Më tej duke iu referuar shembullit pozitiv në Kosovë, ministri Klosi i kërkoi Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura që të punojë për ngritjen e një parku rehabilitues për arinjtë e skllavëruar në kafaze. “Në kuadër edhe të iniciativës të fondacionit “Katër Putrave” për të ndërtuar një park në zonat tona të mbrojtura unë do t’i kërkoja Drejtorit të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura që së bashku me fondacionin të kenë mundësi sa më shpejt të ndërtojnë një projekt menaxhimi, ambientalist, turistik, por dhe ekonomik të një parku të tillë, që pastaj të shikojmë mundësinë e krijimit të një atraksioni turistik por dhe ambientalist në një park të tillë që për fat të mirë miqtë tanë në Kosovë e kanë zhvilluar dhe e mirëmbajtur me standarte evropiane.”- tha ministri Klosi.
Kreu i Turizmit dhe i Mjedisit theksoi rëndësinë e moratoriumit të pyjeve dhe të gjuetisë në ruajtjen e habitateve dhe faunës së egër në vendin tonë. Duke u ndalur konkretisht tek moratoriumi i gjuetisë ministri Klosi tha se nuk do të hiqet moratoriumi deri sa të sigurohet përmes teknologjisë që kjo veprimtari është tërësisht nën kontroll. “Ministria që unë drejtoj së bashku me Komisionin e Veprimtarive Prodhuese ka ndërmarrë një nisëm për të ndërtuar një strategji krejt tjetër për menaxhimin e këtij sportit të gjuetisë në vendin tonë. Për të patur mundësinë që të gjithë të jenë të informatizuar, gjuetarët të kenë çipin e tyre i cili nëpërmjet mekanizmave fare të thjeshtë të kontrollit hapësinor për t’i evidentuar kudo ku ato ndodhen, çdo armë gjahu të jetë e regjistruar, për të pasur mundësinë që në shërbim të këtij moratoriumi dhe të mbrojtjes të specieve, të cilat janë të rrezikuara nga ky lloj sporti turistik të jenë të kontrolluara dhe shumë pak të dëmtueshme” – deklaroi ministri Klosi.
Në fund të takimit, z. Martin Hojsik, anëtar i bordit ekzekutiv të “FOUR PAWS” i dorëzoi ministrit Klosi peticionin mbështetës për mbrojtjen e ariut të murrmë në vendin tonë, një peticion i cili deri në datën 15 nëntor 2017 është firmosur nga 424 mijë e 691 njerëzve nga e gjithë bota. Duke marrë peticionin ministri Klosi e nënshkroi gjithashtu duke çuar numrin e nënshkrimeve në 424 mijë e 692 firma dhe duke konfirmuar përsëri angazhimin e tij për zgjidhjen përfundimtare të problemit.
Gjatë takimit u shfaq edhe videomesazhi i Ganni De Biasit- ish trajnerit të Kombëtares Shqiptare, aktualisht edhe ambasadori i mbrojtjes së arinjve të murrmë. Në mesazhin e tij, De Biasi përgëzoi ministri Klosi dhe kryeministrin Rama për përkushtimin e tyre ndaj Mjedisit dhe që është një pasuri e përbashkët e të gjithëve. “Unë personalisht angazhohem në këtë grupim që po jep kontributin e tij në mënyrë që të ruhet ky planet nga të shndërruarit në një botë të pabanueshme. Ju përqafoj dhe ju falenderoj të gjithëve, ju pjesëmarrës dhe atyre që do të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje në të ardhmen. Duhet të ngremë zërin së bashku që mjedisi është prona jonë e përbashkët dhe që duhet mbrojtur me çdo kusht. Faleminderit edhe njëherë zoti ministër dhe ju lutem t’i përcillni përshëndetjet e mia më të sinqerta edhe zotit kryeministër, Edi Rama me të cilin kam një marrëdhënie të shkëlqyer dhe që është gjithmonë shumë i vëmendshëm për problemet mjedisore. Shqipëria duhet ta tregojë veten në botë si një vend të civilizuar, ashtu siç e njoh edhe unë dhe që duhet të përmirësohet në aspektin mjedisor. Një përqafim të sinqertë për të gjithë! Forca Shqipëria!”
Fjala e plotë e ministrit Klosi
Mirëdita dhe shumë përgëzime për të gjitha përpjekjen e bërë deri më sot. Është një falenderim nga shumë e shumë njerëz, të cilët janë ndjerë keq kur kanë parë arinjtë nëpër Shqipëri të trajtuar në gjendje të keqe. Vjen si një falenderim nga të gjithë ata që duan mjedisin dhe duan një mjedis të qëndrueshëm në Shqipëri dhe në gjuhën e tyre, është një falenderim që ju vjen edhe nga arinjtë, nga 21 arinj të murmë të shpëtuar nga robëria njerëzore. Në pozicionin e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit padyshim më vjen mirë që ka në Shqipëri nisma të tilla, ka në Shqipëri dhe në Kosovë përpjekje të tilla, të cilat tregojnë sesa shoqëria civile është në hapin e kohës, sesa njerëz të fushave të ndryshme të jetës mendojnë që ka ardhur koha që këto gjëra që janë edhe simbole të mbrojtjes të faunës të mbrojtjes së specieve të mbrojtjes së Mjedisit janë kthyer në problematika shqetësuese të vendit tonë. Dhe pranova që të vija në këtë takim, në fakt, në rradhë të parë me një vërejtje takime të tilla, duhet të ishin bërë në terren, duhet të ishin bërë në zona ku ne i kemi këto shqetësime. Ma ka bërë vërejtje një mik dhe e them përherë se si mundet që ambientalistët takohen në salla me kondicioner. Po le të jemi këtu, ta mbajmë këtë diskutim sepse ne kemi të gjithë nevojën nga këndvështrime të ndryshme të gjejmë arsyet që kemi për t’ju afruar në mënyrë unike turizmit shqiptar.
Ne kemi një turizëm i cili mund të bazohet fare qartë edhe në specie të tilla si ariu i murmë. Ne kemi një turizëm i cili është unik është i veçantë sepse ka një produkt të veçantë që s’e ka asnjë nga vendet e rajonit që janë Alpet e Shqipërisë dhe Alpet e Shqipërisë bukuria natyrore që ne kemi në ato alpe do të ishte e pamundur pa mbrojtjen e specieve të tilla. Do të ishte e mangët, nëqoftëse bukuritë e natyrës nuk shoqëroheshin edhe me bukuritë, edhe me agresivitetin edhe me legjendën e specieve të tilla. Prandaj në këtë kuadër do të doja t’ju përgëzoja sërish. Shteti Shqiptar, mazhoranca aktuale ka ndërmarrë dy moratoriume shumë të rëndësishme. I pari, moratoriumi për pyjet për të pasur mundësinë që ne të reflektonim t’i thërrisnim mendjes të vinim të gjitha mekanizmat e nevojshme se çfarë duhet të bëjmë që pyjet tona të shndërrohen në pyje të mbrojtura, në pyje të cilat nuk shikohen, nga sharra automatike dhe sopata, si mjet vetëm fitimi, por që shikohen si një burim i pastër natyror edhe turistik.
Rezulatet e para kanë qenë të pëlqyeshme, nuk them dot më shumë se të pëlqyeshme, pasi dhe ndarja e kompetencave, menaxhimi i ndryshëm ndërmjet shtetit dhe kalimit të kompetencave te pushteti lokal ka evidentuar problematikat e caktuara që kanë të bëjnë me kapacitetet e mangëta edhe moskuptimin e drejtpërdrejtë nga pushteti lokal i detyrës së madhe dhe pasurisë së madhe që vjen nga pyjet. Por ne kemi zonat e mbrojtura të cilat do të duhet t’i trajtojnë më me përkujdes dhe në kuadër edhe të iniciativës të fondacionit “Katër Putrave” për të ndërtuar një park në zonat tona të mbrojtura unë do t’i kërkoja Drejtorit të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura që së bashku me fondacionin të kenë mundësi sa më shpejt të ndërtojnë një projekt menaxhimi, ambientalist, turistik, por dhe ekonomik të një parku të tillë, që pastaj të shikojmë mundësinë e krijimit të një atraksioni turistik por dhe ambientalist në një park të tillë që për fat të mirë miqtë tanë në Kosovë e kanë zhvilluar dhe e mirëmbajtur me standarte evropiane.
E dyta, është moratoriumi i gjuetisë që po ashtu ka ndihmuar shumë, ka ndihmuar shumë në shtimin e specieve të ndryshme të kafshëve në pyjet tona edhe në zonat tona rurale, por ama ka ardhur koha që dhe ky moratorium të gjejë mënyrën e tij, për tu shndërruar në një atraksion edhe turistik në vendin tonë. Prandaj Ministria që unë drejtoj së bashku me Komisionin e Veprimtarive Prodhuese ka ndërmarrë një nisëm për të ndërtuar një strategji krejt tjetër për menaxhimin e këtij sporti të gjuetisë në vendin tonë. Për të patur mundësinë që të gjithë të jenë të informatizuar, gjuetarët të kenë çipin e tyre i cili nëpërmjet mekanizmave fare të thjeshtë të kontrollit hapësinor për t’i evidentuar kudo ku ato ndodhen, çdo armë gjahu të jetë e regjistruar, për të pasur mundësinë që në shërbim të këtij moratoriumi dhe të mbrojtjes të specieve të cilat janë të rrezikuara nga ky lloj sporti turistik të jenë të kontrolluara dhe shumë pak të dëmtueshme.
Prandaj edhe një herë pranova të isha në këtë bisedë shumë i interesuar që edhe këtë dukuri natyrore ne ta shndërrojmë, jo vetëm në një pasuri të madhe të florës dhe faunës shqiptare, por po ashtu të kemi mundësi të shndërrojmë në një atraksion turistik. Ne duam shumë, që sezonin e ardhshëm turistik hapësira për turizëm, jo vetëm në det dhe në rërë e në diell, të kenë hapësira më të populluara jo vetëm për turizmin e huaj por dhe për turizmin vendas. Prandaj përshëndes çdo përpjekje të fondacionit “Katër Putrat”. Falenderoj shumë partnerët ndërkombëtarë të kësaj shoqate, përpjekjet që ata kanë bërë dhe po ashtu dua t’i siguroj që pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit do të gjejnë gjithmonë një aleat të përhershëm të mbrojtjes së florës dhe faunës në vendin tonë.
Mesazhi i plotë i De Biasit
“Përshëndetje të gjithëve. Unë jam Gianni De Biasi. Mirëdita dhe punë të mbarë!. Para së gjithash falenderoj ministrin Blendi Klosi për mbështetjen që na jep në këtë inciativë tonën. Besoj që ky impenjim i ministrit është diçka e jashtëzakonshme dhe bëhet kështu pjesë e aksionit tonë të përbashkët në mbrojtje të mjedisit dhe veçanërisht të arinjve që ashtu si të gjitha gjallesat kanë të drejtë të jetojnë në këtë planet, pa qenë të skllavëruar dhe të mbyllur në kafaz siç për fat të keq ndodh ende në Shqipëri dhe në disa vende të tjera të botës. Besoj që nevojitet angazhimi dhe kontributi i gjithësecilit nga ne për një botë më të mirë, për të mbrojtur këtë pasuri mjedisore që kemi dhe që mund të ruhet vetëm nëse të gjithë ne angazhohemi seriozisht. Unë personalisht angazhohem në këtë grupim që po jep kontributin e tij në mënyrë që të ruhet ky planet nga të shndërruarit në një botë të pabanueshme. Ju përqafoj dhe ju falenderoj të gjithëve, ju pjesëmarrës dhe atyre që do të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje në të ardhmen. Duhet të ngremë zërin së bashku që mjedisi është prona jonë e përbashkët dhe që duhet mbrojtur me çdo kusht. Faleminderit edhe njëherë zoti ministër dhe ju lutem të përcillni përshëndetjet e mia më të sinqerta edhe zotit kryeministër, Edi Rama me të cilin kam një marrëdhënie të shkëlqyer dhe që është gjithmonë shumë i vëmendshëm për problemet mjedisore. Shqipëria duhet ta tregojë veten në botë si një vend të civilizuar,. ashtu sic e njoh edhe unë dhe që duhet të përmirësohet në aspektin mjedisor. Një përqafim të sinqertë për të gjithë! Forca Shqipëria!”
d.c./shqiptarja.com

VIDEO










