Kanita, pse po të rritin përpara kohe?!

Kanita, pse po të rritin përpara kohe?!
Dikur ka qenë një tregim për fëmijë “Mira që donte të bëhej e madhe”. Me siguri shumë nga ata që janë në të 30-at e tyre e mbajnë mend në shkollën fillore  Mirën, e cila vishte rrobat e nënës së saj për tu dukur më e madhe. E, si shumë nga tregimet  e asaj kohe, sigurisht edhe tregimi me protagonist Mirën kishte një moral në fund; të rritej pastaj të mund t’i vishte ato rroba. Shumë nga ne kur kanë qenë të vegjël mezi prisnin të rriteshin, po ama askush nuk na lejonte të jetonim si të rritur, as të visheshim si të tillë, e as të jetonim me shqetësimet që nuk i përkisnin moshës sonë.

Sot është e vështirë ta përcaktosh saktë se kur maturohen fëmijët. Shumë 10 vjeçar në fakt sillen si të jenë 20, por ky është një problem tjetër për të cilin më mirë mund të flasin sociologët apo psikologët se pse dhe si ndikon mjedisi i jashtëm dhe familja në sjelljen e tyre sociale. Ç udia këtë herë vjen nga një vajzë e vogël e talentuar, e cila ka qenë pjesë e talent-shout X-factor. Bëhet fjalë për Kanita Sumën, e cila së fundmi ka nxjerrë një klip që e titullon “Ëndrra ime”.



Dhe sigurisht ëndërra e saj është muzika dhe të bëhet një këngëtare e madhe në të ardhmen, gjë që ne ia urojmë me zemër. Veçse kush ka pasur idenë e këtij klipi ka menduar që Kanitën ta veshë si një vajzë 20 vjeçare, e pse jo edhe sjelljet në klip të jenë si të një të rriture. Komentet e shumta të bëra në Youtube, shprehin shqetësim për atë se si e kanë katandisur këtë vajzë të vogël, e cila nuk e ka prekur ende adoleshencën e saj. Truk i ekzagjeruar, veshje që s’kanë lidhje me një fëmijë të moshës së saj, prej 12 vjeçareje. 

Megjithatë klipi vazhdon të transmetohet dhe Kanita është bërë një vajzë e rritur pa qenë e tillë. Madje dhe e famshme, por a ia vlen që për famën të vishet si një 20 vjeçare? Këtë më mirë e dinë prindërit e saj, ne vetëm mund të paraqesim atë çfarë ndodh dhe çfarë komentohet kryesisht në rrjetet sociale, e ndoshta të japim edhe një opinion. Dhe kësaj here fatkeqësisht komentet nuk kanë qenë pozitive. Dikur edhe Mariza Ikonomi këndonte krah Françesk Radit “Telefonatë Zemrash”, por këndonte si një fëmijë i moshës së saj, e sërish u bë e famshme, u bë këngëtare e madhe, pa pasur nevojë për make-up dhe veshje grash në skenë.



A është ky modeli i famës që duhet të serviret, së fundmi edhe për fëmijët;  Make-up, taka, truk i rënduar, seksualitet për fëmijë kaq të vegjël? Dikush ndoshta duhet të shqetësohet që të vijmë në vete, ne dhe arti ynë, e mos të bëjmë gafa si në “Eurovizion Junior” ku e ngjitëm një vajzë 10 vjeçe në skenë me një fustan  dekolte të ekzagjeruar, që nuk mbeti vend pa u komentuar për keq, aq sa organizatorët e këtij festivali kërkuan të ndryshohej veshja që të lejonin ngjitjen në skenë. 

Personalisht  nuk dua ta “bëj pis” ëndrrën e Kanitës me asnjëlloj komenti negativ dhe gjithsesi jam e bindur se edhe pa u sjellë si e madhe tani që është e vogël, suksesi do e gjej rrugën tek ajo. Suksesi do të vijë tek ty nëse ke talent Kanita. Nuk ka nevojë për ato rroba, as për atë make-up. Rritu si fëmijë, sillu si e vogël, ashtu siç  je, sepse më beso ne të mëdhenjtë çfarë nuk do jepnim të  ishim dhe njëherë aq sa je ti. Ta ka thënë njeri këtë?

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të suplementit "THASH&THEM" të gazetës "Shqiptarja.com"

Redaksia Online
(Xhulia Karavella/shqiptarja.com)
 

16/2
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Rrëzimi i avionit në Lituani, ngrihen dyshime se mund të jetë i lidhur me sabotim

Rrëzimi i avionit në Lituani, ngrihen dyshime se mund të jetë i lidhur me sabotim