Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari, foli në protestën e 27-të para Kryeministrisë. Ai deklaroi se kryeministri Edi Rama do të përfundojë si ish-udhëheqësi libian Muammar Gaddafi, i cili u rrëzua nga pushteti dhe më pas u vra gjatë luftës civile në Libi në vitin 2011, nëse nuk largohet në mënyrë paqësore. Gjatë fjalimit, ai sulmoi edhe Ramush Haradinajn, i cili në një intervistë deklaroi se i vjen turp që protestues nga Kosova kanë marrë pjesë në protestë. Sulm pati edhe për Ali Ahmetin, i cili pati dënuar protestat duke thënë se vendet fqinje duan të godasin turizmin në Shqipëri.
"Rini shqiptare, kohë më parë një person tha për ju se ju vjen erë parfum. Nuk më qëndroi mirë. Juve ju vjen erë Shqipëri, lirie. Juve ju vjen erë demokracie. Djersa juaj është parfumi, që sakrifikoni këtu çdo natë para një bishe të tërbuar që nuk dorëzohet. Nuk dorëzohet se ka kusure në kurriz.
Kur vajza ime foli këtu, ju e mirëpritët. Një zotëri ishte këtu dhe më tha: 'Hajde, fol'. I thashë: 'Fjala e saj është ndryshe'. Edhe juve ju kemi edukuar që të bëheni të zot për atdheun. Ama mos harroni se ju s'mund të jeni ata që jeni sot pa ne, sikundër nesër fëmijët tuaj nuk mund të jenë pa ju.
Luan me fjalë se është në ditë të rënda. Na quan ne antiamerikanë. Besfort Lamallari deklaroi se ishte Rama që vajti në Serbi dhe foli për pavarësinë e Kosovës. Lamallari, të ka përdorur, se ti nuk guxon pa lejen e tij. Fjalët e Ramës ishin flluskë sapuni. Kosovën e çliroi vetë Kosova, me mbështetjen e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Pa ata, kurrë nuk do të ishte Kosova.
Më vjen keq për dy figura politike. Ramush Haradinaj deklaroi se 'më vjen turp që jam kosovar', për kosovarët që vijnë këtu në protestë. Ne e njohim mirë historinë.
E njohim historinë, ke marrë pafajësinë ti, këtu në shesh janë dy plis, një me shqiponjë e zezë një i bardhë. Një nga veriu një nga jugu. Kosovarët e kanë mbrojtur. Ramush mos harro është vëllazëria shqiptare. Mos harro. Ndaj vijnë këtu nuk i dërgon Albin Kurti. Edhe Ali Ahmeti ishte shqetësuar. Turistët kënaqen kur shohin këtu protestë paqësore e ka marrë vesh gjithë bota. nuk ka bërë vaki se ishim mësuar me molotovë. Do përfundojë si Gadafi nëse nuk largohet në mënyrë paqësore. Të paguajë gjithçka që ka bërë. Hajde Kushner bëj një spital onkologjiku se po tmerrohet populli. Hajde sipas rregullave”, tha ai.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Qytetarët 27 ditë në protestë, këmbëngulin në kërkesat e Goxhajt drejtuar qeverisë! Sulme edhe ndaj Haradinajt dhe Ali Ahmetit! Marshojnë nëpër Tiranë









