Presidenti i Republikës Ilir Meta doli sot në orën 08:00 të mëngjesit në një konferencë për mediat për t'u thënë shqiptarëve se vendimi i Kolegjit Zgjedhor, që ligjëroi procesin e 30 Qershorit sipas tij është truk i marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit ndaj gjyqtarëve dhe se nuk ka asnjë efekt juridik në dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve lokale në datën e përcaktuar.

I pyetur për deklaratën se gjyqtarët ishin kërcënuar, Meta tha se bazohej te fotoja që kishte parë kur po jepnin vendimin ditën e djeshme. 'Vendimi u mor në kushtet e presionit dhe shantazhit. Mjafton të shikojmë fotot që keni botuar ju dhe duket. Shumë të trembur dukeshin'.

1561448816_1561440237KolegjiZgjedhor.jpg

Pesë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor që dhanë dje vendimin

Ai tha se vendimi i Kolegjit ka të bëjë vetëm në marrëdhënien mes partisë së Unitetit Kombëtar që kërkoi çregjistrimin dhe KQZ-së që e cilësoi si organizatë socialiste, pasi deri tani nuk i është bindur. Në javën e fundit Meta ka kërkuar disa herë informacione nga KQZ-ja për Kuvendin, i pyetur nëse do të shpërndajë parlamentin, ai kishte një përgjigje të kriptuar. 'Kam bërë çdo veprim me përgjegjshmëri.

Do t'i shërbej gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe interesave kombëtare'. Pavarësisht akuzave nga shumica dhe nisjes së procesit të shkarkimit, Meta shprehu vendosmërinë, se nuk do të lëvizë nga Presidenca pa mbaruar mandatin, madje shtoi se nga institucioni që drejton do të fillojë ringritja e Republikës.

'Ky institucion nuk i përket Ilir Metës, por Republikës, nuk do të bjerë kurrë, nga ky institucion do të fillojë ringritja e Republikës. Bashkë do të jemi këtu deri në 24 korrik të 2022' tha ai. Në fund ai kishte një mesazh edhe për ndërkombëtarët të cilët kanë konfirmuar procesin zgjedhor të 30 Qershorit. 'Nuk  kam anuluar zgjedhjet në asnjë ambasadë, por në Shqipëri'.

( Kliko këtu ) Dokumenti - Deklarata e plotë e Presidentit Meta

( Kliko këtu ) Dokumenti - Konferenca Presidentit Meta

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:00
FOTO nga konferenca e jashtëzakonshme e Presidentit Meta

Presidenti Ilir Meta doli sot në një konferencë urgjente pas vendimit të djeshëm të Kolegjit Zgjedhor i cili ligjëroi mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor. Këto janë disa foto nga konferenca ky presidenti herë shfaqej i qeshur e herë serioz.

Ora 08:52
Të huajt konfirmojnë zgjedhjet/ Meta: I kam shtyrë në Shqipëri, jo brenda ambasadave, më besoni jam esëll (VIDEO)

Në kushtet kur ndërkombëtarët kanë konfirmuar mbështetjen për procesin zgjedhor në 30 Qershor në Shqipëri dhe ambasada e SHBA-së pak ditë më parë bëri thirrje për mbrojtjen e integritetit dhe sigurisë së procesit zgjedhor, Presidenti Meta u përgjigj sot duke thënë se zgjedhjet nuk i ka shtyrë brenda ndonjë selie diplomatike, por në vendin e tij.

Nuk hyj te ata politikanë që flasin në emër të ambasadave, ndërkombëtarëve dhe që fshihen pas tyre. Në Shqipëri i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve është Presidenti.

Unë nuk kam anuluar zgjedhjet në Itali, apo në një vend tjetër, por në Shqipëri, për shkak të një krize të thellë, që vijon prej disa muajsh. Mos prisni nga asnjë ambasador të iu thotë këtë që po iu them unë.

Nuk  kam anuluar zgjedhjet në asnjë ambasadë, por në Shqipëri. Pa zgjedhje me standarde nuk ka çelje negociatash, kjo është e sigurt. Më besoni se jam esëll gjatë gjithë ditës, jo më në mëngjes” është shprehur Meta.

Ora 08:21
KQZ-ja nuk i bindet, Presidenti: Është kthyer në organizatë socialiste, le të vijojë...(VIDEO)

Deri tani KQZ-ja nuk i është bindur dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve. I pyetur për situatën e krijuar, Meta tha se KQZ-ja është kthyer në organizatë socialiste me të cilën nuk ka ndërmend që të debatojë.

"Rruga për dialog hapet kur shumica të tërhiqet nga kjo nismë e paligjshme. Presidenti nuk mund të hyjë në debate me një organizatë socialiste, demokrate, apo republikane. Deri sa vijon si një organizatë, le të vijojë.

Në Shqipëri për zgjedhjet vendos vetëm Presidenti, as kuvendi, asnjë tjetër. Presidenti është i duruar që të gjithë të reflektojnë. Duhet të kuptojnë atë që nuk ua thonë as ambasadorët, ua kam thënë edhe atyre." tha ai.

Ora 08:18
A do të japë dorëheqjen? Meta: Nuk iki para 2022-it, do të filloj ringritjen e Republikës (VIDEO)

Pavarësisht krizës politike dhe akuzave, Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se nuk e ka ndërmend që të japë dorëheqjen, madje shtoi se nga institucioni që drejton do të fillojë ringritja e Republikës.

"Ky institucion nuk i përket Ilir Metës, por Republikës, nuk do të bjerë kurrë, nga ky institucion do të fillojë ringritja e Republikës. Shqipëria nuk do të kthehet në një tirani personale të askujt dhe as në një koloni të  asnjë fondacioni ndërkombëtar. Bashkë do të jemi këtu deri në 24 korrik të 2022" tha Meta.

Ora 08:17
A do shpërndajë Parlamentin? Meta: Do t'u shërbej interesave kombëtare... (VIDEO)

Presidenti Meta pas fjalës para gazetarëve u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve. Nisur nga shkresat për informacion që i është drejtuar KQZ-së, Meta u pyet nëse ka menduar që të shpërndajë parlamentin.

"Kam bërë çdo veprim me përgjegjshmëri. Do t'i shërbej gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe interesave kombëtare. Shpresojmë që ta bëjmë këtë gjithmonë" ka thënë Meta.

Ora 08:16
Meta: Data e 30 qershorit ka rënë ligjërisht, nuk ndërhyjë në zgjedhjet partiake (VIDEO)

Presidenti Meta, i pyetur nga gazetarët nëse do të ketë një ndërhyrje përsëri për të gjetur një zgjidhje të kësaj situaten është shprehur se ai do të jetë i duruar për dhe shpreson që të gjendet një zgjidhje. Më pas Meta ka thënë se data e 30 qershorit ka rënë ligjërisht.

"Jam durim plote pavarësisht që kanë kaluar gati dy javë që nga hapja e dritares për dialog dhe reflektim. Do të vazhdoj të jem i qetë dhe i duruar. Por të jetë e qartë se Presidenti nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake . Por kjo datë ka rënë nuk ekziston më ligjërisht.

Kush dëshiron zgjedhje partiake presidenti nuk ndërhyn. Kjo të jetë e qartë. Në Shqipëri ka vetëm një institucion që vendos datë zgjedhje ai është Presidenti. Kush vepron me paligjshmëri do të marri atë që i takon" ka thënë Meta.

Ora 08:15
Vendimi i Kolegjit, Meta: Presion dhe shantazh, gjyqtarët shumë të trembur,duket nga foto (VIDEO)

Presidenti Meta tha se vendimi i Kolegjit u mor në kushtet e presionit dhe shantazhit. I pyetur nëse kishte informacione për këtë deklaratë, kreu i shtetit u përgjigj duke thënë se konkluzionin e ka nxjerrë nisur nga fotot e gjyqtarëve në momentin e dhënies së vendimit.

"Mjafton të shikojmë fotot që keni botuar ju dhe duket. Shumë të trembur dukeshin. Zgjedhjet i anulova për shkak të një krize shumë të rëndë politike. Mos prisni nga asnjë ambasador që t'u thotë këtë që po u them unë.

Edhe sikur të bëheshin zgjedhjet pa opozitën, e ardhmja e Shqipërisë dhe çelja e negociatave do të kishte një të ardhme të paditur për një kohë shumë të gjatë. Zgjedhje të tilla nuk plotësojnë asnjë standard minimal. Nuk  kam anuluar zgjedhjet në asnjë ambasadë, por në Shqipëri" tha ai.

Ora 08:10
Kolegji ligjëroi, Meta: Truk! Nuk rrëzon dekretin, s'më thirrën si palë, 30 Qershori imagjinar (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta u shpreh se vendimi i Kolegjit Zgjedhor, që ligjëroi datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit nuk prek dekretin për anulimin e tyre. Ai tha se vendimi ka të bëjë vetëm me marrëdhënien  mes partisë  (PUK) dhe KQZ-së, që e cilësoi organizatë socialiste. Për kreun e shtetit vendimi i Kolegjit u mor në kushtet e shantazhit dhe presionit kundër gjyqtarëve.

"Në datë 10 qershor shfuqizova datën e zgjedhjeve 30 Qershor. Kjo vendimmarrje synonte të krijonte një mundësi reflektimi për të dialoguar për një zgjidhje mes palëve. Në veçanti kjo iniciativa synonte të ndihmonte dialogun, por në direktivat e Ramës Kuvendi miratoi një direktivë që u bënte thirrje institucioneve që të mos zbatonin dekretin edhe pse ishte botuar në fletoren zyrtare.

Dje në Kolegjin Zgjedhor u shqyrtua kërkesa e një partie kundër KQZ-së që e pengonte të çregjistrohej. Kolegji e rrëzoi. Vendimi i Kolegjit ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese dhe organizatës socialiste në KQZ që kanë vendosur të zhvillojnë një proces të paligjshëm. Presidenti nisur nga dizinformacionet e shpërndara qëllimisht sqaron se Kolegji nuk mund të shqyrtonte aspak vlefshmërinë, pasi nuk ia njeh Kushtetuta. Presidenti nuk është thirrur si palë, prandaj vendimi nuk ka asnjë efekt juridik. 30 Qershori është proces imagjinar.  Presidenti nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake.

Në zbatim të Kodit Zgjedhor, vendimi ka efekt për atë që është vendosur mes këtyre dy palëve, organizatës socialiste në KQZ dhe aleatit të PS-së. Vendimi i Kolegjit është truk procedurial për të justifikuar paligjshmërinë e organizatës socialiste në KQZ dhe përpjekje për të ndërtuar një operacion propagantistik për të anetemuar indirekt vendimin e presidentit, por nuk e prek aspak vlefshmërinë e dekretit. Vendimi u mor në kushtet e presionit dhe shantazhit të shumicës. Jemi në një situatë paradoksale. Dekreti i Presidentit mund të gjykohet vetëm nga Kushtetuesja. Vijoj që të jem i duruar dhe të pres reflektimin e tyre. Kam detyrimin para të gjithë shqiptarëve. E vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës të mbetet vetëm dialogu dhe respektimi i ligjit nga të gjithë" tha ai.