KQZ: Ja propozimet për zgjedhjet

KQZ: Ja propozimet për zgjedhjet
TIRANË – Në ditët kur PS e PD po replikojnë për vijueshmërinë e reformës zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë gati propozimet konkrete. Sipas materialit të siguruar nga Shqiptarja.com, KQZ ka propozuar ndryshime në numërimin e votave e mes të tjerash edhe shtimin e KZAZ-ve të cilat aktualisht janë 66.Po kështu KQZ propozon që regjimi ifletës së votimit të mos jetë e lidhur me kutinë e votimit.

PROPOZIMET E KQZ
Ky dokument ka për qëllim që të kontribuojë në dhënien e një mendimi teknik mbi përmirësimet që duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që praktika e administrimit zgjedhor të shmangë në maksimum problematika të cilat lidhen me hapësira dhe përcaktime jo-koherente të Kodit Zgjedhor, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në standardet që KQZ duhet të realizojë në mirë administrimin e një procesi zgjedhor. Theksojmë, se ky dokument bazohet kryesisht në praktikën dhe gjetjet e 2 proceseve të fundit zgjedhore.

I. ZONAT E ADMINISTRIMIT TË ZGJEDHJEVE
Për arsye të përshpejtimit të procedurave të numërimit të votave dhe realizimit të këtij procesi në afatet e Kodit, duhet të shtohet numri i zonave të administrimit zgjedhor (ZAZ-ve). Në këtë rast, ndryshimet qe propozohen në nenin 27 janë:
- Që një rreth të mund të ndahet në më shumë se një ZAZ, numri i zgjedhësve nga më shumë se 70 mijë zgjedhës, të ndryshohet në më shumë se 60 mijë;
- Një bashki të jetë ZAZ më vete kur ka më shumë se 30 mijë zgjedhës; dhe
- Që një bashki të ndahet në dy ZAZ, duhet që numri i zgjedhësve të jetë më shumë se 80 mijë zgjedhës.
Ndryshimi i këtyre kritiereve bën të mundur krijimin e 100 ZAZ-ve nga 66 që u krijuan në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2011.

II. ZONA DHE NUMRI I QV-VE
Menyra e trajtimit të shpërndarjes së votuesve në qendrat e votimit dhe përcaktimi i vendndodhjes se tyre (pervec percaktimit te vendndodhjes se QV-ve ne ambjente private), sipas Kodit Zgjedhor e perjashton përgjegjësinë e KQZ-së për këtë proces. Këtë Kompetencë e ka Kryetari i njësisë së Qeverisjes Vendore.
Nisur nga Praktika e deritanishme, në shumë raste kryetarët ne detyrë të organit të njësisë së qeverisjes vendore janë njëkohësisht dhe kandidatë për kryetar në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë moment vendimarrja e tyre për shpërndarjen e votuesve në qendrat e votimit dhe caktimi i vendndodhjes se tyre eshte e diskutueshme, gje e cila solli disa ankime nga subjektet zgjedhore, ne KQZ-së në lidhje me këto vendime të kryetarëve të njësive vendore.
Kësaj problematike i shtohet edhe fakti që Kodi Zgjedhor nuk parashikon detyrimin për kryetarët e njësive të qeverisjes vendore për të dërguar në KQZ informacionin në lidhje me përcaktimin e QV-ve dhe numrin e zgjedhësve për cdo QV duke cuar në neglizhencën e kryetarëve të njësive vendore për të sjellë në kohë në KQZ këtë informacion të domosdoshëm për krijimin dhe funksionimin e QV-ve.
Për të zgjidhur këto problematika ne propozojme që Kodi Zgjedhor te rishikohet ne menyrë të tille qe kryetari i njësisë së qeverisjes vendore të kryejë procedurat e parashikuara në nenin 62, pika 1, gërma a dhe b të Kodit Zgjedhore dhe më pas t’ja propozoj KQZ-së për miratim.
Në këtë kontekst duhet që edhe afati i fundit për ndryshimin e vendndodhjes se qv-ve, të ndryshojë nga 10 në 20 ditë.

III. PËRGATITJA E FLETËS SË VOTIMIT
Hartimi dhe prodhimi i Fletës së Votimit është produkt i disa proceseve të tjera si:
- Regjistrimi i partive politike/koalicioneve;
- Regjistrimi i kandidatëve (listat shumëemerore, kryetarët për organet e qeverisjes vendore);
- Miratimi i listës përfundimtare nga kryetari i njësisë vendore dhe i dhënies së informacionit në KQZ
Për më tepër, afateve të parashikuara nga Kodi për këto procedura i shtohen edhe afatet e procedurave ankimore, duke e cuar afatin për prodhimin e fletëve të votimit deri në limitet e pamundësisë së realizimit. Në zgjedhjet e fundit vendore, KQZ në disa raste sporadike nuk pati as mundësinë kohore për të korrigjuar disa gabime teknike në fletën e votimit (fakt i vënë në dukje dhe nga raporti i OSBE/ODIHR).
Sugjerohet, që të gjitha afatet e sipërpërmendura, që ndikojnë në miratimin dhe prodhimin e fletës së votimit, duhet të largohen respektivisht edhe 30 ditë nga afati kohor i parashikuar në Kodin aktual.
Për sa i përket përmbajtjes së Fletës sëë Votimit për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, Kodi duhet të shprehet për përmbajtjen e fletës së votimit për kandidatët për kryetar të njësisë vendore dhe për renditjen midis partive dhe koalicioneve.

IV. DOKUMENTACIONI PËR PROCEDURAT E HAPJES/MBYLLJES SË VOTIMIT
Mënyra sesi Kodi Zgjedhor ka renditur procedurat dhe dokumentacionin përkatës për veprimet që KQV duhet të kryej gjatë gjithë veprimtarisë së saj është bazuar me të drejtë në qëllimin për të identifikuar çdo veprim të njëpasnjëshëm të KQV-së, duke lënë gjurmë të dokumentuar për këto veprime.
Nga vëzhgimi i deritanishëm i mënyrës së administrimit të këtij dokumentacioni, kemi vënë re se në shumicën dërrmuese, disa elementë nuk merren fare në konsideratë dhe nuk vlerësohen si veprime të rëndësishme që lidhen me sekretimin e procesverbalit të hapjes dhe mbylljes së votimit, pasi janë jashtëzakonisht të rralla rastet që këto procesverbale janë gjetur të sekretuara në zarfet përkatës. Për më tepër, përgjithësisht, komisionerët ankohen për numrin e madh të procesverbaleve dhe pamundësinë e ndjekjes së të gjithë procedurave për shkak të tensionit apo kohës së kufizuar në dispozicion. Me një panoramë të tillë, ku Kodi dokumenton në detaje veprimet e KQV-së, por që nga ana tjetër ato nuk gjen plotësisht zbatim në praktikë, atëherë qëllimi i ligjvënësit për të patur në çdo rast gjurmë të veprimeve në rast të hetimi, nuk realizohet!
Në këtë rast mendojmë që puna e KQV-së të përmblidhet në një dokument të vetëm origjinal – Libri i Protokollit – i cili duhet të përmbajë të gjithë procesverbalet tip që përcakton Kodi aktualisht dhe kopjet e karbonit të vulosura të tyre të futen detyrimisht në kutitë respektive, por origjinali i procesverbaleve duhet të jetë pjesë e pandarë e Librit të Protokollit.
Në pamje të parë, kjo praktikë duket sikur parimisht kufizon të drejtën e subjekteve të interesuar për të marrë kopje të këtij dokumentacioni (kryesisht procesverbalit te hapjes/mbylljes së votimit), por praktikisht, nuk ka asnjë rast të vetëm kur subjekte të jenë interesuar për kopje të këtij dokumentacioni dhe faktikisht, qëllimi i përdorimit të tyre plotësohet pasi veprimet janë të faktuara si në Librin e Protokollit ashtu edhe brenda kutive.

V. RUAJTJA E DOKUMENTACIONIT
Nisur nga debati i gjatë për hapjen e kutive te votimit të përdorura në zgjedhjet për kuvend 2009, u vu re se përmbajtja e dispozitës për ruajtjen e dokumentacionit, konkretisht neni 178, nuk ka ndryshuar që nga ligji për zgjedhjet e vitit 1991, ndërkohë që praktika zgjedhore në këto 20 vjet ka ndryshuar rrënjësisht. Për rrjedhojë, terminologjia dhe kërkesat e këtij neni nuk i korrespondojnë një pjese të konsiderueshme terminologjisë dhe dokumentacionit që përdoret për administrimin e procesit zgjedhor, e përcaktuar kjo nga ky Kod Zgjedhor!
Për më tepër, ajo që është një domosdoshmëri imediate për ndryshim në këtë dispozitë është procedura e asgjësimit të fletëve të votimit dhe kundërfletëve, e cila duhet të jetë në përputhje me normat e përcaktuara në Ligjin 9010, datë 13.02.2003 “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta” dhe ti përshtatet mundësive teknologjike të riciklimit.
Në këtë rast duhet që dispozita për ruajtjen e dokumentacionit të ndryshojë që në thelb dhe të bazohet në:
- Përshtatjen e terminologjisë dhe llojit të dokumentacionit që duhet dorëzuar nga KZAZ-të në KQZ dhe të saktësojë pjesën e dokumentacionit që duhet të mbajë vet KZAZ – duke patur parasysh llojin dhe afatet e funksionimit të KZAZ-ve;
- Përshtatjen e terminologjisë dhe llojit të dokumentacionit që ka vlerë ligjore dhe historike për tu klasifikuar dokument që duhet të administruar dhe arkivuar nga Arkivi i Shtetit;
- Asgjësimi i fletëve të votimit dhe kundërfletëve të mos bëhet më me djegie, por me forma adekuate të riciklimit, duke ngarkuar KQZ-në për të caktuar me akte nën ligjore për format e riciklimit.

VI. NUMËRIMI I VOTAVE: FLETËT E VOTIMIT TË HEDHURA NË “KUTINË TË GABUAR”
Kodi Zgjedhor duhet ta trajtoje ceshtjen e numërimit të fletëve të votimit në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore. Regjimi I fletës së votimit të mos jetë e lidhur me kutinë e votimit. Kutia e votimit të konsiderohet si material zgjedhor qe mban fletet e votimit të sigurta deri në momentin e numërimit. Kutia mund te numërtohet me numra. Te gjitha kutitë e votimit te një qendre votimi të hapen njëkohesisht nga grupi i numërimit dhe fillimisht të ndahen sipas organit perkatës (gje e cila evidentohet menjehere ne bazë të ngjyres së fletës së votimit) dhe me pas te kryhet numerimi për secilin organ dhe te plotesohet tabela perkatese.

VII. ZGJEDHËSIT QË NUK MUND TË VOTOJNË VET
KQZ ka demonstruar gjithmonë një vullnet maksimal për të realizuar përshtatjen e kushteve për të mundësuar votimin e lirë dhe të fshehtë edhe për personat që nuk mund të votojnë vet, kryesisht personave me aftësi të kufizuar. Është shumë pozitive që Strategjia Kombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar gjen zbatim progresiv edhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor që prej vitit 2005, por ligjvënësi duhet të rregullojë identifikimin e autoriteteve përgjegjëse për zbatimin e këtyre dispozitave: Neni 108, pika 6 dhe 7 përcakton modalitetet që duhet të ndjekin zgjedhësit me aftësi të kufizuar për të informuar pushtetin vendor për kushtet e tyre dhe se ku do të votojnë, por nga ana tjetër, përgjegjësinë financiare për realizimin e këtyre nevojave nga pushteti vendor ja cakton KQZ-së!
Por:
i. Praktikisht KQZ nuk ka asnjë mundësi dhe faktikisht nuk ka ndodhur që të marrë informacion as në kohë dhe as ditën e zgjedhjeve për numrin, vendndodhjen e zgjedhësve me aftësi të kufizuar, pasi ky është detyrim parësor i institucioneve të pushtetit vendor dhe Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale;
ii. Duke qenë se lista e zgjedhësve dhe vendet e qendrave të votimit janë detyrim i drejtpërdrejtë i pushtetit vendor, atëherë KQZ e ka të pamundur, për vet specifikën e kësaj problematike që të përcaktojë se: 1. ku dhe sa janë zgjedhësit me aftësi të kufizuar, 2. kushtet e paaftësisë së tyre; 3. mjetet ndihmëse që duhen vënë në funksion për të krijuar kushte për të ushtruar të drejtën e votës.
Në këto kushte, KQZ ka mundësuar në rang vendi kushtet vetëm për të verbrit – si detyrim i pikës 8 të nenit 108, por për kategoritë e tjera është e pamundur.
Në këtë rast duhet që neni 108, të plotësojë kuadrin e përgjegjësisë së Pushtetit Vendor dhe Ministrisë së linjës që është përgjegjëse për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Personat me aftësi të Kufizua, për detyrimin e pajisjes së QV-ve me mjete ndihmëse që lidhen me lëvizjen/transportin e zgjedhësve me aftësi të kufizuar dhe duhet të heqë detyrimin e KQZ-së për ta realizuar këtë proces me shpenzimet financiare të saj, pasi është një proces i pamundur dhe nuk bën gjë tjetër vetëm shmang përgjegjësinë e pushtetit vendor.

VIII. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I KZAZ-VE, KQZ-VE DHE GN-VE
Problematika e funksionimit te komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta është sa politike aq edhe teknike. Gjithsesi, KQZ është përqendruar më tepër në propozime për ndryshime në procedurat e krijimit, organizimit dhe funksionimit të këtyre komisioneve, në mënyrë që të shmangen praktikat abuzive të cilat cojnë në bllokimin e procesit të votimit apo numërimit të votave. Këto problematika konsistojnë kryesisht në moszbatimin e detyrimit ligjor nga partitë politike për sjelljen e propozimeve për anëtarë të komisioneve të niveleve të ulta, në abuzimin me hapësirat që lë Kodi në lidhje me plotësimin e vakancave, kriteret për përzgjedhjen dhe emërimin e këtyre anëtarëve, si dhe përcaktimin e qartë të detyrave të këtyre komisioneve gjatë administrimit të procesit zgjedhor.
Duke patur parasysh këtë kuadër të gjerë problematikash, propozojmë që:
- Duhet të ndryshoje afati kohor për të plotësuar vakancën e krijuar në KZAZ, nga 15 ditë në 3 ditë. Gjithashtu gjatë ditës së zgjedhjeve propozimi për të plotësuar vendin vakant në KZAZ duhet të bëhet brenda dy orësh.
- Duhet përcaktuar saktësisht procedura dhe kategoria e personave të cilët do të emërohen kryesisht nga KQZ-ja, dhe jo vetëm për ditën e zgjedhjeve.
- Neni 30 duhet të përfshijë edhe anëtarë apo kandidatë për këshillat e bashkisë apo komunës përkatëse, kur ka zgjedhje për organet e qeverisjes vendore.
- Ashtu si për KZAZ-në dhe për KQV-të duhet te përcaktohet procedura dhe kategoria e personave të cilët do të emërohen kryesisht nga KZAZ-ja apo KQZ-ja nëse partitë të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV nuk e ushtrojnë këtë të drejtë.
- Shkak për shkarkimin e anëtarit të KQV-së duhet të jetë edhe rasti kur ai nuk paraqitet 2 orë rrjesht në detyrë ditën e zgjedhjeve.
- Afati kohor i marrjes së vendimit nga KZAZ-ja për ngritjen e grupeve të numërimit të votave, për caktimin e numrit të Grupeve të Numërimit, duhet të jetë jo më vonë se 10 ditë para ditës së zgjedhjeve. Gjithashtu, propozimi i partive politike për emërimin e anëtarëve të GN duhet të jetë jo më vonë se 1 javë para ditës së gjedhjeve, ndërsa afati kohor i emërimit të anëtarëve të GN nga KZAZ-ja duhet të jetë të paktën 4 ditë para ditës së zgjedhjeve.
- Duhet të theksohet fakti se vetëm kandidatët e propozuar nga partitë politike për anëtar GNV-ve, të cilët kanë kryer programin e trajnimit dhe kanë kaluar testin kualifikues të përgatitur nga KQZ-ja, do të emërohen si të tillë nga KZAZ-ja përkatëse.
- Duhet të përcaktohet qartë kriteri i vendbanimit të anëtarëve të GNV-ve në rastin kur numërohen votat për Bashkinë e Tiranës.
- Duhet të përcaktohet qartë rasti kur brenda një grupimi politik, vetëm një parti politike ka më tëpër se 2 mandate në Kuvend.
- Afati kohor për dorëzimin e materialeve nga selia e KZAZ-së, të jetë jo më vonë se 24 orë para hapjes së votimit, në mënyrë që për cdo problematikë të krijuar, të ekzistojë mundësia e ndërhyrjes në kohë për administrimin e zgjedhjeve në QV.
- Duhet qartësuar se “kush” ka detyrën të therrasë forcat e policisë së shtetit për vendosjen e rendit në QV: KZAZ-ja apo KQV-ja, pasi në dispozitën përkatëse këtë detyrë e kanë të dy këto komisione.

IX. REGJISTRIMI I KANDIDATËVE PËR KRYETAR, BASHKIE/KOMUNE
Kodi Zgjedhor aktual është i paqartë për regjistrimin e kandidatëve për kryetar komune apo bashkie. Ai ka parashikuar vetëm regjistrimin e kandidatëve për kryetar të propozuar nga zgjedhësit.
Kjo procedurë mund të regullohet duke shtuar një dispozitë e cila duhet të përcaktojë mënyrën e regjistrimit të kandidateve, për kryetar komune/bashkie.
Për sa i përket sanksioneve në lidhje me barazinë gjinore, praktika e zgjedhjeve te vitit 2011 tregoi se procesi i verifikimit te kriterit te gjinise ne listat shumëemërore nuk u krye nga KZAZ-të. Prane KQZ nuk u depozitua asnje vendim ku te evidentohej fakti nese ishte shkelur ky kriter apo jo. Ky Verifikim u krye nga KQZ. Per shkak te volumit te punes rezikohet te respektohet afati 6 muaj nga momenti i kryerjes se shkeljes i cili parashikohte ne nenin 17 të ligjit nr. 10279 “Per kundravajtjet administrative”. Verifikimi kerkon një kohë më të gjatë. Një mënyre që kjo procedure te mos jete në konflikt me nenin 17, pika 1 të ligjit të sipërcituar, Kodi Zgjedhor duhe te parashikojë afate te ndryshme për shqyrtimin e kësaj kundravajtje administrative. Ky afat mund te jete deri në 12 muaj nga momenti i kryerjes së shkeljes.

X. AFATET QË LIDHEN ME PERIUDHËN ZGJEDHORE
Neni 29 i Kodit, vendos kufizime për vakancën për anëtarët e KZAZ-ve duke diferencuar vakancën në periudhë zgjedhore dhe në periudhë jozgjedhore. Nisur nga përkufizimi i periudhës zgjedhore që Kodi bën ka mospërputhje midis kësaj periudhe dhe petriudhës së krijimit dhe funksionimit të KZAZ-së. Ne mendojmë që plotësimi i vendit vakant të mos lidhet me periudhën zgjedhore.
Bazuar në të njëjtin arsyetim, mendojmë se duhet të rishikohet edhe afati i ngritjes së BMM. Kodi parashikon që BMM ngrihet 10 ditë para fillimit të periudhës zgjedhore, ndërkohë që referuar përkufizimit që jep Kodi për periudhën zgjedhore, BMM rezulton të ngrihet vetëm ne dy data 5 mars ose 5 shtator. Kjo është e panevojshme pasi BMM ngrihet për të monitoruar mediat vetëm për periudhën e fushatës zgjedhore. Afati i ngritjes së BMM duhet të jetë 10 ditë para fillimit të periudhës së fushatës zgjedhore dhe jo 10 ditë para fillimit të periudhës zgjedhore.

XI. ZEVENDESIMI I MANDATIT TE KESHILLTARIT TË B/K KUR MANDATIN E ZOTËRON KANDIDAT I MBESHTETUR NGA ZGJEDHËSIT
Neni 164 i Kodit Zgjedhor duhet të parashikojë edhe rastin e zëvendesimit të mandatit të këshilltarit të bashkisë dhe komunës kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të mbështetur nga zgjedhësit. Pranë KQZ-së janë paraqitur kërkesa të tilla ku në bashki apo komunë është ndërprerë mandati i këshilltarit i cili ishte më parë kandidatë i mbështetur nga zgjedhësit. Në këtë rast KQZ ka zbatuar për analogji nenin 164 të Kodit Zgjedhor i cili parashikon procedurën për zëvendësimin e anëtarit të Kuvendit kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit dhe duke aplikuar këtë analogji mandati i takon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë në baze të formulës të përcaktuar për ndarjen e mandateve.

XII. FINANCIMI I SUBJEKTEVE ZGJEDHORE
Sipas Kodit Zgjedhor subjektet zgjedhore kane disa detyrime për pasqyrmin e fondeve të shpenzuara dhe te përfituara për fushatën zgjedhore (neni 90).
Sipas përkufizimit, “subjekt zgjedhor” janë partitë politike, kandidatët për kryetar komune dhe bashkie, si dhe kandidatët e listave shumemërore dhe kjo do të thotë që detyrimet e nenit 90 te Kodit jane për partitë politike, kandidatët për kryetar bashkie/komune dhe kandidatet e propozuar nga zgjedhësit. Ndërkohë neni 90 pika 4 rithekson dhe një herë së detyrimet e këtij neni vlejnë dhe për kandidatët e propozuar nga zgjedhesit duke lënë të kuptohet se këtë detyrim e kanë partitë politike dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit. Neni 91, parashikon gjithashtu se për cdo subjekt zgjedhor, KQZ emëron me short një ekspert kontabël për auditimin e fondeve te perftuara dhe te shpenzuara duke përdorur termin subjekt zgjedhor i cili nenkupton edhe në këtë rast parti/kandidat per kryetyar/kandidat per keshill. Sipas mendimit tonë ështe e paqartë a do te ketë auditim për fondet e kandidatëve për kryetar të vecantë nga auditimi i fondeve të partisë.
Neni 92, pika 1 e Kodit Zgjedhor, ngarkon KQZ-në të përzgjedhë me konkurim një listë të ekspertëve kontabel të licensuar në fillim të vitit zgjedhor.
Hedhja e shortit dhe emërimi i ekpertëve të përzgjedhur si më lart, bëhet jo më vonë se 45 ditë nga dalja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, përcaktuar kjo në nenin 91, pika 1 të Kodit Zgjedhor. Nga ekperienca e zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin 2009, si edhe Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore 2011, rezultoi se nga momenti i përzgjedhjes së listës, deri në momentin e emërimit të ekspertëve, krijohet një interval kohe mesatarisht 6 muaj, kohë gjatë së cilës mund të ketë ndryshime në listen e ekpertëve të përzgjedhur nga KQZ. Këto ndryshime mund të vijnë për shkak të:
- Shtimit në listë të ekspertëve të rinj të cilet gjatë kësaj periudhe mund të plotesojnë kriterin e ekperiencës të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor (neni 92, pika 2) – të kenë 5 vjet që e ushtrojnë këtë profesion.
- Duhet të ketë shkurtim të listës së ekpertëve për shkak të daljes në pension dhe mos ushtrimit me te profesionit.
- Shkurtim të listës së ekspertëve për shkak të masave të mundshme disiplinore.
Propozimi ynë është që përzgjedhja e listës dhe emërimi i ekspertëve të bëhet në të njëjtin moment.
Dorëzimi i raporteve financiare në KQZ nga ana e subjekteve zgjedhore, në momentin e mbylljes së fushatës si edhe qartësimi i momentit të bërjes publike të informacionit financiar nga ana e KQZ-së:
Kodi Zgjedhor parashikon mbajtjen e të dhënave për dhurimet si edhe për shpenzimet për fushatën zgjedhore nga ana e partive politike, si edhe ngarkon KQZ-në të bëjë kurdoherë publike listën e donatorëve që dhurojnë shuma mbi 100 mijë lekë, ndërkohë që nuk i detyron partitë politike të dorëzojnë raporte financiare apo informacione të tjera në lidhje me dhurimet apo shpenzimet e fushatës. Ky informacion i vihet në dispozicion ekpertit të licensuar të emëruar nga KQZ në momentin e fillimit të auditimit.
Ne propozojmë që në Kodin Zgjedhor të shtohet detyrimi i partive politike që të dorëzojnë informacion në KQZ në lidhje me dhurimet si edhe shpenzimet e fushatës menjëherë me mbylljen e fushatës zgjedhore.
Gjithashtu, përcaktimi i bërë në nenin 90, pika 1 të Kodit Zgjedhor, që lista e dhuruesve që dhurojnë shuma mbi 100 mijë lekë të bëhet kurdoherë publike, duhet të ndryshohet duke e lidhur bërjen publike të listës së dhuruesve me dorëzimin e informacionit financiar nga ana e subjekteve zgjedhore në KQZ. Në këtë mënyrë duhet të qartësohet momenti i bërjes publike i listës së personave që dhurojnë shuma mbi 100 mijë leke.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga 10 metër lartësi në vendin e punës, zbulohen detaje të reja lidhur me 41- vjeçarin shqiptar në Itali

Humbi jetën pasi ra nga 10 metër lartësi në vendin e punës, zbulohen detaje të reja lidhur me 41- vjeçarin shqiptar në Itali