/ATSH/.- Avokati i Popullit Sami Kurteshi kërkoi sot pezullimin e vendimit të ministrit të Arsimit, Ramë Buja për regjistrimin e studentëve të kategorive të dala nga lufta në Universitetin e Prishtinës, duke i nisur hetimet rreth së drejtës së tyre për një gjë të tillë.

Sipas një komunikate për media të Avokatit të Popullit, ky i fundit i ka hapur hetimet në lidhje me ndikimet në të drejtat e njeriut të parashikuara me Kushtetutë dhe ligje në fushën e arsimit universitar të vendimit nr. 178/01B të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, të datës 13 nëntor 2014, për regjistrimin e fëmijëve të kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina" në vitin akademik 2014/2015.

"Në këtë vendim, ministri Buja kërkon nga rektori i Universitetit të Prishtinës që të regjistrohen fëmijët e kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së, të cilët i janë nënshtruar provimeve pranuese sipas afateve zyrtare të shpallura nëpërmjet konkurseve për vitin akademik 2014/2015. Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për rritjen e tensioneve kohëve të fundit rreth Universitetit të Prishtinës. Me qëllim që të qetësohet situata, Avokati i Popullit, bazuar në Ligjin për Avokatin e Popullit, sot i ka kërkuar zyrtarisht ministrit Buja dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, që të pezullojnë zbatimin e vendimit, deri në përfundimin e hetimeve të Avokatit të Popullit. Ky rekomandim nuk paragjykon, në asnjë mënyrë, meritat e çështjes ose rezultatet e hetimeve", thuhet në komunikatë.

Avokati i Popullit thekson se çdo ndërhyrje e jashtëligjshme në zhvillimin e rregullt të procesit mësimor, konsiderohet plotësisht e papranueshme./KosovaPress/