Jakova:Hoxha frikacak, u fsheh nga
frika në Martanesh, s’kishte rrethim

Jakova:Hoxha frikacak, u fsheh nga<br />frika në Martanesh, s’kishte rrethim
Në librin e tij “Prapaskenat kobzeza të Enver Hoxhës”, botim i vitit 2008, gjeneral major Ernest Jakova i bën një skaner gjithë veprimtarisë kriminale të diktatorit Enver Hoxha si gjatë viteve të luftës dhe më pas, me instalimin prej tij të një prej diktaturave më të ashpra. Për periudhën e pasluftës autori ndalet kryesisht e analizon gjendjen në ushtri dhe prapaskenat në Ministrinë e Mbrojtjes.

Libri i tij, si një dëshmitar i afërt në shumë ngjarje të prekura vlen si një reference e vlefshme për studiuesit, ndërsa për lexuesit vlen ta rikthejmë vëmendjen tek ky libër sidomos këto ditë kur po artikulohen mendime për një rehabilitim të figurës së Enver Hoxhës.

Pasi analizon në tre kapituj të librit shumë teza që trajtojnë prapaskenat tij në drejtimin e Partisë Komuniste, por edhe të Luftës ndaj okupatorëve nazifashistë, e më tej instalimin e metodave më të egra të diktaturës dhe prapaskenave me grupet armiqësore në ushtri, Gjeneral major Ernest Jakova shtron në librin e tij 17 pyetje dhe përgjigje që shumëkush mund ti ketë artikuluar këto 27 vite pas rrëzimit të komunizmit. Dhe në fund të 17 pyetjeve ai sjell një epilog për çështjen që trajton të përmbledhur në  6 konkluzione.

Trajtesën me 17 pyetje e përgjigje të autorit dhe 6 konkluzionet e tij mbi “prapaskenat kobzeza të Enver Hoxhës” do i sjellim për lexuesit tanë në tre numra të gazetës “Shqiptarja.com”. Dje botuam pjesën e parë të kësaj analize. Sot në pjesën e dytë do të trajtohen disa prej dobësive të karakterit të Enver Hoxhës, shfaqur në disa prej ngjarjeve kryesore ku ai diktoi mizorinë e tij për ti fshehur ato dobësi...
Ad.Pe.

(Vijon nga dje...)
 
8. Enver Hoxha ishte trim apo frikacak?
Përgjigje: Për t’i dhënë përgjigje të plotë e të saktë kësaj pyetjeje, më parë duhet të japim disa përkufizime: çfarë është frika? Çfarë është trimëria? Dhe, cila është lidhja midis tyre? “Frika te njeriu është një turbullirë e fortë shpirtërore para një rreziku real apo imagjinar”.

Kurse “Trimëria është aftësia e njeriut për të mposhtur frikën”. Sa më shumë aftësi për të mposhtur frikën ka njeriu, aq më trim është ai. Pra, shkalla e trimërisë në raport me frikën te njerëzit është e ndryshme.

Por, ka edhe njerëz të tillë të rrallë, që nuk kanë fare aftësi për të mposhtur frikën dhe këta tërë jetën mbeten frikacakë. Po japim disa shembuj: ndër komandantët trima të njësive të ushtrisë nacionalçlirimtare, më të dalluar të tillë ishin Mehmet Shehu komandant i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Petrit Dume komandant i batalionit “Hakmarrja” etj.

Gjithashtu ndër atentatorët e shumtë, më trimat e trimave kanë qenë Kajo Karafili dhe Myslym Keta. Këta më shumë ishin bërë tmerr për armikun okupator dhe tradhtarët e vendit.

Kurse, Enver Hoxha, që ishte Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si pa arsim ushtarak të lartë dhe pa përvojë, që kishte nevojë të drejtonte në luftë herë njërën njësi e herë tjetrën për t’u aftësuar në drejtimin e luftimeve, betejave dhe operacioneve, asnjëherë nuk e bëri këtë, as në rastet kur kjo ishte nevojë e domosdoshme.

Më kujtohet kur një natë dimri me shi të hollë të dhjetorit 1943, Brigada e Tretë Sulmuese duke marshuar në afërsi të fshatit Shmil të Çermenikës së Zezë, takohet me kolonën e vogël me kafshë të Enver Hoxhës që vinte përballë. Ai nuk e shfrytëzoi rastin për të drejtuar brigadën në luftë kundër armikut që kërkonte situata, por menjëherë u largua me kolonën e tij në drejtim të maleve të Martaneshit, ku qëndroi i fshehur gjatë gjithë atij dimri.

Grupi i tij përbëhej nga 20 veta, 10 prej të cilëve ishin partizanë për roje. Në përbërje të grupit me të kishte qenë edhe Muhamer Spahiu, i cili më ka thënë tekstualisht: “Të gjithë mbanin qëndrim si në luftë. Kishim dalë partizanë me armë në dorë vullnetarisht për të luftuar armikun.

I vetmi që kishte frikë aq shumë sa nuk e fshihte dot, ishte Enver Hoxha”. Një frikë edhe më e madhe e llahtarshme e kishte kapur Enver Hoxhën kur Shqipëria u prish me Bashkimin Sovjetik, më 1960. Siç kemi thënë më sipër, duke e ndjerë veten fajtor për krimet e rënda që kishte bërë në Shqipëri në kohën e Stalinit dhe duke e parë veten të zbuluar, pa mbrojtje të sigurt, si më parë dhe në rrezik për t’u eliminuar nga një lloj “puçi ushtarak”, që ai mendonte s’mund t’i vinte nga kuadrot kryesore ushtarake të ushtrisë, të cilat ai i ka konsideruar kundërshtare të tij dhe si të tilla kishte vendosur t’i eliminonte.

Kësaj radhe rreziku që i kanosej Enver Hoxhës nga puçi ushtarak ishte vetëm imagjinar në mendjen e tij, sepse veprime ushtarake për të kryer puç ushtarak nuk kishte dhe nga hetimet dhe gjykimet e shumta që i ishin bërë të pandehurve kuadro të ushtrisë nuk kishte dalë asgjë për të.

Ai ishte i sajuar nga vetë Enver Hoxha për të justifikuar eliminimin e tyre. Dhe kjo është hera e dytë që ai trembet kaq shumë, që tregon se Enver Hoxha nuk kishte fare aftësi për të mposhtur frikën dhe tërë jetën kishte mbetur frikacak. Një frikacak i madh, por me përgjegjësi tepër të larta: kryetar partie, kryetar shteti dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë.

I fshehur pas këtyre dhe duke u mbështetur fort në forcën e madhe të partisë, Enver Hoxha me rrugë shtetërore kishte likuiduar të gjithë ata që ai, si frikacak që ishte, mendonte se vinin në rrezik jetën dhe interesat e tij personale. Kurse me dorën e vet një frikacak i tillë nuk guxon të therë e të bëjë me gjak as edhe një zog pule. Një rrufjan politik frikacak, mashtrues e i pabesë, kriminel e tradhtar, me fytyrë njeriu e ndjenja kafshe.
 
9. Përse Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Enver Hoxha, gjatë tre  vjetëve luftë nuk u bë ushtarak i kualifikuar?
Përgjigje: Së pari, sepse ai ishte pa arsim ushtarak dhe nga natyra ishte frikacak dhe pa aftësi për të mposhtur frikën, dhe rrjedhimisht nuk ishte marrë me drejtimin e luftës.

Së dyti, sepse mësuesi dhe komandanti i tij Miladin Popoviqi nuk i mësoi asgjë ushtarake atij, duke e parë se ushtria gjermane e kishte të humbur luftën dhe do të largohej nga Shqipëria.

Ka mundësi që të ishte edhe ai pa arsim ushtarak. Ai ishte i preokupuar për dy çështje kryesore: që PKSH të ishte gjithnjë e më shumë pro jugosllave dhe që lufta për çlirimin e Shqipërisë të drejtohej vetëm nga PKSH (pa Ballin Kombëtar dhe Legalitetin), se vetëm kështu mund të realizoheshin interesat jugosllave në Shqipëri.

Në këto kushte drejtimi i luftës për çlirimin e Shqipërisë në tërësi dhe i operacioneve strategjike në veçanti, është bërë praktikisht nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Spiro Mojsiu bashkë me komandantët e Korparmatave: Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Tuk Jakova, Tahir Kadareja etj., të cilët me aftësi të larta drejtuese dhe me veprime luftarake të guximshme heroike, e çuan luftën deri në fitore në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Karakteristikë në luftën partizane është se detyrat luftarake, njësive u vihen në forma direktive (jo urdhri) për një kohë të gjatë, që kërkojnë iniciativë të gjerë dhe liri të madhe veprimi në realizimin e detyrave.
 
10. Përse kuadrot kryesore ushtarake të ushtrisë nuk bënë puç ushtarak kundër Enver Hoxhës, kur ai e priste atë?
Përgjigje
: Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje më parë duhet të themi se çfarë është puçi ushtarak dhe cili ishte qëndrimi i kuadrove të ushtrisë dhe ai i Enver Hoxhës?

“Puç ushtarak” është përmbysja e një qeverie të ligjshme, me prerje në besë nga njerëz të vetë asaj, me veprime dhune të befasishme në kohë të shkurtër dhe marrja e pushtetit. Si i tillë puçi ushtarak është i dënueshëm ligjërisht dhe njerëzit që e kryejnë atë janë të pabesë, kriminelë dhe tradhtarë. Për këtë arsye puç ushtarak në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë. Prandaj, edhe në rastin e kuadrove të ushtrisë nuk mund të kishte.

Qëndrimi i kuadrove të ushtrisë ka qenë si vijon: ata vazhdonin të mbanin qëndrim gjithnjë me atdhetari më të lartë dhe njëkohësisht me partishmëri të lartë, të cilat po i demonstronin në punën e tyre të përkushtuar që bënin për t’i bërë ballë me heroizëm një agresioni të mundshëm nga ana e Bashkimit Sovjetik dhe kjo ishte më se e drejtë.

Ndërsa, Enver Hoxha me kuadrot e partisë, të pushtetit dhe të Sigurimit të Shtetit, të zhytur në krime dhe tradhti të shumta, kishin kohë që kishin degjeneruar dhe e ndjenin veten fajtorë pa rrugëdalje aq shumë sa Enver Hoxha priste puç ushtarak nga kuadrot e ushtrisë, se ishin të pastër pa krime. Dhe ky qëndrim i tij ishte tepër i padrejtë.

Likuidimi i kuadrove të ushtrisë nga Enver Hoxha, si i vetmi element i shëndoshë që kishte mbetur, shënon fundin e PPSH, të cilën Enver Hoxha e ka lënë tërësisht të degjeneruar. Enveristët e sotëm që drejtojnë partitë e majta dhe pjesërisht ato të djathta, janë elementi më i degjeneruar i saj, ku më të degjeneruarit janë ata me përgjegjësi më të larta.

Prandaj nga këta nuk mund të pritet asgjë e mirë për Shqipërinë. Enveristët e mbrojnë Enverin për të mbrojtur veten e tyre, për të mohuar e fshehur krimet dhe tradhtitë e shumta që kanë bërë bashkë me të. Të majtët e sotëm mashtrojnë kur deklarojnë se kanë hequr dorë nga “lufta e klasave”, sepse po hoqe dorë nga lufta e klasave, ke hequr dorë njëkohësisht nga qenia i majtë.
 
11. Enver Hoxha kishte disa parime të veçanta personale.
Përgjigje: 1) Vënia e interesave jugosllave e sovjetike dhe e të tijave vetjake mbi çdo gjë.

2) Përvetësimi i punëve të mira të të tjerëve dhe i lavdisë së tyre, sepse ato duhet t’i përkasin vetëm atij.

3) Të gjithë ata që ishin më të shquar dhe trima të vërtetë, ai i konsideronte rrezik për të, i mbante në evidencë dhe i likuidonte.

4) Të gjitha krimet që ai bënte, ia atribuonte partisë: “E bëri Partia” dhe ajo ishte e pagabueshme, duke fshehur pas saj veten e tij.

5) Kuadrot kryesore i detyronte të firmosnin një deklaratë se ishin dakord me masën me pushkatim për personat e rëndësishëm të partisë.

6) Diktaturën komuniste e paraqiste si regjimin shoqëror më demokratik.

7) Nxiste dhe përkrahte nismat për paraqitjen revolucionare të jetës së vendit dhe dhënien e dekoratës “Hero i Punës Socialiste”.

8) Traditat e larta të shqiptarit, si trimëria, burrëria, besa, bujaria, mikpritja etj., që janë krenaria e popullit shqiptar, i zëvendësoi me edukimin e veseve më të këqija të edukatës njerëzore siç janë frika, pabesia, hakmarrja, mëria, dhuna, krimi dhe tradhtia etj.

9) Eliminoi patriotizmin, dashurinë për atdheun, flamurin e familjen dhe i zëvendësoi ato me shfaqjen e dashurisë e besnikërisë karshi Enverit e Partisë.

10) Dështimet e herëpashershme të paevitueshme në ekonomi ai i kthente në arritje, duke zhvilluar gjyqe në parti e në shtet kundër disa kuadrove të partisë me akuzën: armik sabotues, agjent e poliagjent e pushkatues dhe duke e paraqitur veten çdo herë vigjilent e shpëtimtar të Shqipërisë.

11) Fajet ua hidhte të tjerëve. Kështu bëri me Ymer Dishnicën në Mukje, me Liri Gegën në Berat, me Koçi Xoxen në Plenumin e 11-të e në Kongresin e Parë të Partisë.

12) Drejtonte personalisht Sigurimin e Shtetit, për të ruajtur veten e tij nga të papriturat. E quante atë “arma heroike e Sigurimit”.

13) Arma e tij personale e pamëshirshme ishte prapaskena kobzezë kombinuar me autoritetin e partisë dhe të tijin diktatorial.
 
12. Cilat ishin mosmarrëveshjet midis Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes?
Përgjigje: Midis Beqir Ballukut ministër i Mbrojtjes dhe Petrit Dumes Shef i Shtabit të Përgjithshëm, ka pasur mosmarrëveshje të theksuara lidhur me kryerjen e detyrave të tyre funksionale që vinin: 1) nga niveli i ndryshëm i përgatitjes ushtarake të tyre; 2) nga shkathtësia e ndryshme e tyre në kryerjen e detyrave.

Beqir Balluku ishte pa arsim të lartë ushtarak, me intelekt mediokër dhe i ngadaltë në punë. Kurse Petrit Dume kishte kryer dy akademi të larta ushtarake “Frunze” dhe “Voroshillov” në Bashkimin Sovjetik, pra, me dije të larta ushtarake, me nuhatje e intuitë të zhvilluar, tepër dinamik në punë dhe me kërkesë të lartë në zbatimin e detyrave, qëndronte në lartësinë e kërkesave të kohës.

I tillë, dinamik e kërkues ai kishte qenë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ku ishte dalluar për rezultate të larta në drejtimin e luftimeve. Pra, shumë më lart se Beqir Balluku.

Kështu, ndërsa kryerja e detyrës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm për Petrit Dumen ishte një kënaqësi, kryerja e detyrës së ministrit të Mbrojtjes për Beqir Ballukun ishte një torturë, të cilës ai i qe nënshtruar. Petrit Dume ankohej se Beqir Balluku e pengonte në kryerjen e detyrave të tij funksionale dhe kjo ishte e vërtetë.

Beqir Balluku ankohej se Petrit Dume po i merrte kompetencat e ministrit të Mbrojtjes. Pra, Petrit Dume ishte plotësisht kompetent për detyrën e tij funksionale, kurse Beqir Balluku nuk ishte plotësisht. Megjithëse kjo anomali dhe këto kontradikta midis Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes njiheshin me hollësi nga Enver Hoxha, ai kurrë nuk i normalizoi por i nxiti për t’i përdorur edhe ato për justifikimin e eliminimit të tyre dhe të kuadrove kryesorë ushtarakë të ushtrisë.
 
13. Përse për bëmat e Enver Hoxhës nuk flitej më parë?
Kjo pyetje bëhet në formë akuze nga enveristët.

Përgjigje: Dijet dhe bindjet te njeriu nuk janë të njëjta pa ndryshim gjatë gjithë jetës së tij. Por ndërsa dijet rriten me ndryshim të ngadalshëm pa ndërprerje, ndryshimi i bindjeve është shumë i rrallë dhe bëhet me hope. Si shembull konkret këtu kemi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik për kalimin nga bindjet socialiste komuniste në bindjet demokratike kapitaliste.

Në këtë ndryshim të bindjeve u përfshi edhe vendi ynë. Ky ndryshim i bindjeve në këtë rast është progresiv dhe i domosdoshëm.

Ai ka ndodhur jo më parë, por vetëm në kohën kur u përmbys diktatura komuniste. Këtu, pretendimi i enveristëve për t’i ndenjur besnik Enver Hoxhës dhe komunizmit, është krejt i padrejtë dhe pa kuptim.

Për sa i përket krimeve dhe tradhtive të Enver Hoxhës, kuadrot e ushtrisë, duke mos marrë pjesë në to, nuk kanë qenë në dijeni të plotë të tyre dhe përgjegjësia këtu është morale, kurse për enveristët është penale. Kulti i individit të Enver Hoxhës në atë kohë ishte ngritur aq shumë sa përjashtonte çdo kritikë kundër tij. Në kushtet e atëhershme nuk mund të veprohej mbi bazën siç mendohet tani, ashtu siç nuk mund të veprohet sot mbi bazën siç mendohej atëherë siç bëjnë enveristët.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar