1 vit pas transferimit të bujshëm nga kampionati shqiptar te Metzi në Francë, Xhuliano Skuka është rikthyer sërish te Partizani. 25-vjeçari i cili kaloi një periudhë të vështirë, fillimisht te Metzi dhe më pas 6 muaj te Maribori në Slloveni, ka vendosur ta nisë edhe njëherë aty ku e la në futbollin shqiptar. Partizani e ka huazuar deri në fund të sezonit, ndërsa pagat e sulmuesit do ti mbulojë klubi francez. Skuka ka nisur menjëherë përgatitjet më të kuqtë në Antalia, ndërsa menjëherë është shprehur se kërkon që Partizani të ruajë titullin kampion.
“Unë kam shumë besim tek kye kip. Kam parë edhe ndeshjet e fundit e mund të them se cilësia nuk mungon. Grupi është dhe besoj se me pak fat do arrijmë t’ia dalim,”-u shpreh Xhuliano Skuka, futbollist i Partizanit.
Skuka në këtë aventurë të dytë te kampionët në fuqi kishte një mesazh për tifozët.
“Kam marrë shumë, pafund mesazhe dhe besoj se do shërbejë për mirë. Të rrit moralin dhe të them të drejtën në dy ekipet e fundit më ka munguar. Besoj se me arritjen e objektivave mund ti gëzojmë shumë. Dua t’iu shoh sa më shumë në stadium dhe iu them mos harroni unë jam njëri prej jush,”-tha Xhuliano Skuka, futbollist i Partizanit.
Përveç Skukës Partizani ka afruar në merkaton e janarit edhe mesfushorin 21-vjeçar nga Gjilani Redon Ismaili, i cili ka firmosur për 2 vite, ndërsa janë larguar Eros Grezda, Da Silva, Sabit Bilali dhe Mateo Kocijan.
Sakaq ndryshimet më të mëdha në Superligë i ka bërë Egnatia që udhëheq kampionatin, duke afruar futbollistë si Mario Gjata, Montenegro, Fransua Dylis dhe Melih Ibrahimoglu, ndërsa edhe largimet kanë qenë të shumta. Pas Emniliano Mustës, Bledar Lilës, Stiven Jankut, golashënuesit Isgandarli sëfundmi flitet edhe për Paulaskas. Lituanezi, i cili ka bërë disa herë diferencën, është drejt transferimit në kampionatin ukrainas. Edhe Dinamo s’ka qëndruar duarkryq duke afruar futbollistë si Jorgo Meksi, Bamba, Stiven Janku, Kilian Çuni dhe pritet së shpejti edhe Nijaz Isufi.