastaj kjo ka krisje, ftohje në marrëdhënien e tyre i kam parë edhe më parë... Miku im, e njëjta përgjigje vlen edhe për këtë pyetje, SPAK t’i nxjerrë ujin e zi korrupsionit dhe ku ka arsye ku ka prova për këdo qoftë që nga njëra anë është rreshtuar sipas shkallëve të caktuara në frontin e shtetit për punën e përbashkët dhe nga ana tjetër e shfrytëzon pozicionin e tij në atë front për punën e përveçme dhe krejt të pa amnistueshme për përfitim të paligjshëm të godasë dhe të mos pyesë as majtas as djathtas por vetëm drejt. Në fund të ditës kjo është gjëja që kam dashur dhe që kam kërkuar.

Lufta jonë kundër korrupsionit nuk ka filluar me SPAK, ne kemi bërë shumë gjëra për ti ngushtuar hapësirat korrupsionit. Ama na ka munguar në këtë luftë krahu i armatosur që është SPAK dhe GJKKO. Sepse shumë mund të mendojnë se kur një drejtor kapet në shkelje të ligjit apo si person që ka futur duart në arkën e shtetit, apo në xhepin e popullit, po kapet një i joni, jo nuk kapet një i joni, kapet dikush që me ne nuk ka asnjë lidhje. Kur ndodh kjo për mua është një ditë e mirë është një hap përpara. Se ne kemi bërë shumë gjëra për ta ngushtuar hapësirën e korrupsionit.

Kur SPAK vepron dhe kur tipa të tillë ekspozohen para publikut dhe përballen me dritën e ligjit është lajm i mirë dhe meritë e PS në radhë të parë që i hyri detit në këmbë për këtë punë. Po të donim ne që të kontrollonim drejtësinë ne nuk e reformonim drejtësinë. Ti mund të kontrollosh një drejtësi të kapur, si ajo e deri djeshmja që ishte e qartë bëni çfarë të doni me popullin dhe pronat. Shitni e blini drejtësinë por mos na prekni ne. Në këto kushte nuk kapet dot drejtësia, aq më tepër që nuk ka asnjë pendesë nga ana jonë orë si e bëmë këtë punë. Të gjitha të metat gabimet boshllëqet janë normale sepse është proces. E vetmja gjë që kam kërkuar është që raporti me njerëzit të jetë korrekt, raporti me institucionet të jetë korrekt, proceset hetimore të zhvillohen të thella të pandikuar ama njerëzit e shtetit, në zyrat e shtetit duhet korrektesë maksimale.

Ora 17:43
Akuzat ndaj të vëllait për Xibrakën, Rama: SPAK të thotë kush është fajtori! S’kam reaguar se ka detyrimin të përballet vetë

Kryeministri Rama u shpreh në 'Studio Live' se nuk ka reaguar për akuzat në RAI ndaj vëllait të tij pasi janë çështje personale dhe diçka të tillë nuk e ka bërë kurrë.

Emisioni 'Report' i RAI 3 publikoi reportazhin ku thuhej se Olsi Rama ka lëvizur me të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, që kishte lidhje me laboratorin e drogës në Xibrakë në vitin 2015.

Rama thotë se për këtë çështje i takon SPAK të thotë se kush është fajtor.

Pyetje: Si ka mundësi që nuk reaguar kur përmendet një pjesëtar i familjes suaj?

Rama: Sepse nuk është një çështje personale. Unë nuk reagoj për çështje personale. Unë nuk kam reaguar për çështjen e tim vëllai as këtu në Shqipëri. Im vëlla është 55 vjeç. Ka të gjithë kapacitetin e tij dhe detyrimin të përballet si gjithë të tjerët. Kështu që ajo është një çështje që i takon këtu tani drejtësisë. I takon SPAK, Gjykatës Speciale. Të vendosin kush është fajtori në këtë. Aty ka një pjesë që më lidh mua, kam bërë këtë kam bërë atë. Dhe për atë pjesë më duket se është padia numër 22, e imja për këta shqiptar që janë bartës të atij mallkimi që kanë shqiptarët që nga 1912.  

Ora 17:38
Rama: Opozita bllok me fletë të ndarë kundër meje! Në 2025 rezultati do të jetë më i thellë në dëm të tyre

Kryeministri Rama u ndal dhe tek opozita të cilin thotë se e kanë futur veten në një batak me duart e veta

“Opozita e futi veten në një batak e nuk ia ka fajin askush.  Është thënë një shprehje jep shpirt por nuk heq dorë. Përsërisin të njëjtën gjë. Kur I sheh të ndarë thua pse janë ndarë. Këta nuk janë të ndryshëm, por janë një. Nëse deri dje ishin bllok kundër meje, tani janë bllok i ndarë në fletë kundër meje dhe fletë që luftojnë me njëra tjetrën për të thënë kush është blloku. Gjithmonë me ultimatume. Nuk do ketë rezultat tjetër në 2025. E vetmja gjë është se rezultati do të jetë më i thellë në dëm të tyre” tha Rama.  

Ora 17:31
Sulmet e Metës, Rama: Nuk komentoj ata që kanë çështje të hapur, SPAK të vazhdojë drejt! Ka mbështetjen time pa kushte

Gjatë intervistës për “Studio Live” në Report Tv kryeministri Edi Rama u pyet për sulmet e kreut të PL Ilir Meta ndaj SPAK. Në përgjigjen e tij u tregua i rezervuar me argumentin se nuk ka “një koment për askënd që ka një çështje të hapur me SPAK apo se ndjen se SPAK mund t’i hapë një çështje”. SPAK duhet të vazhdojë drejt, shtoi Rama, duke i shprehur mbështetjen.

Pyetje: Zoti Meta shumë agresiv në drejtimin tuaj dhe në drejtim të SPAK, keni një koment mbi këto sulme ndaj SPAK një krijesë që ju keni thënë Se ka kontribuar ne PS që të ngrihej.

Rama: Jo ka kontribuar edhe PS... PS është udhëheqësja dhe fuqia vendimtare në mundësimin e kësaj historie të re në rrugën e shtetit shqiptar që nga 1912 ku drejtësia e çliruar nga kthetrat e asaj pjese të pushtetit politik që është dhe në pushtetin ekzekutiv vepron pa parë majtas dhe djathtas dhe godet pavarësisht sa mund të dhembu majtas dhe djathtas. Këtë e ka bërë PS (fjalë e vërtet-. thotë për kambanën) edhe të tjerët kanë dhënë kontributet e tyre. Se kur më thonë e bënë amerikanët aty pastaj nuk e përmbaj dot veten për të thënë se amerikanët këtu kanë qenë dhe e kanë dashur luftën kundër korrupsionit që në ‘91 por pse nuk e kanë bërë, po kështu dhe Evropianët. Sepse nuk ka forcë të jashtme që mund ti imponojë një vendi asgjë nëse nuk është së paku më forcë e brendshme e mjaftueshme për ta çuar përpara një plan të caktuar. E dyta kur kam thënë se reformën në drejtësi e dua që për herë të parë të mos jetë e varur nga pushteti politik nuk kam pasur në mend ndonjë gjë tjetër dhe as nuk kam imagjinuar ndonjë gjë tjetër.

E treta ju më kërkoni një koment. Unë nuk kam bërë asnjëherë një koment për askënd që ka një çështje të hapur me spak apo se ndjen se spak mund ti hapë një çështje se pastaj do të krijonin kushtet se konfuzioni i krijuar nga të gjithë këta njerëz të cilët nuk e fshijnë të kaluarën e tyre, do të ishte shumë i madh dhe shumë i dëmshëm. Nuk mund të bëj asnjë koment. Di të them që shqiptarët e kanë treguar në të gjithë këto vite se kanë instikt të jashtëzakonshëm politik, e ka ky apo ai përgjegjësinë apo se këtij apo atij po i bie në qafë kot.

E kuptojnë shqiptarët nuk është nevoja ta diskutojmë. Spak të vazhdojë drejt. Ka të gjithë mbështetjen time pa kushte dhe të ps dhe se çfarë rezervash munde të kem unë apo mund të kemi ne këto janë legjitime por jo një arsye që ne të bëjmë komente në publik sepse në fund të fundit spak është një bebe në raport me historinë.

Pushteti ekzekutiv, legjislativ në Shqipëri janë pushtete me një histori gjithsesi dhe Shqipëria ka pasur dhjetëra e dhjetëra qeveri dhe përsëri qeveria bën gabime ka të meta. Si mund të pretendojmë se që një bebe e sapoardhur në jetë të mos ketë të meta apo të mos bëjë gabimet e veta. Por kjo s’ka lidhje me të vërtetën e madhe se SPAK po jep një kontribut të jashtëzakonshëm në shembjen e mitit legjendar të pandëshkueshmërisë që e ka sunduar Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ora 17:30
PS kontrollon drejtësinë? Rama: Nëse donim, nuk e reformonim, Dumani njeri i ndershëm! Tregon çfarë i kërkoi kreut të SPAK

Gjatë intervistës me gazetarin Arbër Hitaj, Rama iu përgjigj dhe akuzave se PS kontrollon drejtësinë, ndërsa Altin Dumanin dhe prokurorët e SPAK i quan të ndershëm.

“Po të donim ne të kontrollonim drejtësinë nuk e reformonim. Ti mund të kontrollosh një drejtësi si ajo e djeshmja, ku pakti ishte shumë i qartë. Bëni ç'të doni me popullin, pronat, të fortët, shitni e blini drejtësinë por mos na prekni ne. Shumë e thjeshtë. Pse nuk u prek asnjë. Po të donim ne të mbanim drejtësinë e kapur, do të pranoja që në krye të SPAK të ishte një njeri i ndershëm, apo një tjetër njeri i ndershëm, njerëz të ndershëm, minimumi jetik. Mund të thuash ç'të duash por nuk thua dot janë të pandershëm. Në parim si do kapet. 

E vetmja gjë që kam kërkuar dhe insistoj është që raporti me institucionet të jetë korrekt dhe proceset hetimore të jenë të thella e të pandikuara e cdo njeri nuk duhet të trajtohet si person i nevojshëm për proces. Ky ka qenë e vetmja kërkesë. Pjesa tjetër nuk është fare puna jonë. Ata dinë ata e bëjnë"

U ndal dhe tek kërkesa e SPAk për Arben Ahmetajt.

 Kur na vjen  në parlament një kërkesë siç na erdhi kemi të drejtë të themi mendimin tonë. Nëse nuk do e gjenim të arsyeshme do të thonim fjalën tonë atje në Parlament se na detyron kushtetuta. SPAK ka mbështetjen tonë absolute pa kushte”
 

Ora 17:28
Agaçi avokat i trafikantëve? Rama: Nuk di që avokatët në një sistem të së drejtës të mbrojnë shenjtorët

 

Kryeminstri Edi Rama u shpreh në 'Studio Live' se në emisionin e RAI 3 u thanë shumë gënjeshtra që dëmtojnë Shqipërinë. Sa i përket akuzave se Ëngjëll Agaçi, si avokat në Itali ka mbrojtur trafikantë dhe kriminelë, Rama shprehet se në një sistem demokratik, avokatët nuk mbrojnë shenjtorët.

Pyetja: Ju keni komunikuar për drejtorin e RAI, një lajm që e keni konfirmuar edhe për Shqiptarja.com. Mund të zbulojmë ndonjë detaj, si e priti telefonatën tuaj?

Rama: Natyrisht se nuk kisha se me kë komunikoja tjetër dhe nga ana tjetër nuk komunikova me drejtorin e RAI 3 për t’iu ankuar për ndonjë gjë që është punë e gazetarëve por për ti bërë me dije se një skandal i madh deuntologjik dhe etik ka ndodhur pasi përmes ekranit ju është përcjellë të gjithë atyre që e kanë ndjekur në Shqipëri dhe Itali një gënjeshtër e pafalshme për burimet e informacionit. Kanë pasur në dorë përgjigjet e dhëna dhe nuk kanë publikuar asnjë nga këto dhe kanë thënë që nuk janë përgjigjur. Ky është kulmi. E vetmja gjë ka qenë kjo dhe absolutisht asgjë tjetër.

Pyetje: Pse Ëngjëll Agaçi është vënë target i këtij sulmi sipas jush?

Rama: Është shumë e qartë që sulmi nuk do kishte ndodhur po të mos bëhej fjalë për një barrikadim politik në Itali midis të majtës dhe të djathtës në prag të zgjedhjes dhe goditja për paktin e bërë mes Italisë dhe Shqipërisë, është një goditje për qeverinë italiane dhe jo shqiptare. Por tendenca për ta futur Shqipërinë aty si dëm kolateral dhe për ta lënë të kuptohet që ja me kë kanë bërë marrëveshje, me një qeveri ku ky ka qenë avokat i trafikantëve. Ndërkohë që unë nuk di që avokatët në një sistem të së drejtës mbrojnë shenjtorët. Sistemi i së drejtës në demokraci e ka figurën e avokatit për të mbrojtur këdo dhe një avokat penalist nuk është dot kurrë i dënueshëm pse kryen një detyrë ndaj sistemit demokratik se përndryshe kthehemi në Shqipërinë e Enver Hoxhës ku figura e avokatit u dogj si shtrigat në mesjetë dhe u zhduk nga kushtetuta. Janë thënë gjëra të tjera të rënda, gënjeshtra, po nuk po i hyj këtyre. Shqipëria është goditur me duart e italianëve, por me mallin e dhënë nga shqiptarët këtu në Tiranë. Nga po ata shqiptarë që sa herë iu jepet mundësia në çdo hapësirë që krijohet kudo në botë, e bëjnë me paskrupullësinë dhe me një ndjenjë armiqësie ndaj vendit e cila projektohet si armiqësi ndaj meje dhe ndaj qeverisë. Kjo është ajo që ndjek Shqipërinë si mallkim.

Ora 17:06
'Të ishte sulm ndaj meje nuk do kisha reaguar', Rama për Report Tv: Kur sulmohet Shqipëria, e pamundur të mos reagoj

 

Kryeminstri Edi Rama në intervistën eksluzive për 'Studio Live' në Report Tv u shpreh se ndihet i revoltuar pas reportazhit të kanalit RAI 3, pasi nuk ndihet ai i sulmuar por është bërë një sulm ndaj Shqipërisë. 

Pjese nga intervista

Pyetje: Cili është qëndrimi juaj për atë reportazh që ka bërë RAI 3 për Shqipërinë? E kemi thënë disa herë dhe çfarë nuk shkon sipas jush?

Rama: E para, jo ndoshta në Shqipëri, por në rradhë të parë në Shqipëri. Sepse nga Shqipëria ajo është eksportuar dhe importuar ai produkt. Ishte një produkt që dukej si i nxjerrë nga magazinat e errëta të kohës së palavdishme të kohës italiane, ku sa herë fliste albanesi, fliste vrasës, fliste për prostituta, fliste për hajdutë dhe për Shqipërinë si atdheu i krimit dhe i të gjithë të këqijave.

E dyta nuk është një badi beko. Reagim në funksion të së vërtetës, të së vërtetës së thjeshtë. Se ndër shumë gënjeshtra që u thanë aty, u tha edhe një gënjeshtër shumë e madhe, që viktima e atij agresioni dhe viktima kryesore ishte sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave kishin refuzuar të përgjigjeshin, kishin refuzuar te jepnin opinionin e tyre. Ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Kam marrë përgjigje me shkrim, sepse pyetjet janë dërguar me shkrim në kohën e duhur, në afatin e përcaktuar prej atyre vetë. Dhe kulmi është që pasi e thonë këtë gënjeshtër vetë në emision duke krijuar një moment tjetër të hijes së dyshimit për gjithë atë konspiracion të ngritur mbi mbledhjen e ujërave të zeza të kanaleve politike dhe mediatike të Tiranës, shfaqen edhe këtu në një kanal të ujërave të zeza dhe vazhdojnë duke i thënë shqiptarëve, sa fatkeqësi e madhe që as përgjigje nuk denjuan të kthejnë. E pra kjo është skandaloze. Është normale që për këtë të reagohet.

Pyetje:Zoti Rama shikoni një sulm ndaj jush, ndaj qeverisë italiane apo ndaj Shqipërisë, sepse Italia do ketë edhe zgjedhje lokale njëkohësisht me zgjedhjet e parlamentit europian?

Rama: Jam mësuar me sulmet dhe të them të drejtën nuk më bëjnë përshtypje si sulme dhe nuk më prekin se janë sulme, por në këtë rast si në çdo rast kur sulmohet Shqipëria, kur përbaltet Shqipëria, kur Shqipëria iu paraqitet të huajve nga të huajt në jnë dritë të tillë unë revoltohem. Nëse do kishte qenë për mua personalisht nuk do kisha bërë asnjë reagim. Siç nuk bëra asnjë reagim që aty ishte përfshirë edhe familja ime, madje edhe pastaj sqarova që nuk po hyj tek ajo pjesë. Por kur sulmohet Shqipëria është e pamundur që unë të mos reagoj. Sepse nëse ka një gjë që për mua është e dorës së parë është krenaria për Shqipërinë. Është ngritja e kokës për Shqipërinë dhe mundësia për ti parë në sy të gjithë si të barabartë dhe këtë ne po e arrijmë. Dhe çdo përpjekje për të na ulur kokën në mënyrë të padrejtë, në mënyrë skandaloze patjetër që do të marri përgjigje.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shqip-tar: 25/04/2024 00:29

    Një gjë nuk arrij të kuptoj, pse kritikohet edhe sulmohet kaq shumë z/Rama nga Shqiptarët?

    Përgjigju
  • Po mër po: 24/04/2024 17:51

    Ashtu si Saliu futi Shqipërinë në NATO, ashtu dhe ti bëre reformën në drejtësi. Me zorr. Pra Amerikanët. Dhe mos thuaj malli ishte i shqiptarëve se u bone njisoj si gazetari italian e ti.

    Përgjigju
  • patrioti: 24/04/2024 17:40

    ujin e zi spak duhet yta nxjerre nga zyra jote o shoki rama

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Dorian Teliti: Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë tatimin për profesionet e lira

Dorian Teliti: Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë tatimin për profesionet e lira