SARANDË-Marrëveshja e qerasë së një objekti peshkimi në Butrint që shteti ja ka dhënë me qira Hektor Balilit, vëllait të Kelmend Balilit ka shkaktuar përplasje institucionale mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, konflikt ky që ngritur në këmbë edhe Policinë e Shtetit, e cila ka angazhuar edhe forca speciale.
 
Kontrata e dhënies së objektit Vivar Butrint është firmosur në vitin 2012 nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave e cila ishte e parashikuar për një periudhë 10 vjeçare.
 
Por sot kjo pronë është nën administrimin e Ministrisë së Ekonomisë, e cila ka nënshkruar kontratë qiraje me një tjetër subjekt.
 
Në konfliktin e sotëm është përfshirë përfaqësuesi i drejtorisë së administrimit të ujrave në Sarandë, Ervin Kajo, i cili ka shkuar për të mbrojtur kontratën e vitit 2012 e dhënë në favor të Hektor Balilit dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Ekomisë, i cili do të bënte dorëzimin e objektit tek qiramarrësi i ri.
 
Ky konflikt i bërë edhe në prani të mediave, u shndërrua në një test muskujsh për dy drejtorët, të cilët vazhdimisht artikulonin se përfaqësonin shtetit.
 
Ndërkohë pas rezistencës së drejtorit të Ujrave për Sarandën, përfaqësuesi i ministrisë së Ekonomisë, nuk arriti ti dorëzojë pronën qiramarrësit të ri duke u mjaftuar me një procesverbal për rezistencën.
 
Konflikti për këtë pronë ka nisur për faktin se ajo është dhënë me qira nga Ministria e Mjedisit vetëm me një marrëveshje me firmat e dy ministrave, ndërkohë që kalimi i saj në administrim të njërit apo tjetrit institucion mund të bëhej vetëm me vendim qeverie.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com