Gjykata e Posaçme ka caktuar mesditën e të hënës për seancën e marrjes në pyetje të ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqja, ndaj të cilit janë vendosur masat e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë shtetit, për shkak të hetimeve për koncesionin e sterilizimit. Seanca do të drejtohet nga gjyqtari i hetimeve paraprake, Erjon Bani pas kërkesës që është bërë nga vetë prokuroria e Posaçme.

Masat e sigurisë për Beqjen u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 16 nëntor, bazuar në kërkesën e prokurorisë. Deri tani nga hetimi i SPAK ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, siç dyshohet me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t'u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes zv.ministrit Klodian Rrjepaj si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Ilir Rrapajt si biznesmen përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Emri i Beqajt mungoi fillimisht në listën e personave të akuzuar për 'shpërdorim detyre' dhe 'mashtrim me pasoja të rënda', por në një vendim për masë sigurie, gjyqtari Erjon Bani vlerësoi se shkeljet e akteve ligjore ngriheshin në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja.

Ndaj tij është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që gjyqtari vlerësoi hetimet si të paplota në momentin e vendosjes së 9 masave të para për këtë çështje dhe orientoi Prokurorinë drejt hetimit edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:19
Caktimi i masës ‘detyrim paraqitje’ për Beqajn, PD: Qeveria e mbytur në korrupsion, SPAK t’i shkojë deri në fund hetimit për 'sterilizimin'

Zëdhënësja e Partisë Demokartike, Mirela Karabina ka reaguar pasi ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj u vendos masa e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’ për hetimet për koncesionin e sterilizimit.

Karabina në një deklaratë për mediat tha se kjo është një tregues i qartë se qeveria është e mbytur në korrupsion. Ajo i bëri thirrje SPAK që t’i shkojë hetimit deri në fund.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, ZËDHËNËSJA MIRELA KARABINA

Partia Demokratike e Shqipërisë është e vendosur në mbështetjen e saj për çdo hetim dhe për çuarjen përpara drejtësisë të çdo zyrtari të korruptuar në këtë vend. Shqiptarëve u ka munguar drejtësia, ndaj ata presin të vërtetohen akuzat penale në mënyrë që të ndërpritet balta dhe tymnaja politike.

Vetëm kështu mund të merret vesh e vërteta dhe koha e pandëshkueshmërisë të marrë fund. Dhënia e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për koncensionin e sterilizimit, është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ne si Parti Demokratike jo vetëm që e kemi denoncuar të parët këtë aferë, por shprehim mbështetjen tonë maksimale për organin e akuzës dhe kërkojmë që çështja të hetohet me profesionalizëm dhe me korrektësi. Ne si Parti Demokratike kërkojmë nga SPAK që njëkohësisht të vijohet me inceneratorët dhe aferat e tjera të kësaj mazhorance, të cilat ne vazhdimisht i kemi bërë publike.

Dhënia e masës ndaj Ilir Beqajt, mikut të ngushtë të Edi Ramës, është treguesi më i qartë se kjo qeveri është e mbytur në zullume dhe në korrupsion. 40 hajdutët e mazhorancës kanë Edi Ramën në krye, ndaj çdo hetim dhe fillim çështjeje penale, në të vërtetë është ngushtim laku për shefin e tyre. Partia Demokratike si e vetmja forcë euro-atlantike inkurajon hetimet, shpreh mbështetjen e saj dhe siguron shqiptarët se do të vijojë të denoncojë aferat korruptive të kësaj qeverie.