/ATSH/.-Nënëshkrimi i paralajmaruar për këtë javë i marrëveshjes përfundimtare për bashkëqeverisje PDK-LDK, pas pajtimit në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak në mbrëmjen e 19 nëntorit, duket se ende pret finalizimin nga grupet e punës e kryetarët, përfshirë ndarjen e posteve.

"Në kohën kur kanë mbetur vetëm pak ditë deri në zyrtarizimin e marrëveshjes për ndarjen e dikastereve qeveritare", sipas shtypit të sotëm Kosovar, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i ka bërë me dije liderit të PDK-së, Hashim Thaçit, se nëse ai nuk e merr postin e kryeministrit do të tërhiqet nga marrëveshja për bashkëqeverisje.

Gazeta "Zëri" me kryetitullin "Pabesi mes Thaçit e Mustafës" shkruan sot se, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka "kërcënuar" partnerin e koalicionit, PDK-në e Thaçit, se në rast se nuk merr postin e kryeministrit do të tërhiqet nga marrëveshja për bashkëqeverisje dhe pas kësaj deklarate në mesditën e djeshme është takuar edhe me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. "Nga burimet e LDK-së mësohet se Mustafa është duke kërkuar garanci për postin e kryeministrit edhe nga ndërkombëtarët, duke mos i zënë besë kreut të PDK-së, Hashim Thaçi. Mësohet se me presidenten kanë biseduar rreth procedurave të ardhshme të themelimit të institucioneve", shkruan gazeta.

Shtohet se, ndërkohë Mustafa ka bërë me dije se marrëveshja për ndarjen e ministrive do të finalizohet brenda dy ditësh.

"Por, derisa kreu i LDK-së zyrtarisht këmbëngul se posti i kryeministrit të ardhshëm do t'i takojë atij, në anën tjetër PDK-ja e Thaçit vazhdon të mos komentojë rreth kësaj çështjeje", shkruan gazeta.

Kreu i LDK-së, Mustafa, tha të hënën pas takimit që kanë zhvilluar liderët politikë dhe anëtarët e grupeve punuese për ndarjen e përgjegjësive se partia e tij nuk do të hynte në koalicion me PDK-së sikur të mos i jepej posti i kryeministrit.

Gazeta "Tribuna" me kryetitullin "Dy rrugë që çojnë te posti i presidentit" shkruan se, llogaritë e bëra për përfshirjen e postit të presidentit në ndarjen e pushtetit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, nga ana ligjore e kushtetuese duken vështirë të realizueshme.

"PDK dhe lideri i saj Hashim Thaçi, po tregojnë shenja mospajtimi me faktin që posti i presidentit të mbetet jashtë pazarit politik në kohën kur LDK e ka bërë të qartë se pa postin e kryeministrit, do ta prishte edhe marrëveshjen me PDK-në. Si parti fituese e zgjedhjeve, PDK-së po i mbetet posti i kryetarit të Kuvendit.

Në këtë mes, llogaritë politike që ende mbeten në fuqi, janë që aty në pazarin e ndarjes së pushtetit të përfshihet edhe posti i presidentit të vendit, duke aluduar në një marrëveshje me presidenten Atifete Jahjaga, e cila sipas këtij skenari, brenda 6-7 muajve do ta lëshonte këtë post për liderin e PDK-së Hashim Thaçi. Por, dorëheqja e presidentes, për kah ana ligjore-kushtetuese vlerësohet se është e pamundshme të realizohet në këso rrethana.

Në bazë të skenarëve të PDK-së, por të cilat në heshtje nuk i kishte kundërshtuar as LDK-ja, ishte llogaritur që nën emrin e formimit dhe funksionimit të institucioneve të Kosovës, me anë të marrëveshjes t'ia shkurtojnë mandatin kushtetues pesë vjeçar presidentes Atifete Jahjaga, duke besuar se një marrëveshje të tillë do ta pranonte edhe presidentja", shkruan gazeta.

Ndërsa, gazeta "Koha Ditore" me kryetitulli "LDK-ja heq dorë nga parimet që i kishte firmosur me bllokun"shkruan se, LDK-ja ka hequr dorë nga parimi i akorduar muaj më parë me LVV-në, AAK-në e Nismën që dialogu me Serbinë të bazohet në "parimin e reciprocitetit dhe respektimin e ndërsjellë të sovranitetit dhe të integritetit territorial".
"Tani nuk flet për reciprocitet. E respektimin e sovranitetit nga Serbia e ka vetëm synim për ta mbërritur me dialog. Ndryshimi i qëndrimeve është shprehur në një draft të Programit të Qeverisë, që grupe punuese të PDK-së dhe LDK-së tashmë e kanë afër finalizimit", shkruan gazeta.

Përkujtohet se, "ka gati një muaj që kur LDK-ja është tërhequr nga Blloku, i cili donte ta dërgonte PDK-në në opozitë pas dy mandatesh në pushtet. Dhe pozicionimi që Blloku kishte marrë përkitazi me dialogun, kishte bërë që formula qeverisëse të mos gëzonte mbështetje ndërkombëtare".