Në këtë ditë të shënuar, Shoqata e të Përndjekurve Politikë përkujton qëndresën e të burgosurve të cilët u dhunuan dhe torturuan, nga ata që i quan xhelatët e kampit famëkeq të Qafës së Barit.
“Këto mure kanë pasur sy dhe veshë në revoltën e 22 majit 1984”, tha Fran Dashi.
Pjetër Luli është ndër ish-të dënuarit politikë të Qafë-Barit. Mes emocionesh, ai kthehet pas 42 vitesh aty ku edhe u aksidentua si pasojë e punës së detyruar.
Torturat barbare mbi të dhe dënimi me 14 vite burg aso kohe ishin për “agjitacion e propagandë”, teksa sipas tij, e gjitha ishte sajuar për ikjen pa leje nga ushtria.
“Akuza ishte për muzikën e huaj që dëgjohej”, tregon Pjetër Luli.
Edhe pse kanë kaluar katër dekada, torturat e asaj kohe Pjetër Luli i ka ende të freskëta.
“Këtu dhunoheshin njerëzit. I rrihnin në mënyrë çnjerëzore, me bishta lopatash”, thotë Pjetër Luli.
Pas zhgënjimit nga demokracia, ai emigroi në Itali, ku jeton edhe sot. Thotë se për të burgosurit politikë nuk është bërë asgjë dhe se trajtimi që po u bëhet nuk është ai që u premtua.
Nga aty ku duket sikur vetë heshtja flet për torturat dhe trajtimin ç’njerëzor, vëllai i një prej të pushkatuarve të revoltës kujton tmerrin e atëhershëm.
“Tom Doja ka përjetuar një pjesë të burgut këtu. i kanë përdhunuar dhe shkatërruar”, thotë Zef Ndoja, vëllai i Tom Ndojës.
Rrënojat e burgut të Qafë-Barit, ku ndodheshim rreth 500 të dënuar politikë mbeten si dëshmi e torturave barbare të regjimit diktatorial mbi të burgosurit fatkeqë që dërgoheshin atje, mes maleve të thella të veriut.
Komente









