BRUKSEL- Evropa mbeti e zhgënjyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e dhënë ndaj Shqipërisë në Konferencën e Donatorëve dje në Bruksel, ndërkohë që një surprizë të këndshme dhuroi Italia me 65 milionë euro për rindërtimin e vendit tonë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Zyrtarë të Bashkimit Evropian, po ashtu, kanë parë me zhgënjim edhe ndihmën e dhënë nga Spanja, vetëm prej 25 mijë eurosh, një vend i cilësuar i rëndësishëm sipas tyre.

Nga komunikimet që gazetarja e Report Tv Klesiana Omeri ka pasur në Bruksel me zyrtarë të Bashkimit Evropian, pritshmëritë e tyre kanë qenë më të larta për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHBA-të dhanë 4.7 milionë dollarë, ndër të cilat 3.9 milionë dollarë grante për qeverinë, pra dhuratë, 60 mijë $ për Kryqin e Kuq dhe 800 mijë $ për monumentet kulturore. Ndërkohë që më herët SHBA-të kanë dhënë 800 mijë $, vlerë e cila e çon në afro 5 milionë dollarë ndihmën e dhënë nga aleati më i madh për Shqipërinë. Edhe për kryeministrin Edi Rama siç ai u shpreh dje nga Brukseli, ndihma e SHBA-ve ishte modeste, megjithatë ai tha se amerikanëve u vlejnë standardet, kur bëri të ditur se me një pjesë të granteve do të ngrihet Akadamia e Transparencës, për monitorimin e gjithë procesit të rindërtimit, por edhe të proceseve të rëndësishme publike që duan 'syrin' e mirë vëzhgues, siç janë tenderët dhe prokurimet publike. 

Sa i përket mini-shengenit, zyrtarët e BE-së e kanë mbështetur këtë nismë, por i qëndrojnë se në këtë nismë duhet të jenë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. "Nuk ka kuptim mini shengen vetëm me disa shtete të Ballkanit", janë shprehur ata.

Dje sytë e shqiptarëve ishin nga Konferenca e Donatorëve “Sё bashku pёr Shqipёrinё” , ku nga pjesëmarrja e rreth 100 shteteve (kurrë më parë kaq krerë shtetesh, ministra e përfaqësues të BE-së), u premtuan 1.15 miliardë euro ndihma në përpjekjen e Shqipërisë për t'u ringritur pas tërmetit që la pas 51 viktima, qindra të plagosur, mijëra të pastrehë e ndërtesa të rrënuara e dëmtuara. 17 shkurti mund të quhet dita e solidaritet të Evropës me Shqipërinë, pasi kurrë më parë nuk ishin mbledhur kaq shumë fonde për shtete të tjera të prekura nga fatkeqësi natyrore.

Një proces i gjatë është përpara, dhe që ka të bëjë me të gjitha procedurat për të çuar këto ndihma në vendin e duhur, për të përgatitur projektet e për t'i hapur rrugë zbatimit të tyre. I gjithë ky rrugëtim, siç tha dje presidentja e KE-së Ursula von der Leyen do të monitorohet nga ekspertë të KE-së, ndërsa komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi  nuk i la shteg korrupsionit! “Korrupsion nuk do tё ketё dhe nuk do tё lejojmё tё ketё. Ne do tё  jemi tё pёrfshirё nё implementim.”