TIRANË, 27 Prill /ATSH-Gjergji Mima/ -Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot në tërësi projektligjin "Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë" dhe Projektrezolutën "Për Raportin Vjetor të ILDKPKI për vitin 2014".
Në fjalën e tij, kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, tha se për projektligjin "Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë" është bërë zbardhja e të gjitha dispozitave të bëra gjatë shqyrtimit në komision dhe se është për tu votuar vetëm në tërësi pasi shqyrtimi në parim dhe nen për nen është bërë më parë.
"Projekt ligji është shqyrtuar në parim, është shqyrtuar nën për nen, është votuar nen për nen. Është lënë thjeshtë për tu votuar në tërësi duke mirëpritur ndërkohë nëse kishte ndonjë sugjerim nga kolegët deputet gjatë zbardhjes për të verifikuar saktësinë e dispozitave të rishikuara dhe që janë reflektuar në përmbajtjen e tekstit integral. Projektligji do të paraqitet si tekst integral meqenëse ka shumë ndryshime dhe për lehtësi për seancën plenare që është një praktikë që është aplikuar përherë nga Komisionet Parlamentare ku ka ndryshime të konsiderueshme në përmbajtje e tekstit bazë të sjell për diskutim dhe për miratim", tha Xhafaj.
Më pas komisioni votoi edhe projektrezolutën për raportin vjetor të ILDKPKI-së për vitin 2014. /a.ke/










