Sali Berisha u paraqit në SPAK para oficerit të Prokurorisë së Posaçme këtë të hënë sipas vendimit të Apelit të Posaçëm. Firmosi paraqitjen dhe doli para militantëve të paktë të mbledhur para selisë së Prokurorisë së Posaçme për të protestuar për masën e sigurisë së tij.
Berisha qëndroi vetëm 5 minuta në SPAK. Ndoshta do të dëshironte të qëndronte më shumë, por ose po tallen me të ose janë aq të bezdisur nga njëri tjetri, sa mezi presin që të mos ia shohin surratin po njëri tjetrit.
Dhe si për të ‘kompensuar’ këtë takim ‘rrufe’ me oficerin e SPAK të ngarkuar për t’i marrë firmën e paraqitjes, kreu i PD doli si i tërbuar nga godina e Prokurorisë së Posaçme, dhe nuk la askënd pa sulmuar. Pasi kishte lënë dhe një shënim, ashtu me shkrim doktori të padëshifrueshëm në proces-verbal, të cilin e ‘përktheu’ po vetë dhe e shpërndau për mediat.
Me një fjalor pa lidhje në pamje të parë, por me të duhurin për hallin e vet personal, pasi sa më shumë mjegull të krijojë rreth vetes, aq më pak do ta kuptojnë militantët që presin çfarë nxjerr ai nga goja, Berisha nuk ka kursyer askënd në sulmet e tij verbale.
Madje Berisha ka premtuar se do të vijojë pa u ndalur të sulmojë këdo që i kujtohet, që nga kreu i SPAK Altin Dumani, si dhe të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm që kanë hetuar apo që kanë në dorë për të gjykuar dhe për të vendosur mbi fatin e akuzave në ngarkim të tij. Ramën po e po, atë e ka ‘target’ për gjithçka.
Për hir të së vërtetës Berisha është shumë i dëshpëruar për faktin se vendimi më i fundit i gjykatës për masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’, pavarësisht se SPAK kishte kërkuar ‘arrest shtëpie’ për liderin e PD, pra ky vendim i Apelit e ka kthyer në pikën zero, të vitit të kaluar. Ku vetëm pse nuk zbatoi vendimin e dhënë ‘detyrim paraqitje’, u ashpërsua masa në arrest shtëpie.
Berisha ka parë që t’i ‘ikë nëpër duar’ tërë mundi dhe djersa e ‘derdhur’ për një vit rresht nga ballkoni i katit të tetë të pallatit të tij, me ato fjalimet pothuajse identike para turmës prej 20-30 militantësh që mblidheshin çdo pasdite tek rrugica e shtëpisë së tij.
Kishte gjetur ‘karar’ Berisha për një vit rresht, pasi kishte një motiv për të dalë përnatë majë të ballkonit, për të bërë viktimën, të arrestuarin dhe të persekutuarin e ‘regjimit’, e për të marrë nëpër gojë apo kërcënuar mbarë e mbrapsht këdo që i binte ndërmend. E si gjithnjë në krye të listës së sulmeve dhe linçimeve ishin ata, Altin Dumani si dhe prokurorët e gjyqtarët e posaçëm, të cilët kanë në dorë dosjet e tij të rënda të korrupsionit dhe krimit. I ka kërcënuar me emër dhe mbiemër, por dhe familjarët e tyre.
Dhe me këtë rast paraqitej para militantëve dhe shqiptarëve si një i persekutuar i regjimit dhe i Ramës që sipas tij urdhëron SPAK për ta burgosur atë në shtëpi, për të mos e lejuar që të bëjë fushatë dhe revolucionin në tentative, që ka sëpaku 10 vite që ka nisur për të mos u bitisur kurrë.
Nxjerrja nga arresti shtëpiak ia shembi Berishës këtë ‘komoditet’ të krijuar për të bërë politikë nga shtëpia, për të mbajtur me gajret militantët se ‘do të përmbysin regjimin që nga arresti’. Përballja me lirinë nuk ndryshoi asgjë në opozitarizmin e PD. Madje e rrudhosi akoma më shumë, aq sa u detyruan të bëjnë ‘mosbindje civile’ ndaj qytetarëve duke ua plasur shpirtin nëpër kryqëzimet e rrugëve, me ata pak njerëz që Berisha arrinte të nxirrte në protestat modeste.
Për më tepër dalja në liri rrugëve i hoqi Berishës tërë alibitë e mundshme të ngritura që nga ballkoni për humbjen e paralajmëruar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit të këtij viti. Pasi e kishte bërë gati alibinë për të justifikuar këtë humbje si dhe për të ‘respektuar’ statutin e PD që e detyron të japë dorëheqjen automatikisht më 12 maj 2025.
Do të paraqitej si një humbës nga arresti, që i kishin vjedhur votat dhe justifikime të tjera të këtij lloji, një ‘film’ ky i njohur tashmë dhe i parë si ‘film’ për 34 vite me radhë, sa herë që Berisha humbet zgjedhjet. Humbje që nuk ndodh asnjëherë për fajin e tij, por sepse ia vjedhin apo blejnë votat. E ka standard justifikimin.
Edhe atë pak “shpresë” që kishte te vendimi i gjyqtarit të Apelit Engert Pëllumbi, që ta rikthente në “arrest shtëpiak” për t’i dhënë ‘statusin’ e të arrestuarit politik, ajo u shua, pasi ky gjyqtar bëri ‘gabimin’ e madh dhe respektoi pikë për pikë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke legjitimuar vendimin e para një viti për masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dhe duke e lënë sërish Berishën me masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dy herë në muaj në SPAK.
Njëherësh me këtë vendim, gjyqtari Pëllumbi ka rrëzuar dhe kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që kërkonte arrest shtëpiak për Berishën. Kuptohet, SPAK ishte i detyruar që të bënte rekurs. Duke marrë mallkimet e Berishës dhe të mbështetësve të tij, të cilët e cilësuan vendimin e gjyqtarit absurd.
Gjykatësi Pëllumbi ia shuajti shpresat Berishës për të pasur një alibi standarde për humbjen e zgjedhjeve më 11 maj. Duke e lënë të lirë rrugëve, përpos dy herë në muaj që i merr vetëm 5 minuta kohë sa për të hedhur firmën para oficerit të SPAK dhe deklaruar prezencën.
Pikërisht ky fakt e ka tërbuar Berishën. I cili e shprehu qartë dhe këtë të hënë para derës së SPAK, teksa foli para ithtarëve të tij me një fjalor të rënduar. Madje gati sa nuk ‘lutej’ që ta fusnin së paku nën ‘arrest shtëpiak’. Që të kishte një alibi. Këtë e përmendi disa herë, teksa deklaroi se SPAK kishte kërkuar që të rikthehet në masën arrest shtëpie. Gati sa nuk ‘mallkoi’ në shqip shqip gjyqtarin Pëllumbi që ia rrëzoi këtë mundësi, këtë shans të kërkuar.
Do të binte rehat, jo vetëm se do të gjente alibinë e humbjes së PD, madje shumë të thellë në zgjedhjet e 11 majit, por do t’i shkonte për shtat dhe për vetë moshën e tij mbi 80 vjeç, tepër e papërshtatshme për të dalë rrugëve dhe bërë fushatë intensive.
Nuk ka më fuqi Berisha të shkojë qytet më qytet e fshat më fshat në takime me njerëzit. Mosha ka bërë të vetën, por e mbajnë në ‘këmbë’ hallet që ka me drejtësinë familjarisht, sepse do ta kishte mbyllur me kohë dhe vakt këtë punën e drejtimit të partisë. Kuptohet, duke ia trashëguar PD-në të bijës, Argita Malltezi Berisha, pa e lënë më në dorë të askujt tjetër.
Me sa duket kujton me nostalgji periudhën e arrestit shtëpiak prej një viti, ku në mënyrën më komode dilte çdo ditë dhe mbante fjalime në majë të ballkonit. Këpuste e jepte edhe lajme që s’kishin lidhje me realitetin, akuza pa lidhje dhe kërcënime si t’i vinin për mbarë, pasi justifikimi ishte gati: Plak njeri dhe për më tepër i izoluar. Nuk ka faj që jeton në një realitet paralel dhe që nuk ka lidhje me jetën reale.
Kishte rënë ‘rehat’ me arrestin shtëpiak Berisha. Ia prishën ‘rehatinë’ e të bërit opozitë pa lëvizur nga shtëpia. Pasi nuk pretendon më për fitore të PD, thjeshtë kërkoi dhe arriti të mundë Lulzim Bashën, duke marrë PD-më me gjithë vulë, logo e seli. Tashmë një grusht deputetësh i duhen, sa për të bërë zhurmë në Kuvend, për të djegur ndonjë karrige, hedhur ndonjë shishe bojë, bllokuar foltoren, arritur ndonjë marrëveshje dhe është kryer puna.
Vendin e dytë PD e ka të garantuar në rang-listën e partive politike në Shqipëri dhe për pasojë dhe të parin ndër partitë opozitare. Pasi vendin e parë, atë të parim fare që të jep mundësi të qeverisësh vendin e ka ‘prenotuar’ PS, me shumë gjasa dhe në mandatin e pestë radhazi.
Hollë hollë Berisha po ndjen një çikë ‘zili’ dhe për Ilir Metën, i cili sikur ka rënë ‘rehat’ në qelinë e burgut. Merret me stërvitje, lexon, shkruan letra. Thonë se i kanë ardhur dhe ‘mendtë’ dhe nuk bën më gomarllëqe. Madje dhe mesazhet që ka nxjerrë nga burgu përmes bashkëpunëtorëve apo miqve të tij, janë tepër të ‘centruara’, çka tregon se nuk i ka ‘prirë’ keq burgu Ilir Metës. Për aq sa ka bërë në paraburgim, pasi nuk i dihet kur të jepet dënimi, nëse do të kthehet sërish në gjendjen e mëparshme, në habitatin e vet, përtej binarëve të mundshëm.
Tani herë-herë i këput ndonjë sulm SPAK dhe Dumanit, thjeshtë për të qenë solidarë me Berishën, siç bëri këtë të hënë sapo mori vesh se të martën është thirrur nga SPAK për t’u pyetur për pasurinë dhe aferën CEZ-DIA. Janë dosje të rënda këto, kjo e dyta ka brenda dhe Berishën me familjen.
Për momentin sikur ka zënë ‘rehat’, po shfaqet si i ‘burgosur politik’, me shpresë të Zotit, mund ta përfshijë dhe Berisha në listën e sigurtë të PD të kandidatëve për deputetë, akoma pa u dhënë vendimi i formës së prerë dhe do të jetë deputet. Në fakt borxh ia ka një mandat deputeti, sepse Meta e mbështeti Berishën, atëherë kur se ‘zinte’ njeri me dorë.
Duke e bërë faktor brenda PD e në politikë, duke futur nën çatinë e LSI kandidatët e “Rithemelimit” për të garuar në zgjedhjet e pjesshme për pushtetin vendor të 6 marsit 2022 dhe në zgjedhjet po vendore të 14 majit 2023.
Meta për momentin i duket Berishës më komod, në atë idenë e tij fikse të gjetjes së një alibie për humbjen e zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti. Meta e ka në ‘xhep’ alibinë e rrënimit të Partisë së Lirisë, duke nxjerrë si justifikim humbjen e thellë në zgjedhje arrestin me burg. Për këtë akuzon ‘regjimin e Ramës’, anipse në të gjitha sondazhet dhe kur ka qenë në liri, Meta shfaqej si më pak i preferuari në të gjitha politikanët shqiptarë, për të mos thënë më i urryeri.
Ndoshta këtë ‘komoditet’ kërkonte dhe Berisha, teksa gati sa nuk i ‘përgjërohej’ publikisht SPAK-ut dhe gjykatës së Posaçme që ta mbyllnin sërish në ‘arrest shtëpiak’. Të paktën deri pas 11 majit 2025. Sa të kalojë këtë hallin e humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare, përballë PS e Ramës.