Këshilli Politik mblidhet nesër për listat dhe koalicionet! PD: Të pyesim OSBE-në! PS: Doni të bllokoni ndryshimet

TIRANE-Këshilli Politik do të mblidhet nesër në orën 11:00 për të diskutuar për hapjen e listave dhe koalicionet. Pas ftesës së Damian Gjiknurit, opozita jashtë parlamentit ka pranuar që të bashkohet në tryezë.

Përfaqësuesi i PS-së në e-mail-in e opozitës i fton që të jenë të pranishëm në tryezën ku do të dëgjohet opinioni i ekspertëve për pyetjet e bëra në mbledhjet e kaluara nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë siç propozon opozita jashtëparlamentare. Gjithashtu, nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet.

Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili pranuan që të jenë të pranishëm nesër në mbledhjen për të diskutuar për hapjen 100 % të listave, por me kushtin që të mos preken rregullat aktuale për koalicionet parazgjedhore dhe ndarjen e mandateve. "Partia Socialiste ka ecur me logjikën e “faktit të kryer” dhe me paraqitjen e njëanshme të ndryshimeve kushtetuese" thotë opozita duke i kërkuar që të heqë dorë.

Opozita nuk vlerëson mendimin e ekspertëve vendas duke kërkuar asistencën e OSBE-së. Madje në këtë pikë, i kujton PS-së që në 14 janar ranë dakord që për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme.

Por Damian Gjiknuri kundërshton. Ai thotë se skema e PD-së për të kërkuar mendimin e ekspertëve të OSBE-ODIHR bëhet për të zvarritur procesin. "Të mos humbasim kohë me propagandë frenuese dhe të përveshim mëngët bashkërisht për të gjetur mundësisht një dakordësi të gjerë. Ekspertiza e ODIHR-it nuk i përket këtij momenti.

Insistimi juaj që duhet marrë më parë ekspertiza e ODIHR i shërben thjesht qëllimit për të bllokuar apo zvarritur në kohë miratimin e amendimeve kushtetuese. Nisur nga fakti se këto amendime janë për votim në 30 Korrik 2020, duhet të presim miratimin e tyre dhe më pas të fillojmë punën për reflektimin e tyre sa më shpejt në ligjin zgjedhor" tha socialisti.

Shkëmbimi i e-mail-eve mes PS-PD
Damian Gjiknuri: Ju vë në dijeni se paketa e dytë e nismave ligjore të dala si produkt i tryezës së Këshillit Politik   u depozitua sot në Kuvend me firmat e deputetëve të mazhorancës. Kuvendi tashmë fillon procedurat parlamentare për shqyrtimin e amendamenteve të dakordësuara në Këshillin Politik për: 1) Kodin e Procedurës Penale; 2) Kodin Penal; 3) Ligjin për Policinë e Shtetit; 4) Ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve; 5) Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; 6) Ligjin për Funksionimin e Prokurorisë dhe 7) Ligjin për Partitë Politike.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin në përmbylljen e kësaj pakete të dytë amendamentesh, shpreh besimin se masat e marra adresojnë jo vetëm një pjesë të konsiderueshme të rekomandimeve te OSBE/ODIHR por edhe shqetësimet e shprehura nga opozita jashtëparlamentare. 

Duke qenë se tanimë mbetet për tu përmbyllur edhe paketa e tretë që ka të bëjë me ligjin e ri zgjedhor i cili do të hyjë në fuqi pas dy proceseve të ardhshme zgjedhore e që sanksionon edhe depolitizimin e administratës zgjedhore sipas marrëveshjes së 5 Qershorit, propozoj:

Mbledhjen e grupit negociator të Këshillit Politik ditën e martë (28 Korrik), ora 11:00 në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, me rend dite: 

a) Prezantim nga ekspertët i produktit të deritanishëm për ligjin e ri zgjedhor që hyn në fuqi në 2023 dhe hapat që duhet të ndjekim për miratimin përfundimtar të tij.

b) Kthimi i përgjigjeve nga ekspertët për pyetjet e bëra në mbledhjet e kaluara nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë siç propozon opozita jashtëparlamentare. Gjithashtu, nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet.

Oerd Bylykbashi-Petrit Vasili: Mirëpresim vazhdimin e punës me mbledhjen e Këshillit Politik nesër në orën 11:00. Mbledhja e shkuar u mbyll me një përgjigje refuzuese nga ana e përfaqësuesit të Partisë Socialiste për të diskutuar mbi propozimin për konsensus të Opozitës së Bashkuar, për hapjen 100 % të listave, me kushtin që të mos preken rregullat aktuale për koalicionet parazgjedhore dhe ndarjen e mandateve.

Në përputhje me Marrëveshjen politike të 14 Janarit, kjo çështje duhet të trajtohet me gjithëpërfshirje dhe transparencë në Këshillin Politik, cka deri më sot nuk ka ndodhur. Kjo sepse Partia Socialiste ka ecur me logjikën e “faktit të kryer” dhe me paraqitjen e njëanshme të ndryshimeve kushtetutese, të cilat bien ndesh me marrëveshjen e 14 Janarit, minojnë dakordësinë e 5 Qershorit, janë në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias dhe zhbëjnë ligjin e miratuar më 23 Korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit.

Marrëveshja politike e 14 Janarit detyron palët që: Pika 2, paragrafi 3: “Për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme”. Në këtë kuadër, Opozita e Bashkuar i qëndron kërkesës së parashtruar në mbledhjen e kaluar që në trajtimin e kësaj çështje të përfshihet ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR. Për këtë arsye, ju njoftojmë se për Opozitën e Bashkuar trajtimi i kësaj çështje dhe heqja dorë nga aktet e njëanshme, që shkelin marrëveshjen e 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit, dhe minojnë dakordësinë e arritur, duhet të mbetet çështja e parë për diskutim dhe vendimmarrje nga Këshilli Politik.

Siç ju informuam në mbledhjen e shkuar të Këshillit Politik, është e papranueshme loja me gjoja pyetje të drejtuar nga pala juaj, lidhur me propozimin tuaj të njëanshëm kushtetutes, drejtuar ekspertëve të Qeverisë, të cilët siç është botërisht e njohur, janë edhe draftuesit dhe mbështetësit e ndryshimeve tuaja të njëanshme. Në këto kushte, Opozita e Bashkuar ripërsërim qëndrimin se në përputhje me marrëveshjen politike të 14 Janarit dhe dakordësinë e 5 Qershorit, palët janë të detyruara të heqin dorë nga aktet e njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës dhe të kërkojnë mendimin dhe asistencën nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët. Përsa më lart, konfirmojmë pjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme.

Damian Gjiknuri: Mbledhja e fundit e Këshillit Politik në të cilën ju paraqitët zyrtarisht kundërshtitë rreth amendamenteve të pritshme kushtetuese, u konsiderua nga ne një mbledhje vërtetë e vlefshme. U qartësua plotësisht pozicioni juaj rreth tyre në sensin e implikimeve që duhen adresuar dhe iu hap de fakto rruga një diskutimi konstruktiv për të detajuar rregullimet e pritshme në Kodin Zgjedhor. Kundërshtitë dhe argumentat që ju përcollët nëpërmjet qëndrimit zyrtar, qartazi nuk i kundërvihen dhe nuk vënë as thelbësisht, as formalisht në pikëpyetje asnjërin nga formulimet e amendamenteve kushtetuese. Kundërshtitë dhe argumentat tuaja lidhen me formulimet e dispozitave të Kodit Zgjedhor, të cilat do të reflektojnë amendamentet kushtetuese. Këto dispozita nuk janë formuluar ende. Rreth tyre, ne kemi natyrshëm në këtë stad qëndrime dhe qasje të ndryshme nga njëri-tjetri, por prandaj është e udhës të mos humbasim kohë me propagandë frenuese dhe të përveshim mënget bashkarisht për të gjetur mundësisht një dakordësi të gjërë. 

Në fazën aktuale të diskutimit, asnjëri nga ne nuk është në gjendje të argumentojë se hapësirat për këtë dakordësi mungojnë dhe pozicionet respektive janë të papajtueshme. Mua personalisht me duket se është e kundërta madje. Për këtë qëllim duhet që grupi të mblidhet e të rimblidhet me durim dhe frymë mirëkuptimi, derisa argumentat të shterohen dhe rrugët e dakordësisë të eksplorohen në frymën e arritjes pozitive të 5 qershorit. 

Mazhoranca parlamentare i qëndron pikës së marrëveshjes që përfshin ekspertizën e ODIHR-it në rastet e kundërshtive në diskutim. Sikurse e mbani mend fare mirë, është mazhoranca që e ka vënë në lëvizje këtë mekanizëm në fazën e parë të punës sonë, kur opozita jashtëparlamentare bllokoi promovimin e barazisë gjinore dhe marrjen e masave proaktive për mbrojtjen e pjesëmarrjes së grave në politikë. Ekspertiza e ODIHR-it ishte shumë e dobishme, pavarësisht se opozita jashtëparlamentare e refuzoi edhe këtë ekspertizë dhe imponoi formulimet minimaliste dhe jogarantuese që u miratuan tashmë në ligjin elektoral, në emër të shpirtit të kompromisit nga ana jonë. 

Gjithësesi, ne nuk refuzojmë dhe kemi besim të padiskutueshëm tek ekspertiza e ODIHR-it por ekspertiza e ODIHR-it nuk i përket këtij momenti. Ajo duhet pasi ne të kemi përfunduar (nëse pa sukses) ushtrimin tonë në kërkim të konsensusit për formulimet e Kodit Zgjedhor. Ekspertiza e ODIHR-it nuk mund të thirret për amendamentet kushtetuese sepse për to ne nuk kemi asnjë kontestim, për asnjë fjalë, për asnjë presje. Nuk kemi asnjë formulim konkurues, apo alternativ.

Sikurse sqaruam edhe në mbledhjen e fundit, kërkesa juaj për hapjen 100% të listave të kandidatëve është e adresuar si hapësirë e disponueshme në formulimin e kompromisit të draft-amendamenteve kushtetuese të cilat ndodhen në procedurën parlamentare. Edhe pretendimi juaj për ruajtjen e medoemos të formulës aktuale të koalicioneve ka marrë një përgjigje në parim nga mazhoranca. Ne jemi gati ta shqyrtojmë këtë formulë, nëse ajo gjen pasqyrim në modelin e cilitdo shtet evropian që ka një sistem si yni dhe që ka adoptuar listat e hapura. Referimi tek modeli është i rëndësishëm sepse ai është kriteri praktik që do na ndihmojë për të konkluduar rreth realizueshmërisë së kërkesës suaj dhe rreth përputhshmërisë së saj me të mirën më të lartë, atë të zgjedhësve.

Këtij qëllimi i shërbejnë edhe pyetjet që unë u kam parashtruar ekspertëve vendas, të njëjtëve ekspertë që na kanë hartuar dhe na kanë ndihmuar të miratojmë amendamentet e Kodit Zgjedhor, listën e gjatë të projekt/amendamenteve të ligjeve të tjera tashmë të përfunduara, amendamentet në ligjin për nëpunësit civilë, si dhe projektligjin e ri zgjedhor që do të kalojmë në vijim të punës sonë.

Insistimi juaj që duhet marrë më parë ekspertiza e ODIHR i shërben thjesht qëllimit për të bllokuar apo zvarritur në kohë miratimin e amendimeve kushtetuese. Këshilli Politik është krijuar si forum konsultimi me ju për realizimin e reformës zgjedhore dhe jo si intrument bllokimi. Referencat tuaja në dokumenta e marrëveshje nuk kanë të bëjnë me amendimet kushtetuese për aq kohë sa dhe ju nuk keni asnjë kundërshtim në lidhje me to por jeni në dukje të shqetësuar për mënyrën se si ato do të sanksionohen në Kodin Zgjedhor. 

Nisur nga fakti se këto amendime janë për votim në 30 Korrik 2020, duhet të presim miratimin e tyre dhe më pas të fillojmë punën për reflektimin e tyre sa më shpejt në ligjin zgjedhor. Mendoj se kjo duhet të jetë e vetmja qasje jo paragjykuese dhe konstruktive në frymën e asaj që kemi realizuar sëbashku deri më tani.

Edhe pas dhënies së dakordësisë nga ana juaj, mbledhja e ardhshme e Këshillit Politik është ditën e martë 28 Korrik 2020, ora 11:00.

Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili: Propozimi i PS për ndryshime të njëanshme të Kushtetutës, të cilat lidhen me zgjedhjet, haptazi, dhunon Marrëveshjen e 5 Qershorit, si dhe Marrëveshjen Politike të 14 Janarit. Këto ndryshime kushtetutese, në veçanti, zhbëjnë disa nene të Marrëveshjes së 5 Qershorit, përmes të cilave, jo vetëm ruhen koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, por edhe çdo parti brenda koalicionit vazhdon të ruajë të drejtën dhe mundësinë të konkurojë me listat e veta të veçanta. Këto ndryshime të njënanshme të PS ndryshojnë drejtpërdrejt elementë thelbësorë të sistemit zgjedhor me impakt në rezultatin zgjedhor dhe, gjithashtu, ndryshojnë të gjithë procesin e administrimit zgjedhor.

Opozita e Bashkuar është shprehur qartë se nuk është dakord me ndryshimet kushtetutese të njëanshme, që ju po përpiqeni të impononi, përmes një procesi të mbyllur dhe ku keni përjashtuar partitë politike të Opozitës, të cilat, edhe në zgjedhjet e deformuara të 2017, përfaqësojnë gjysmën e votuesve.

Edhe sot në Parlament, Kryeministri Rama u shpreh kundër dialogut dhe pro ndryshimit të njëanshëm kushtetutes, duke e quajtur atë çështje të mbyllur. Kjo tregon se përkundër vullnetit të Opozitës së Bashkuar për të vazhduar dialogun politik mes palëve në mirëbesim në Këshillin Politik, Partia Socialiste vazhdon të sillet me logjikën e “faktit të kryer”.

Kjo sjellje nuk është dialog politik, por e kundërta, përpjekje e vazhdueshme për të minuar dialogun politik. Aktet tuaja përbëjnë po kështu dhunim flagrant të Marrëveshjes politike të 14 Janarit dhe të Marrëveshjes së 5 Qershorit. Përmes akteve të njëanshme Partia Socialiste po përpiqet të imponojë rregulla të njëanshme të garës elektorale.

Është i gënjeshtërt pretendimi juaj se sipas jush: “Ekspertiza e ODIHR-it nuk mund të thirret për amendamentet kushtetuese sepse për to ne nuk kemi asnjë kontestim, për asnjë fjalë, për asnjë presje. Nuk kemi asnjë formulim konkurues, apo alternative”. Opozita e Bashkuar ka paraqitur zyrtarisht në mbledhjen e shkuar të Këshillit Politik kundërshtimim për ndryshimet e njëanshme kushtetuese të Partisë Socialiste, si dhe ka paraqitur zyrtarisht propozimin e saj, me qëllim gjetjen e konsensusit, që nëse kalohet në listat e hapura, atëherë të kalohet në një mekanizëm me lista të plota 100 % të hapura, me kusht që të mos bëhet asnjë ndryshim tjetër sa i takon formulës ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe shpërndarjes së mandateve.

Është i gënjeshtërt po ashtu pretendimi juaj se kërkesa jonë për hapjen 100% të listave të kandidatëve, me kusht që të mos bëhet asnjë ndryshim tjetër sa i takon formulës ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe shpërndarjes së mandateve, është sipas jush: “e adresuar si hapësirë e disponueshme në formulimin e kompromisit të draft-amendamenteve kushtetuese të cilat ndodhen në procedurën parlamentare. Edhe pretendimi për ruajtjen e medoemos të formulës aktuale të koalicioneve ka marrë një përgjigje në parim nga mazhoranca. Ne jemi gati ta shqyrtojmë këtë formulë, nëse ajo gjen pasqyrim në modelin e cilitdo shtet evropian që ka një sistem si yni dhe që ka adoptuar listat e hapura.”.

Propozimi juaj i njëanshëm kushtetutes e bën fakt të kryer:

1.      Mundësinë që hapja e listës të jetë vetëm për 2/3 e saj dhe jo 100 % e listës të jetë detyrimisht e hapur.

2.      Heqjen e koalicioneve parazgjedhore si subjekt zgjedhor, siç janë të garantuara sot në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, duke ndryshuar në këtë mënyrë edhe formulën e përllogaritjes së mandateve;

3.      Mundësinë për të ndryshuar ndarjen administrative të zonave zgjedhore dhe organizimit elektoral.

Heqja nga Kushtetuta e koalicioneve parazgjedhore përbën ndryshim të njëanshëm të rregullave të garës, 8 muaj përpara zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, ju impononi edhe formulën e koalicioneve që do të detajojë ligji, sepse ligji nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo nënkupton që heqja e koalicioneve parazgjedhore si subjekt zgjedhor nga Kushtetuta, imponon më pas automatikisht edhe heqjen e tyre si subjekt zgjedhor nga Kodi Zgjedhor, duke zhbërë në këtë mënyrë disa nene të Marrëveshjes së 5 Qershorit.

Është e qartë se ju kërkoni të ndryshoni në mënyrë të njëanshme Kushtetutën, duke ndryshuar elementët bazë të sistemit zgjedhor, që kanë impakt të drejtpërdrejtë në rezultatin e zgjedhjeve. Ky akt i njëanshëm shkatërron konsensusin e arritur, sepse bie ndesh me Marrëveshjen e 14 Janarit, minon Marrëveshjen e 5 Qershorit, është në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, si dhe zhbën ligjin e miratuar më 23 Korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit.

Sa më sipër, ju rikujtojmë se sa kohë palët nuk bien dakord, në përputhje me Marrëveshjen politike të 14 Janarit, kjo çështje duhet të trajtohet me gjithëpërfshirje në Këshillin Politik dhe palët politike duhet të vijojnë dialogun politik. Marrëveshja politike e 14 Janarit detyron palët që: Pika 2, paragrafi 3: “Për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme”.

Për të gjitha sa më lart, ju bëjmë edhe njëherë thirrje të reflektoni dhe të jeni të hapur për të diskutuar bashkërisht dhe në mirëbesim në Këshillin Politik lidhur me këtë cështje, duke hequr dorë nga ndryshimi i njënashëm i hartuar dhe miratuar vetëm nga ju pa përfshirjen e Opozitës së Bashkuar. Opozita e Bashkuar ka ofruar një propozim për konsensus mbi këtë çështje, i cili është paraqitur zyrtarisht në mbledhjen e datës 24 Korrik dhe mbetet në pritje të shqyrtimit apo propozimeve tuaja eventuale, për të arritur në një produkt të përbashkët dhe konsensusal, në përputhje me detyrimet e palëve sipas Marrëveshjes së 14 Janarit dhe Marrëveshjes së 5 Qershorit.

Opozita e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë për dialog, ndaj ju ftojmë që edhe Partia Socialiste të heqë dorë nga refuzimi i dialogut i deklaruar nga Kryeministri Rama sot në Parlament, të hiqni dorë nga aktet e njëanshme dhe të jeni të hapur për dialog, që nesër në mbledhjen e rradhës së Këshillit Politik.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki