HEC-i Moglicës, punimet për të cilin janë inspektuar sot nga Kryeministri Rama, duket se ka sjellë edhe gjallërimin e zonës përreth ndërtimit, përmes përmirësimit infrastrukturor dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

Plot 1400 punëtorë, kryesisht nga komuniteti i zonës përreth, janë punësuar për ndërtimin e hidrocentralit dhe të rrugëve të zonës.

Në Moglicë dhe fshatrat rrotull është investuar në infrastrukturë, duke ndërtuar apo përmirësuar mbi 100 kilometër rrugë dhe ura – bëjnë me dije burimet zyrtare të kompanisë ndërtuese.

Është punuar në ndërtimin e rrugës së re zëvendësuese Banjë-Gramsh-Ura e Trashovicës, ndërsa projekti lidh Gramshin me Korçën, në zonën e Moglicës dhe më tutje. Kështu projekti, e ka afruar me kryeqytetin zonën e Gramshit, falë rrugëve të bëra nga partneriteti publik-privat.

Me pak investime në të ardhmen mund të mundësohet që gjithë kjo trevë të ketë një lidhje të dyfishtë, pra edhe me Elbasanin. Ndërkohë që shumë banorë kanë rikonstruktuar shtëpitë e tyre për t’i dhënë me qira. Një banesë me qira në Moglicë kushton sot 20 mijë lekë të reja.

Në këtë mënyrë, ndërtimi i HEC-it është një shembull pozitiv se si investimet e huaja vazhdojnë të progresojnë në Shqipëri./lexo

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com