PRISHTINË, 5 Qershor/ATSH/.- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i dorëzoi sot flamurin e Kosovës Komitetit Olimpik të Kosovës, në prag të nisjes në Lojërat Evropiane, që mbahen në Baku të Azerbajxhanit.
Presidentja Jahjaga, në një pritje të organizuar në zyrën e saj, takoi sportistët e Kosovës dhe përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, që për herë të parë përfaqësojnë vendin në sportin ndërkombëtar, dhe iu uroi suksese në Lojërat Evropiane në Baku.
Flamurin e Kosovës, Presidentja Jahjaga ia dorëzoi sportistes së mirënjohur Majlinda Kelmendi.
"Për shtetin tonë, shtetin e ri të Kosovës, nuk ka krenari dhe emocion më të madh sesa për herë të parë ta kemi Kosovën pjesëmarrëse të Lojërave Evropiane dhe, me këtë hap të parë, duke u bërë edhe pjesë e familjes së sportit ndërkombëtar", tha ajo.
"Ju jeni ambasadorët më të mirë që e përfaqësoni shtetin tonë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, përmes këtij aktiviteti. Gjatë gjithë kohës që do të mbahen këto lojëra, me shpirt dhe me zemër, të gjithë qytetarët e Kosovës do të jenë së bashku me juve", iu drejtua Jahjaga sportistëve të pranishëm në takim./KosovaPress//m.m/










