“N’mes dashurive” nga Çesk Zadeja, pjesë nga Stephane Grappelli, “Eja vashë” nga Lola Gjoka, pjesë për violinë solo nga J.S. Bach, Sonatë për violinë dhe piano nga César Franck për t’u përmbyllur me “Moj e bukura në krua”, ishin veprat që u interpretuan në mbrëmjen koncertore të mbajtur në Akademinë e Shkencave, me rastin e festave të fundvitit.

Koncerti bëri bashkë violinistin Kledis Rexho dhe pianisten Elvina Gurra, të cilët sollën një program të pasur, duke ndërthurur muzikën klasike botërore me thesarin muzikor shqiptar.

Violinisti Kledis Rexho u shpreh se ky koncert kishte një domethënie të veçantë për të, pasi përmbylli vitin artistik në Shqipëri, pas një sezoni koncertesh në Francë, Vjenë dhe Romë.

“Jam shumë i lumtur që e mbyllim vitin artistik këtu në Shqipëri, bashkë me Elvinën, e cila është një pianiste e jashtëzakonshme. Programi ishte sfidues, veçanërisht Sonata e César Franck, por publiku e përjetoi me shumë emocion. Zemra rreh gjithmonë më fort në vendlindje.”, tha violinisti.

Rexho foli gjithashtu për projektin “Life and Music Concept”, një iniciativë artistike, pedagogjike dhe sociale, që synon ta çojë muzikën edhe pranë komuniteteve në nevojë, qendrave sociale, fëmijëve me aftësi ndryshe dhe të moshuarve. Mbrëmja koncertore u prit me duartrokitje nga publiku.