TIRANË - Ndalesat në çdo lagje të Tiranës janë parë si mundësia më e mirë për kandidatin e koalicionit të djathtë Halim Kosova për t’i parashtruar qytetarëve projektin e tij për kryeqytetin.

Në një takim me banorë të Rrugës së Durrësit, Kosova tha se nëse do të marrë votën e tyre në garën elektorale të 21 Qershorit do të ndërtojë 10 shkolla të reja e dhjetëra të tjera do t’i nënshtrohen rikonstruksionit për t’iu përshtatur standardeve bashkëkohore. Ai foli për një fond të posaçëm për trajnimin e mësuesve dhe për shfrytëzimin e çdo ambienti të pashfrytëzueshëm përreth shkollës në shërbim të nxënësve.

 “Në 10 shkolla të reja është llogaritur që të strehohen rreth 7200 nxënës dhe 34 shkolla të tjera të rikonstruktohen, të ketë biblioteka dixhitale, të ketë ambiente për stomatologun për vizita, për psikologun me ndjek disa parametra në mënyrë që me i kap në kohë problemet shëndetësore ose parandalimin. Ne kemi llogarit edhe një lloj fondi edhe për trajnimin e mësuesve për ngritje profesionale. Aty ku shihet përreth shkollës që mund të ketë terrene ku nuk ndërtohet gjë ose ka një pronar bashkia t’ia marrë, t’ia blejë pronarit ku ai nuk bën dot asnjë lloj aktiviteti për shumë arsye, t’ia blejë në mënyrë që të zgjerojmë mundësitë për kohën e lirë të nxënësve”, tha Kosova.
 
Ndërkohë në një takim me banorët e zonës së Kodrës së Priftit, Kosova u ndal tek projektet e infrastrukturës.
 
“Ai ujësjellësin e vendos në mes të rrugës. Nuk vendoset ujësjellësi në mes të rrugës. Ujësjellësi vendoset anash”, thotë një banor. “Nuk do firmos gjë pa e pas në dorë mbaje mend siç e kam bërë gjithë jetën”, tha Kosova.
 
“Të keqen më të madhe ne e kemi nga kanalizimet e ujërave të zeza”, thotë banori.
 
“Ky është ndërtimi i rrjetit të kanaleve të ujërave të zeza dhe kanaleve të ujërave të bardha. Eshtë për gjithë lagjen jo për një rrugë domethënë kur të merret me u bë do merret si bllok dhe jo vetëm një”, tha Halim Kosova.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)