Ish të përndjekurit: Mos zmbrapsni
ligjin për kompensimin

Ish të përndjekurit: Mos zmbrapsni<br />ligjin për kompensimin
TIRANE-Nëpërmjet një letre të hapur ish të përndjekurit politikë reagojnë ndaj zmbrapsjes së variantit të miratuar më 20 mars, në Komisionin e Ligjeve,për  përfitimin e dëshpërblimit menjëherë të përndjekurve në 70 vjet për gratë dhe 75 për burrat dhe lënien e variantit të Ministrisë së Drejtësisë për dëmshpërblim mbi moshën 85- vjeçare.    

Ish të përndjekurit politikë i kërkojnë qeverisë të rishikojë propozimin e Partisë Socialiste për zgjerimin e bazës së përfituesve duke e ulur moshën e atyre që dëmshpërblehen menjëherë në 70 vjet për gratë dhe 75 për burrat.

„Kjo masë sigurisht nuk mjafton për të përmbushur detyrimin që ka në radhë të parë qeveria, por edhe shoqëria shqiptare, ndaj shtresës sonë. Por në kushtet kur qeveria nuk e ka një paketë gjithëpërfshirëse masash për trajtimin e të gjitha problematikave që lidhen me shtresën tonë, pranimi nga ana juaj i propozimit të Partisë Socialiste do të lehtësonte një numër jo të parëndësishëm të përndjekurish. E mbase do t’ju lehtësonte sadopak edhe juve vetë nga përgjegjësia e madhe që keni në raport me ta për gjithë këto vite premtimesh boshe e zhgënjimesh dëshpëruese në familjet tona.“- thuhet në letrën që mban emrat e 25 ish të përndjekurve.

Më 20 mars në Komisionin e Ligjeve demokratët dhe socialistët kanë rënë dakord që ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë me moshë mbi 75 vjeç kur janë meshkuj dhe 70 kur janë femra, do mund të përfitojnë dëmshpërblimin në dy këste, brenda vitit 2012. Por dje kreu i PS-s, Edi Rama nëpërmjet një mesazhi telefonik të këmbyer me një nga ish të përndjekurit konfirmoi se ligji i miratuar në Komisionin e Ligjeve do të anulohej e do të mbetej në fuqi vendimi i Ministrisë për komensimin e të përndjekurve mbi 85 vjeç.

LETRA E ISH TE PERNDJEKURVE
Zoti Kryeministër,
I kemi ndjekur me shqetësim diskutimet në lidhje me ligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve që u miratua në Komisionin e Ligjeve javën e shkuar në një variant të arsyeshëm të propozuar nga Partia Socialiste.

Kishim shpresuar edhe pse me rezervë në një angazhim serioz nga ana e qeverisë suaj për t’i dhënë fund zvarritjeve në këtë drejtim. Por mbetemi të revoltuar me mënyrën sesi u argumentua nga ana juaj zmbrapsja e variantit të miratuar në Komisionin e Ligjeve.

Vendimi juaj për të dëmshpërblyer menjëherë vetëm ata të përndjekur që kanë mbushur tanimë 85 vjeç, është një përpjekje krejt e lexueshme për t’i ikur përgjegjësisë që keni ndaj shtresës sonë.

Jo vetëm në Shqipëri, ku jetëgjatësia mesatare arrin 72 vjeç, por edhe në vendet më të përparuara të Europës e botës, vetëm një grusht njerëzish kanë fatin të kapin moshën 85 vjeçare. E ky numër i kufizuar reduktohet pastaj në gishtat e njërës dorë kur bëhet fjalë për të përndjekurit shëndetshkatërruar nëpër burgjet e kampet e internimit të diktaturës komuniste. Për më tepër pastaj zoti Kryeministër, qëllimi i dëmshpërblimit nuk mund të barazohet me qëllimin politik për të përfituar pushtet prej viteve të vuajtjeve e torturave të kësaj shtrese, duke thënë tjetër gjë e bërë një gjë krejt tjetër për të.

Plot 45 vjet burgosje, internime e pushkatime nën regjimin kriminal të Enver Hoxhës dhe 22 vjet të tjera braktisje e nëpërkëmbje nën qeveri që me ne janë sjellë si të ishin regjime shurdhërie, përbëjnë bilancin dëshpërues të shtresës sonë sot. Ky bilanc e mbulon me turp çdo forcë qeverisëse që gjatë kësaj kohe - e cila për nga gjatësia është e barabartë me gjysmën e dekadave të komunizmit -, nuk ka arritur as ta shohë problemin tonë si një çështje drejtësie sociale dhe as të ketë për të përndjekurit një politikë dinjitoze përtej interesave të veta politike.

Ne ju bëjmë thirrje ta rishikoni propozimin e Partisë Socialiste për zgjerimin e bazës së përfituesve duke e ulur moshën e atyre që dëmshpërblehen menjëherë në 70 vjet për gratë dhe 75 për burrat. Kjo masë sigurisht nuk mjafton për të përmbushur detyrimin që ka në radhë të parë qeveria, por edhe shoqëria shqiptare, ndaj shtresës sonë. Por në kushtet kur qeveria nuk e ka një paketë gjithëpërfshirëse masash për trajtimin e të gjitha problematikave që lidhen me shtresën tonë, pranimi nga ana juaj i propozimit të Partisë Socialiste do të lehtësonte një numër jo të parëndësishëm të përndjekurish. E mbase do t’ju lehtësonte sadopak edhe juve vetë nga përgjegjësia e madhe që keni në raport me ta për gjithë këto vite premtimesh boshe e zhgënjimesh dëshpëruese në familjet tona.

Nga një grup ish të përndjekurish:
Keti Bazhdari, Bilal Kola, Roland Ilia, Helidon Bele, Perikli Spiro Shqevi, Xhemal Zhuri, Gjergj Ndreca, Xhafer Xhomo, YLli Gjoncaj, Vangjeli Cufaj, Konstandin Gjokdani, Petrit Muka, Gazmend Muka, Gjet Kadeli, Fatma Muda, Sadik Muzhaqi, Pellumb Gega, Agjon Imeri, Mirela Brahimi, Fran Qafa, Agron Tale, Aisha Tota, Nest Margjokaj, Luigj Shllaku, Mehill Gjinaj.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Jasir Asani zbulon prapaskenat: Pa kaluar kufirin isha i Kukësit, më pas vendosi telefonata

Jasir Asani zbulon prapaskenat: Pa kaluar kufirin isha i Kukësit, më pas vendosi telefonata