Policia e Burgjeve ka ushtruar kontrolle të befasishme ditën e sotme në burgjet e Fierit, Vlorës dhe Peqinit.

Përmes një njoftimi, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë të ditur se aksioni është kryer nën mbikëqyrjen e drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi dhe drejtorit të Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, gjatë kontrolleve u sekuestruan aksesorë mjetesh komunikimi që përbëjnë vepër penale, mjete prerëse të improvizuara, si dhe sende të tjera të palejuara.

Për rastet e konstatuara u njoftua Sherbimi i Kontrollit te Brendshem te Sistemit te Burgjeve për veprime të mëtejshme proceduriale.

Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:

Aksion blic në IEVP Fier, Vlorë dhe Peqin

Në vijim të masave për forcimin e sigurisë dhe disiplinës në institucionet penitenciare, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Adriatik Kupi, së bashku me Drejtorin e Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta, drejtuan sot, më datë 09.05.2026, kontrolle të befasishme në IEVP Fier, Vlorë dhe Peqin.

Kontrollet u ushtruan nga forcat operacionale të Drejtorisë së Policisë së Burgjeve, me fokus evidentimin dhe goditjen e sendeve të ndaluara brenda institucioneve.

Gjatë kontrolleve u konstatuan dhe u sekuestruan aksesorë mjetesh komunikimi që përbëjnë vepër penale, mjete prerëse të improvizuara, si dhe sende të tjera të palejuara dhe të tepërta. Për rastet e konstatuara u njoftua Sherbimi i Kontrollit te Brendshem te Sistemit te Burgjeve për veprime të mëtejshme proceduriale.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e vendosur për të garantuar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit në çdo institucion të vuajtjes së dënimit.

Kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha IEVP-të. Toleranca ndaj shkeljeve është zero.