Në një kohë që e gjithë Shqipëria ka hyrë në plan veprimi për parandalimin e përhapjes së koronavirusit qytetarët ende nuk janë ndërgjegjsuar për të shmangur vendet me shumë njerëz dhe kafenetë.

ReportTv bëri një vëzhgim në disa prej qyteteve të vendit ku u vu re se kafenetë vijojnë të jenë të tejmbushura nga qytetarët duke thyer kështu rregullin e ruajtjes së distancës me të paktën 1 metër.

Pavarësisht udhëzimit të ministrisë së Shëndetësisisë dhe OBSH për të  shmangur ambjentet me shumë njerëz si masë parandaluese për koronavirusin sërish kafenetë e vendit tonë vijojnë të jenë të plotë.

Ky udhëzim u ripërsërit edhe nga zv. ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli gjatë konferencës të përditshme për COVID-19.

Nisur nga kjo situatë dhe duke parë mos ndërgjegjësimin e qytetarëve,  ReportTV bëri një vëzhgim në zonat më të populluara të qyteteve të  vendit tonë.

Në Tiranë lokalet ofrojnë panoramën e përditshme, të mbushura plotë me grupmosha të ndryshme, nga të rinjtë e deri tek moshat e treta që i frekuentojnë ato çka tregon më së miri se siguria e tyre është lënë në planin dytësor.

E njëjta situatë paraqitet edhe në pedonalen e Shkodrës ku kafenetë janë të mbushura me qytetarë pa marrë parasysh udhëzimin për respektimin e distancës me të paktën 1 metër nga njëri-tjetri. Shkodranët vijojnë normalisht jetën, madje kjo e martë ngjan me një ditë pushimi ku të gjithë dynden në kafene.

Panoramë të njëjtë ofron edhe qyteti i Lezhës ku mbërritja e koronavirusit në Shqipëri nuk i ka penguar qytetarët që të vijojnë aktivitetin e tyre të përditshëm.

Rrugët dhe kafenetë e qytetit janë të populluara si çdo ditë tjetër.

Qytetarët e Durrësit duken më të ndërgjegjësuar përsa i përket evitimit të vendeve të populluara pa qenë e nevojshme.

Në pamje shihen që kafentë janë të zbrazura.

Prej të hënës i gjithë vendi ka hyrë në plan veprimi me qëllim kufizimin, parandalimin dhe të fituarit kohë përpara këtij virusi të rrezikshëm ku ndër masat kryesore që kërkon një kujdes të veçantë është kujdesi për higjenën personale si dhe shmangia e ambjenteve të mbyllura ku grumbullohen shumë njerëz.