Kandidatja e PD-së në Gjirokastër, Entela Shehaj për Report Tv: Në listën tonë ka pedagogë e intelektualë, do tërheqim edhe elektoratin gri

Entela Fico Shehaj është kandidate për deputete, e treta në listën e PD-së në qarkun e Gjirokastrës. Ajo është pedagoge dhe synon t’i garantojë kësaj të fundit votat për fitoren e 25 prillit. Në një intervistë për Report TV Shehaj tha se lista e PD në Gjirokastër është e përfaqësuar nga profesionistë që kanë tituj dhe grada shkencore dhe kjo sipas saj, kandidatët do të fitojnë besimin edhe të elektoratit gri që është i lëkundur që më pas do të përkthehet në vota për demokratët në kutitë e votimit më 25 prill.

Shehaj tha se programi i Bashës ka në qendër familjen, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e vendit në BE dhe se qytetarët duhet të kenë besim se ndryshimi do të vij pas 25 prillit. Shehaj ka treguar se si e ka pritur ftesën e Bashës për të qenë pjesë e garës.

"Të falënderoj që më prite për këtë intervistë. Ashtu sikurse e përmende, unë jam politikisht e re në listën e kandidatëve të PD-së. Unë gjithmonë kam qenë mbështetëse e PD-së, por gjithmonë në nivele teknike dhe profesionale. Këtë ftesë kësaj here, unë mendova se ishte momenti edhe profesionalisht e pjekur, edhe e pjekur në moshë, që mund t’i bashkohesha politikisht PD-së, por arsyeja ndoshta më e rëndësishme që unë pranova të dal politikisht në listën e kandidatëve të PD-së në qarkun e Gjirokastrës, për faktin se mendoj që zgjedhjet e 25 prilli janë po aq të rëndësishme sa zgjedhjet e vitit 1992, kur ne i dhamë fund atij sistemi diktatorial, sepse mendoj që sistemi i ngritur në 8 vite nga Rilindja, është pothuaj i njëjtë me atë sistem që ne e lamë prapa me votën tonë më 1992. Më shumë se kaq nuk mund të thuash pse bëhem pjesë politike në listat e kandidatëve, sepse unë dua një Shqipëri të mirë për familjen time, për fëmijët e mi dhe pse jo, edhe për qytetarët e mi, qytetarët e Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë.", tha Shehaj.

Lexoni intervistën e plotë

Në takimet që ju keni pasur me qytetarë të ndryshëm në të shtata bashkitë e qarkut të Gjirokastrës, cili ka qenë interesi i tyre për të qenë dhe për të votuar gjatë 25 prillit?

Po patjetër, pavarësisht se unë jam nga qyteti i Gjirokastrës dhe gjirokastritët më njohin mirë, por kjo nuk do të thotë që unë takimet i kam zhvilluar vetëm në Gjirokastër apo në rrethin e Gjirokastrës. Unë kam zhvilluar takime në qytetin e Përmetit, në disa fshatra të Përmetit, në Tepelenë, në disa fshatra të Tepelenës, me qytetarë dhe qytetare të të gjithë qarkut të Gjirokastrës, për t’u njohur me problemet dhe me hallet e tyre, por edhe ata të njihen me kandidatët e listës së PD-së. Pavarësisht se lista e PD-së është e pasur në kuptimin e gjashtë emrave që janë atje, të gjithë përfaqësues të qarkut, të gjithë të njohur në qark, ne, secili nga kandidatët, kemi lëvizur edhe në qytetin tjetër që i përket qarkut si Tepelena dhe Përmeti, edhe njëherë për t’iu prezantuar atyre dhe për t’u treguar se kandidatët e PD-së janë vërtet njerëz që përfaqësojnë qarkun e Gjirokastrës.

Zonja Fico, ju në fakt keni qenë e angazhuar tek ERE gjatë 8 viteve të kryesimit të PD-së dhe të aleatëve të saj në krye të ERE-s, gjatë viteve 2005-2013. Njëkohësisht keni qenë edhe pjesë e hartimit të programit të PD-së për sa i përket çështjes së energjitikës. Keni ndoshta edhe synimin për të qenë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar të pas 25 prillit?

Është e vërtetë që unë kam qenë, ashtu sikurse e thashë në fillim, mbështetëse e PD-së, por në anën profesionale dhe në anën teknike dhe padyshim që para një viti e gjysmë u bëra pjesë e grupit të ekspertëve që hartuam programin për sektorin e energjisë dhe mbështetja ime ka qenë dhe do të jetë për PD-në, do t’i shërbej qeverisjes së PD-së ku të jetë e nevojshme, për t’i shërbyer këtij vendi në kuptimin për ta ndryshuar këtë vend. Pastaj të tjerat nuk është ndoshta momenti që t’i diskutojmë. Këto gjëra do të vijnë më pas. Për ne objektivi kryesor në momentet që flasim, është të mundësojmë ndryshimin më 25 prill, të bindim shqiptarët sepse ne jemi forca që do të bëjmë ndryshimin e duhur për të gjithë shqiptarët. Ne jemi ata që do ta çojmë Shqipërinë drejt BE-së. Dhe jemi pjesë apo jo ne kandidatët e pozicioneve të caktuara, nuk është kjo e rëndësishme tani që po flasim.

Cili është avantazhi që ju keni, pra lista e kandidatëve të PD-së të qarkut të Gjirokastrës, në raport me listën që paraqet PS-ja?

Ashtu sikurse edhe ju e përmendët, disa karakteristika të dukshme të listës së kandidatëve të PD-së, që të gjithë kandidatët e PD-së, janë figura profesionale përpara se të jenë figura politike. Pra, që të gjithë janë me një eksperiencë në profesionin e tyre, edhe me tituj dhe me grada shkencore. Janë këtu ku janë profesionalisht jo për shkak të politikës, por për shkak të punës, të përpjekjeve të tyre profesionale. Ne, po të shikosh, gjatë të gjithë fushatës nuk kemi bërë asnjëherë krahasime me listën e kandidatëve të Rilindjes, për vetë faktin sepse për sa kohë ata janë në listën e Ramës, që e dimë të gjithë çfarë ka bërë dhe si e ka katandisur këtë vend, e këtë Gjirokastër e këtë qark, për ne nuk janë më të rëndësishëm emrat në listën e tyre. Por, edhe nëse u futemi emrave, unë di që janë vetëm emra politikë dhe nuk di ndonjë histori profesionale, eksperiencë të dëgjuar të ndonjërit prej tyre përpara se të bëheshin politikanë. Dhe ky është avantazh i dukshëm i listës së PD-së. Ashtu sikurse e thatë, që të gjithë me radhë, nga i pari deri te numri 6. I pari është prof. Tritani dhe numri 6 është doktoresha, që është doktoreshë e njohur në Përmet. Që të gjithë janë përfaqësues të qarkut. Neve na njeh qarku dhe qytetarët e qarkut Gjirokastër kanë besim te lista e kandidatëve të PD-së. Njerëzit më kanë mirëpritur dhe përveç faktit që unë shikoj entuziazëm të gjithanshëm për ndryshimin më 25 prill, unë shikoj entuziazëm edhe te një pjesë e caktuar e gjirokastritëve apo qoftë edhe në pjesë të tjera të qarkut, për figurën ime personalisht sepse unë jam një individ që nuk është se thjesht kam origjinën nga Gjirokastra. Unë kam lindur, kam jetuar, kam punuar në Gjirokastër dhe gjatë gjithë kësaj kohe më ka lidhur puna dhe jeta me shumë njerëz dhe përveç faktit që shumica e gjirokastritëve kanë krijuar një besim të padiskutueshëm ndaj familjarëve të mi, prindërve të mi, për profesionin që kanë pasur si mësues, apo të motrës sime si mjeke kirurge në Gjirokastër. Ata kanë krijuar gjatë gjithë kësaj kohe një besim te figura ime personale. Dhe kam përshtypjen vetëm për faktin kjo pjesa gri, kjo pjesa e lëkundur, për faktin se më njohin personalisht, ndoshta kanë krjuar edhe atë besimin më të madh individualisht dhe mendojnë që unë mund t’i përfaqësoj shumë mirë nesër si një nga figurat politike në parlamentin shqiptar. Pastaj rezultatin më 25 prill ne do ta shikojmë të gjithë, por unë kam shumë besim te qytetarët e Gjirokatrës dhe të të gjithë qarkut, që do të votojnë ndryshimin më 25 prill.

Si do ta vlerësonit ju angazhimin tuaj në politikë dhe njëkohësisht dhe pesha e mbiemrit tuaj, e mbiemrit Fico, i cili ka një trashëgimi të hershme për sa i përket angazhimit në politikë, duke marrë parasysh këtu edhe Rauf Ficon, një prej figurave të mëdha të spektrit politik gjirokastrit.

Unë pak a shumë e përmenda që padyshim historia familjare është shumë e rëndësishme si mbështetje shumë e fortë për mua në Gjirokastër. Është aset pa diskutim, për shkak se është histori familjare që ka bërë emër të mirë në Gjirokastër, por jo vetëm, sikurse edhe ju thatë, Rauf Fico ka qenë një nga paraardhësit e mi, një figurë e shquar që në fakt sistemi diktatorial nuk e përmendi asnjëherë. Pavarësisht se është shpallur nderi i qytetit para dy vitesh, nga këshilli bashkiak, prapë ishte shumë i vonuar një vlerësim i tillë për një individ aq të vlerësuar në fakt, më shumë nga të huajt ndoshta sesa nga shqiptarët. Rauf Fico ka qenë shqiptar atëherë kur nuk ka pasur Shqipëri, janë shprehjet që janë thënë për të dhe kjo pastaj është vazhduar me të gjitha familjet Fico në Gjirokastër, që të gjitha figura të nderuara, intelektuale por që gjithmonë kanë qenë në shërbim të qytetarëve dhe gjithmonë kanë krijuar besim te qytetarët.

Përse duhet t’ju votojnë juve gjirokastritët, përmetarët, tepelenasit, më 25 prill?

E para pse duhet të votojnë PD-në, sepse unë jam një nga kandidatet e PD-së në qarkun e Gjirokastrës. Kjo është bërë e ditur nga të gjithë, nga kryetari Basha me programin që kemi, të detajuar për çdo element, për çdo problematikë të shqiptarëve dhe ajo çfarë është e rëndësishme është që ne do të futemi në çdo familje për të rregulluar situatën e çdo familjeje. Dhe është vetëm PD-ja, me programin e saj, që do ta çojë Shqipërinë drejt BE-së dhe rruga drejt BE-së do të thotë një Shqipëri e zhvilluar, një familje e shëndetshme dhe shqiptarë që do të rrinë në Shqipëri dhe nuk do të ikin nga Shqipëria. Kjo ishte për të mos u zgjatur me detajet e programit se ndoshta do të kërkojë shumë më gjatë po të futemi në elementet e tij. Pastaj duke dalë tek emri im personal, ne shumë gjëra i diskutuam pak më parë, unë i ftoj gjirokastritët dhe të gjithë qytetarët e Gjirokastrës që të votojnë për kandidatin në listën e PD-së, që ata kanë besim dhe që ata mendojnë se i përfaqëson më mirë. Dhe kjo listë është e pasur për të gjithë qarkun.

Ju faleminderit!

Faleminderit juve!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • alban: 22/04/2021 09:55

    me te vertete ka intelektuale ne grupin e armatosur te pd per mbrojtjen e votave. nga ata qe te vrasin dhe te thone je kriminel pasi te vrasin. pd me arme ata kriminelet pa arme. dhe e quajne veten intelektuale. vrane ne pushtet vrasin ne opozite. parti kriminale

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Kristjan Asllani i katërti, kush janë tre shqiptarët e tjerë që kanë fituar Serie A

Kristjan Asllani i katërti, kush janë tre shqiptarët e tjerë që kanë fituar Serie A