KATAR 2022/ 4 gola në Francë - Poloni, Mbappe thyen rekordin e Pele dhe dërgon francezët në çerekfinalet e Botërorit! 'Gjelat' takohen me Anglinë (VIDEO)

FT/ Francë 3 - 1 Poloni (Giroud 44', Mbappe 74', 90+1' / Lewandowski 90+8' (p))

Franca fitoi 3-1 me Poloninë duke marrë një biletë për në fazën çerekfinale të Kupës së Botës. Dopieta e Mbappe dhe goli i Giroud i dhanë të drejtë djemve të Deschamps të kalojnë më tej në Botërorin e Katarit, teksa Polonia mund të ngushëllohet me golin e Lewandowskit në fundin e takimit nga pika e bardhë e penalltisë. Tanimë Franca luan me Anglinë në çerekfinalet e Botërorit.

Dueli në "Al Thumama Stadium" të Dohas nisi mirë për Gjelat, që për disa minuta u ngacmuan nga polakët por pa mundur që Lewandowski me shokë të shënonin. Kur pritej fundi i pjesës së parë, Giroud në minutën e 44 kaloi "Gjelat" në avantazh.

Pjesa e dytë do vijonte me të njëjtën melodi, teksa Mbappe në të 74 dhe në të 90+1 dërgoi shifrat në 3-0. Në fundin e ndeshjes, pikërisht në minutën e nëntë shtesë Lewandowski shënoi nga pika e bardhë e penalltisë pas tentativës së dytë, pasi më herët Lloris e ndali polakun por për arbitrin gardiani i Francës lëvizi nga vija.

Polonia i jep lamtumirën kompeticionit, ndërsa te Franca vijojnë të thyejnë rekorde. Hugo Lloris bëhet lojtari me më shumë paraqitje për "Gjelat", plot 142, me 35 vjeçarin që lë pas Lillian Thuram. Giroud nga ana tjetër me 52 gola lë pas Henry, teksa ka shënuar më shumë gola te Franca në histori. Mbappe me dopietë shkon në kuotëm e nëntë golave në Botërorë, duke qenë i pari lojtar me këtë shifër para moshës 24 vjeç, teksa lë pas Pele, James Rodriguez dhe Muller.

VIDEO:

Goli i Lewandowskti:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:51
VIDEO/ Polonia e pafuqishme, Mbappe dopietë për golin e 3 të Francës

90+1' / Francë 3-0 Poloni. Kylian Mbappe tund rrjetën për të dytën herë në këtë ndeshjes. Në fundin e takimit sulmuesi shënon dopietën personale dhe golin e tretë, teksa realizimi është perfekt dhe në trekëndësh. Dopietë dhe asist nga Mbappe.

Ora 17:45
Askush si Kylian Mbappe në Kupat e Botës, sulmuesi i Francës lë pas Pele dhe Gyula Zsengeller

Dopieta e Kylian Mbappe kundër Polonisë e dërgon sulmuesin në kuotën e nëntë golave në Kupat e Botës. Sulmuesi i Francës bëhet lojtari me më shumë gola në Botërorë para se të mbushë 24 vjeç. Mbappe që ende është 23 vjeç ka shënuar 9 gola, duke lënë pas Pele që para moshës 23 vjeçare shënoi 7 gola në kompeticionet e Kupës së Botës. Veç Pele, Mbappe lë pas Gyula Zsengeller (Hungari), James Rodriguez (Kolumbi) dhe Thomas Muller (Gjermani). Në moshën 23 vjeçare Mbappe ka shënuar 9 gola në Kupat e Botës, njësoj sa Messi dhe një më shumë se Cristiano Ronaldo. Në Katar Mbappe ia ka dalë të shënojë 5 gola në 4 ndeshje duke qenë lider i golashënuesve.

Ora 17:36
VIDEO/ Kundërsulm perfekt nga Franca, Mbappe mbyll llogaritë e kualifikimit

74' / Francë 2-0 Poloni. Kylian Mbappe shënon golin e dytë të ndeshjes dhe të katërtin personal në këtë Kupë Bote. Një kundërsulm i francezëve gjen polakët të pavendosur në mbrojtje, me Mbappe që e dërgon topin në rrjetë dhe siguron kalimin e Francës në çerekfinale. Gol dhe asist në këtë ndeshje nga 23 vjeçari i PSG.

Ora 17:09
VIDEO/ Çudira në Kupën e Botës, mbrojtësi i Francës luan me varëse për 41 minuta! Arbitri ndal lojën

 

Franca po fiton 1-0 me Poloninë në fazën me eleminim direkt në Kupën e Botës. Në duelin e "Al Thumama" në Doha ndodhin edhe çudira, me mbrojtësin e Francës Jules Kounde që për 41 minuta ka luajtur me varëse në qafë. Vetëm thuajse në fundin e pjesës së parë arbitri i linjës ka parë mbrojtësin me varëse, duke ndalur lojën derisa sendi i palejuar të hiqej nga stafi. Kujtojmë se për sigurinë e lojtarëve gjatë një ndeshje futbolli nuk lejohen varëse apo unaza.

 
Ora 17:00
Giroud në historinë e Francës, sulmuesi i Milan kalon Thierry Henry dhe bëhet golashënuesi më i mirë i 'Gjelave'

Goli kundër Polonisë e bën Olivier Giroud sulmuesin me më shumë gola të shënuar me fanellën e Francës. 36 vjeçari shkruan emrin me gërma të arta në historinë e futbollit francez, duke shkuar në kuotën e 52 golave. Giroud kalon me një gol më shumë legjendën Thierry Henry, që ka shënuar 51 gola me ekipin kombëtar.

Ora 16:49
VIDEO/ Asist fantastik nga Mbappe, Franca i shënon Polonisë me Giroud

44' / Francë 1-0 Poloni. Olivier Giroud shënon për Francën në minutën e 44 dhe dërgon skuadrat në dhomat e zhveshjes me një realizim të bukur. Asisti i Mbappe është fantastik për sulmuesin e Milan, që shënon golin e tretë në këtë Kupë Bote.

Ora 16:18
Hugo Lloris lë pas legjendat e Francës, bëhet lojtari me më shumë ndeshjet te "Gjelat"

Hugo Lloris mbron portën e Francës për herë të 142. Kombëtarja kampione bote në fuqi po luan me Poloninë në fazën e 1/8 në Kupën e Botës, me gardianin e Tottenham që kalon Lillian Thuram duke u bërë lojtari që ka më shumë ndeshje të luajtura me fanellën e Francës. Veç kësaj, Lloris bëhet lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje me Francën në kompeticionet e Kupës së Botës, 17 të tilla.

S.DH/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria mbetet me një Gjykatë Apeli në Tiranë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Big Brother Vip/ Mes lotësh dhe emocionesh, Diola rrëfen historinë e saj të 'errët' të divorcit,  surprizohet nga vajzat!

Big Brother Vip/ Mes lotësh dhe emocionesh, Diola rrëfen historinë e saj të 'errët' të divorcit, surprizohet nga vajzat!