Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për të ardhmen e vendit.
Gjatë takimit me socialistët në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Tiranë, Rama tha se përballja e sotme nuk është një betejë që kërkon sakrifica të jashtëzakonshme, por angazhim qytetar dhe patriotik për të çuar përpara interesin kombëtar.
Sipas Ramës, mbështetja për Partinë Socialiste në këtë fazë lidhet drejtpërdrejt me objektivin strategjik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Të rreshtohesh sot me PS-në është të rreshtohesh me fuqinë e shqiptarëve për ta çuar Shqipërinë krenare aty ku për shumë kohë është parë si një vend me bisht”, deklaroi kryeministri.
Ai paralajmëroi se jo të gjithë aktorët politikë, brenda dhe jashtë vendit, e mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Nuk është një luftë më armë, nuk i kërkohet njeriu të shesë pasurinë për kauzën. Gjëra që i kanë bërë rilindasit tanë, heronjtë tanë. Nuk i kërkohet njeriu të bëjë asgjë më shumë se qytetarin e mirë e patriot. Të reshtohesh sot me PS është të rreshtohesh me fuqinë e shqiptarëve për ta çuar Shqipërinë krenare aty ku është parë si një vend me bisht. Mos kujtoni se të gjithë e duan Shqipërinë në BE. Në çdo shtet të Europës ka forca që nuk e duan, këtu në Shqipëri ka forca që punojnë kundër Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pra po na rrëshqiti ky moment, jo për të mbuluar gabimet apo për të mos dalë e treguar kazanët me plehra, por për t’i mbajtur sytë te horizonti. Nuk do të jetë e lehtë do të jetë edhe më e vështirë”, tha Rama në takimin me socialistët në 35 vjetorin e PS në Tiranë.
Lajmi kryesor:
PS Tiranë feston 35-vjetorin e themelimit, Rama: Vlerësoj maksimalisht punën e patronazhistëve! S'kemi kërkuar lirimin e Veliajt, sado i padrejtë të na duket arrestimi i tij









