INTERVISTA/ Mirela Naska, një grua
 në zero gradë - Rrëfimi për "Krom"

INTERVISTA/ Mirela Naska, një grua<br /> në zero gradë - Rrëfimi për
TIRANE- Një mësuese matematike që lahet në liqenin e Bulqizës përpara nxënësit 15-vjeçar, plan filmik ky që mbetet gjatë në kujtesë nga "Krom" me regji dhe skenar të Bujar Alimanit. Filmi u shfaq premierë për mediat më 15 tetor dhe një ditë më vonë për një publik të zgjedhur. Që nga 12 nëntori do të jetë në rrjetin e kinemave "Imperial".

Pa i hyrë një analize më të thelluar, filmi i dytë me metrazh të gjatë i regjisorit Alimani që këto kohë jeton dhe punon në Nju-Jork, fton të zbulohet një gjuhë tjetër filmike, më e kërkuar, më e përkorë, më simbolike. Personazhet janë fjalëpakë duke i dhënë liri shikuesit të shquajë në portretet e tyre mbytjen nga e përditshmja, drobitjen, vetminë, humbjen, dhimbjen e pazë, shtypjen nga një pushtet më i madh për supet e tyre të brishtë.

Edhe pse kuptimet duket se rroken lehtë, nga një bisedë e thjeshtë fëmijësh, kur Adi (në rol Fredjon Ruçi) i pohon vëllait më të vogël Denisit, buzë liqenit (ca më larg tyre një karrige me një copë krom përsipër) -"E di ti që Krom ka ar? Thonë që i fusin në furra moderne dhe nxjerrin një sasi ari", kuptimet fshihen më thellë. Në këtë peizazh të zymtë dhe thellësisht të vërtetë, zysha që pëlqen rrokun (në rol Mirela Naska), del mbi të tjerët, si për të sjellë një ajër lirie dhe një frymë emancipimi.

Regjisori Alimani e ka thenë edhe herë të tjera, që ajo personifikon "marrëdhënien e adoleshentit me dijen", një marrëdhënie kjo që shpesh pengohet, por nuk ndërpritet nga jeta e vështirë në provincë. Ajo vetë nga ana tjetër i ka ikur familjes që jeton në Tiranë, duke mos e predikuar këtë gjë tek nxënësi, me të cilin krijohet një marrëdhënie të ngrohtë, gati flirt, por që nuk shkon më tej.

Për vërtetësinë e krijimit të një roli dhe punën me regjisorin Alimani, aktorja Mirela Naska flet në intervistën në vijim, që padyshim do t'ju shtyjë të imagjinoni edhe më tepër në fund të saj, kur ajo zbulon fragmente nga backstage: të lahesh në zero gradë në liqen, në një kohë kur vetëm mendimi për erën e ftohtë që fryn atyre anëve, të ngjedh mishtë.

Ashtu si në foton që ilustron këtë shkrim, ju lexues do ta ndieni bukurinë e të punuarit me një personazh të dashur, bukurinë e të punuarit për "Krom", komentet për të cilin, natyrisht nuk shterohen me këtë artikull. Me datën 24 tetor filmi ka premierën në Kosovë, do të shfaqet në "Dokukino", Prizren. Mirela Naska mbahet mend në rolin e Majlindës në filmat e gjatë: "Muajt e Mjaltit" (2009) me regji të Goran Paskaljeviç, Majës tek  "Amnistia" (2011) dhe së fundmi ishte zysha e matematikës së Alimanit, "Krom" (Chromium, 2015).

Mirela, jemi pak ditë pas premierës në Tiranë, nisur nga distanca emocionale si e shihni personazhin tuaj të realizuar në film?
E kam të vështirë të distancohem emocionalisht pasi është një personazh shumë i dashur për mua, një personazh i vendosur në Bulqizën time ku u rrita dhe u shkollova.

Kam punuar shumë me regjisorin Alimani deri në detajet më të vogla që në momentin kur mora në dorë skenarin. Aktori është gjithmonë kritik ndaj vetes dhe tek unë kjo lloj ndjenje është edhe më e theksuar. Jam përpjekur të ngjyros me përpikmëri brenda kontureve të personazhit që unë me regjisorin vizatuam. Ai është i kënaqur dhe kjo reflekton besim tek unë që ia kam dalë mbanë.

Premiera botërore ka qenë në Karlovy Vary të Çekisë, ku "Krom" konkurroi në seksionin "East of the West" dhe ju ishit pjesëmarrëse. A mund të bëjmë një krahasim mes diskutimeve të njerëzve të kinemasë atje me këtu?
Jo vetëm në Karlovy Vary, por në të gjitha festivalet është krijuar një edukatë tek publiku që nuk lëviz nga vendi deri në titrën e fundit. Pastaj regjisori bashkë me aktorët vihet përballë tij për t'iu përgjigjur pyetjeve të shumta që bëhen për të kuptuar çdo sekuencë të filmit. Veç premierës, ne patëm edhe një shfaqje të dytë në një nga kinematë e vendit ku na u kërkua të ishim të pranishëm për pyetjet e publikut.

Ndërsa këtu ndodh krejt e kundërta, e kam shumë të freskët premierën e para pak ditëve, kur regjisori Alimani e ftoi publikun e ardhur me ftesa, pra një publik i zgjedhur, që pas premierës, të diskutonte rreth filmit. Ndryshe nga shumë duar të ngritura lart që kërkojnë rradhën për të bërë pyetje atje, këtu sheh portrete që qendrojnë të sforcuar në heshtje se kush do ta marrë guximin i pari për t'u ngritur nga karrigia.

Pas katër vitesh punon sërish me Alimanin, ka ndryshuar diçka në mënyrën e të punuarit?
Në fakt, nuk ka ndryshuar asgjë veç faktit që ne tashmë e kuptojmë njëri-tjetrin me një shikim apo me një lëvizje dore, pa pasur nevojë për sqarime të tepërta siç ndodhte tek “Amnistia”, pas nje duble jo të mirë. Duke qenë se në filmin “Krom” unë pata mundësi të rrija më shumë në sheshin e xhirimit, kuptova që Bujari sillet me aktorin sipas temperamentit të tij duke e ndihmuar (në mënyrë të pavetëdijshme për aktorin) në realizimin e rolit. I kërkova produksionit të qendroja në sheshxhirim edhe kur nuk kisha skenat e mia. Kjo ndodhi pothuaj ne 90% të gjithë periudhës së xhirimeve.

E kërkova për dy gjëra : E para për t'u fokusuar në roli tim si pjesë përfshirëse e së tërës ku në xhirim vërtet kupton më shumë dhe, e dyta, se këtu në Shqipëri xhirohen tepër pak filma, dhe të jesh në një atmosferë të tillë është luks.

Mesuesja rrok është një personazh që e keni nxjerrë nga petku i xhaketës së lëkurës, byzylykëve e syzeve rrok? Keni pasur frikë që personazhi do binte në klishe?
Kjo është sfida më e madhe për aktorin kur luan një personazh “karakteri”: të mos bjerë në klishe. Dhe kjo është një nga pikat ku unë jam fokusuar më shumë në punën me rolin.

Kam parë dhe takuar disa rrokere që jetojne rrok sipas ndjeshmërisë së tyre, jo duke u bazuar në një shembull konkret. Këtë bëra dhe unë, kërkova ndjeshmërinë e mësueses dhe fillova të jetoj si ajo, pas kësaj, karakteri rrok u plotësua natyrshëm dhe xhaketa e lëkurës, syzet apo byzylykët ishin aksesorët që plotësonin personazhin në detajet e veta në sheshin e xhirimit.

I vetmi personazh që ndërvepron në mënyre konkrete me mësuesen është Adi. Ku ju çoi për të punuar me rolin gjuha e kursyer e Alimanit?
Përgjithësisht të gjitha rolet që kam luajtur kanë qenë fjalëpakta dhe mesa duket, kjo është edhe pika ime më e fortë sipas kritikëve nëpër festivale ku janë shfaqur filmat e mi, por edhe e regjisorëve me të cilët kam punuar: të flas pa fjalë. Fjala më tremb më shumë kur më duhet ta shpreh, ndoshta ngaqë nuk kam luajtur ndonjë rol që flet më shumë me fjalë.

Unë jam natyrë shumë e kujdesshme në të përditshmen time, i vlerësoj dhe i ruaj në kujtesë reagimet e të tjerëve dhe të miat gjithashtu në situata të ndryshme dhe i përdor kur më duhen për plotësimin e ndonjë personazhi.

Mësuesja sjell një fryme lirie, dije, emancipimi. A e shihni këtë model gruaje në vendin tonë dhe si e shihni?
Po e shoh dhe jo vetëm këtu në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, mjafton të bësh një vëzhgim nëpër shkolla të ndryshme dhe do të shikosh që mësuese të tilla nuk janë të pakta. Mendoj që femra e shkolluar mirë e vendit tonë i ka të tre cilësitë e sipërpërmendura, diku më shumë të theksuara se diku tjetër dhe sipas karakterit, secila ka një nga këto cilësi më të zhvilluar. Madje do të thosha që edhe nëse i mohohen për shkak të rrethanave në të cilat është rritur dhe edukuar, ajo sërish di si t'i fitojë dhe të jetojë me to.

Çfarë do të bëni pas “Krom”?
Do t'i rikthehem të përditshmes sime, djalit tim Damianit dhe bashkëshortit Bledit. I gjithë përkushtimi im do të përqendrohet aty, ashtu siç ndodh gjithmonë pas përfundimit të një projekti. Do të përkëdhelem sërish si vajza e babit. Sigurisht do të shijoj lavdinë e “Krom” dhe do të jem në pritje të projektit të ardhshëm që besoj se nuk do të vonojë.

Në fund të kësaj interviste do të donim të zbulonit diçka nga backstage, sidomos për skenën e liqenit...
Më kujtohet shumë mirë dita kur do të xhironim skenën e liqenit. Ecja përgjatë bregut të tij dhe vetëm reflektoja mbi personazhin. Ishte përcaktuar ora 12: 00 për të xhiruar, por duke qenë se temperatura ishte 0 gradë celcus, dielli filloi të fshihej pas reve dhe filloi një erë e ftohtë, xhiruam pak minuta pas orës 11:00.

U përcaktua mizanskena dhe unë thashë gati. Ilia, drejtori i fotografisë i kishte thënë Bujarit që për siguri, të gjente një zgjidhje tjetër për skenën e liqenit, pasi duke pasur parasysh temperaturat e ulëta, të gjithë mendonin që nuk do te futesha. Nuk fola fare përveçse pohova: "Jam gati". Kthej kokën pas dhe shikoj të gjithë stafin që dridhej nga i ftohti, askush nuk fliste. Unë jo vetëm që do të futesha në liqenin e ftohtë, por duhej edhe ta shijoja atë sikur uji të ishte i përshtatshëm për t'u larë, koha gjithashtu. Gati për xhirim dhe skena u realizua.

U futa 5 herë në liqen, pasi skena u xhirua në 5 plane të ndryshme. I kujtoj me dashuri momentet pasi dilja nga liqeni për t'u përgatitur për planin tjetër ku i gjithë stafi rrinte gati me batanije, peshqirë, tharëse flokësh, rezistenca për të më ngrohur. E vlerësoj shumë punën e tyre dhe predispozitën e mirë për të bashkëpunuar të gjithë në të mirën e “ Krom”. Në fund piva një teke raki dhe temperaturat e ftohta nuk po i ndieja më. (Qesh)


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Vangjel Tavo i përgjigjet Gjikurisë: Votuesit me kartë të skaduar ishin të mitë dhe të tutë! Rezultati, produkt i vullnetit të qytetarëve

Vangjel Tavo i përgjigjet Gjikurisë: Votuesit me kartë të skaduar ishin të mitë dhe të tutë! Rezultati, produkt i vullnetit të qytetarëve