TIRANE, 21 Maj/ATSH/- Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi të enjten se kanë kaluar në filter mbi 16% e subjekteve që tregtojnë karburante dhe se deri tani ka 10% më shumë kuponë tatimore në këtë periudhë
Gjiknuri pa në terren punën e inspektorëve në kuadër të operacionit për kontrollin fiskal, cilësor dhe sasior të pikave të tregtimit me shumicë dhe pakicë të lëndëve hidrokarbure.
Deri tani kanë kaluar në filter mbi 16% e subjekteve që tregtojnë karburante."Kemi konstatuar një pjesë të problemeve, të cilat po adresohen si me masa ndëshkimore, ashtu edhe me masa të karakterit korrektues. Këtu përfshihen edhe ndryshimet që po bëjmë në kuadrin ligjor, për ta forcuar më shumë kontrollin e këtij tregu", tha ministri Gjiknuri. Sipas tij, problematikat kryesore kanë të bëjnë kryesisht me problematikën e evazionit fiskal, gjithashtu në disa raste edhe shmangia nga standardet. " Ky proces kontrolli do të vazhdojë, duke u forcuar dhe duke u bërë edhe më i imtësishëm", tha Gjiknuri.
Përveç revokimeve të licencave, përmes ndryshimeve ligjore të bëra në vitin e fundit dhe aktet respektive, sipas Gjiknurit, i është dhënë fund edhe procesit të përpunimit të naftës bruto në mënyrë të pakontrolluar. Kompanitë që prodhojnë naftë bruto, tha ai, janë të detyruara të furnizojnë vetëm rafineritë në Shqipëri. "Garantojmë qytetarët se procesi i kontrollit do të vazhdojë, ata do të jenë më të mbrojtur përsa i përket standardeve. Ky operacion ka gjithashtu rëndësi pasi do të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit", deklaroi kreu i MEI-it.
Sipas tij, evazioni ka qenë i madh, edhe për shkak të manovrimeve që kanë bërë shumë pika të ndryshme karburanti në lidhje me përdorimin e pompave manuale, me pretendimin se gjoja nuk funksiononte pompa automatike. Pikërisht, vijoi ai, për shkak të këtij operacioni, janë shtuar në një masë të madhe deklarimet e xhiros reale, që do të thotë më shumë të ardhura për Buxhetin e Shtetit. Kreu i MEI-t u shpreh se nga të dhënat e fundit janë 10% më shumë kuponë tatimore në këtë periudhë. /a.gjonaj/ /a.ke/