PRISHTINË, 4 Maj /ATSH/.- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpërbleu sot me 10 mijë euro klubin e Basketbollit Sigal Prishtina, pasi ministria dhe klubi i basketbollit kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi.
Në një komunikatë për media të MKRS-së, thuhet se ministri Kujtim Shala u takua sot me lojtarët dhe drejtuesit e Sigal Prishtinës, të shoqëruar edhe nga kryetari i Federatës së Basketbollit, Erolld Belegu.
Ministri Shala e përgëzoi skuadrën e Sigal Prishtinës, trajnerët dhe gjithë stafin për suksesin historik, titullin e kampionit të Ligës Ballkanike në basketboll.
"Kjo është një arritje e jashtëzakonshme, që dëshmon se sporti kosovar ka cilësi të dallueshme, ndaj jemi të përkushtuar për ta përkrahur", tha ndër të tjera ministri Shala.
Ai, po ashtu u zotua se MKRS-ja do të jetë afër sportistëve të Kosovës dhe do të ndihmojë sportin në afrimin, avancimin dhe njohjen e tij sa më të gjerë në arenën ndërkombëtare./KosovaPress/k.s/