mbylljen e ciklit të nëntë të KQZ në 22 vite. Asnjë nga tetë kryetarët e mëparshëm nuk ka arritur ta mbyllë mandatin e plotë dhe gjithnjë partitë kanë
nisur “një reformë të re”. Kjo e fundit ishte e 13-ta në numër dhe me siguri, jo e fundit. Palët lanë mjaft çështje të hapura pasi nuk pranuan korrektimin kombëtar të votës, refuzuan të drejtën e emigrantëve për pjesëmarrje aktive në zgjedhje, refuzuan listat e hapura dhe kështu votimin për individët kandidatë, si dhe refuzuan mekanizmat civilë jopartiakë në administrimin zgjedhor. E gjithë “reforma” synoi ndryshime në KQZ, në drejtimin dhe përbërjen e saj. Dy palët duket se kanë ndarë bilancin midis tyre: PS krenohet se hoqi Ristanin (që ishte zgjedhur me konsensus PD-PS), PD krenohet se vendosi përsëri njeriun e saj në KQZ (siç ka bërë çdo mazhorancë deri tani), një pazar rutinë, pa efekt dhe garanci se e ardhmja e KQZ
do të jetë e ndryshme nga ajo paraardhëse. Me bisedime e konsensus të mbyllur PD-PS edhe më tej Shqipëria do të jetë vendi i vetëm në Evropë me KQZ tërësisht partiake. Palët refuzuan sugjerimet ndërkombëtare për de-politizimin e KQZ dhe administrimit zgjedhor, dhe vendosën të bëjnë atë që praktikisht kanë bërë edhe më parë, më 2001, 2003, 2005, 2009 dhe 2011, të ruajnë monopolin e zgjedhjes dhe drejtimit të gjithë sistemit të administrimit zgjedhor.
"Risia" e vetme është se këtë herë mazhoranca nuk do ta zgjedhë direkt dhe apriori kryetarin e KQZ, por do ta bëjë këtë përmes një procesi formal "seleksionues": pasnesër përfundon e drejta e çdo individi për të kandiduar për kryetar të KQZ dhe më pas parlamenti (me 70 plus 1 votë, pra me votat e shumicës) do të vendosë cili do drejtojë këtë organ në katër vitet e ardhshme. Duke njohur praktikat e KQZ të mëparshme, sidomos të viteve të fundit, apo praktikat e emërimeve parlamentare në institucione kushtetuese (KLD, Bankë, KKRT, etj) nuk ka dilemë dhe dyshim se zgjedhja do të jetë midis militantëve të palës qeverisëse, pra një tjetër militant të dalë nga "gara konkurruese".
Problemi më i madh lidhet me zgjedhjet e anëtarëve të tjerë të KQZ. Sipas Kodit, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës (PD), dy nga partia kryesore e pakicës (PS), si dhe dy respektivisht nga grupime deputetësh të partive të shumicës/pakicës duke përjashtuar PD-PS. Në mazhorancë kemi tre parti të tjera parlamentare: LSI me 4 deputetë, PDIU me 2 deputetë dhe PR me 1 deputet. Cila parti do të marrë anëtarin e pestë të KQZ? Me shifra LSI duket pretendente, por nëse ligji lexohet formalisht, mund të ndodhë që PR apo PDIU mund të mbledhin më shumë se katër nënshkrime parlamentare me ndihmën e PD. A do të vendosë veto PD për të ndihmuar LSI duke braktisur aleatët historikë republikanë? A do të vendosë veto LSI ndaj PD duke e detyruar atë të zgjedhë anëtarin e saj? A do të ketë një aleancë fluide midis LSI e PS në përkrahje të kandidatit të së parës? Sido të jenë skenarët, zgjedhja e këtij anëtari do të vendosë më shumë se një mandate: do të përcaktojë koalicionin politik më 2013. Nëse PD mbështet LSI atëherë nuk ka më dilemë se ato do të jenë në koalicion zgjedhor edhe më 2013.
Problemi mbetet i hapur edhe në procedurën për anëtarin e gjashtë të KQZ: Kodi ia njeh të drejtën e propozimit partive opozitare, përjashto PS-në. Në opozitë kemi dy parti parlamentare: PBDNJ me 1 deputet dhe në aleancë me PS, si dhe FRD parti e re politike me po 1 deputet, jashtë aleancës me PS. Ligjërisht dy palët kanë të drejtë propozimi të kandidatëve për anëtar në KQZ; çështja është se çfarë qëndrimi do të mbajë PS dhe PD sidomos duke ditur faktin se dy palët hartuan një Kod zgjedhor me synim të vetëm, mënjanimin e forcave të reja/të treta politike. Politikisht ka disa zgjidhje që mund të jenë çështje negociatash politike ose votimi konkurrues, por në çdo rast është çështje testi e standardi sesi PS-PD do ta trajtojnë këtë rast, për të kuptuar se çdo të bëjnë ato më 2013 me votat e partive dhe koalicioneve të treta politike.
I njëjti problem do të shfaqet edhe në nivelet e tjera të administrimit zgjedhor: zgjedhjen e KZZ, KQV dhe Komisioneve të Votimit, ku secila palë do të pretendojë përfaqësimin dhe të drejtat që i njeh ligji. Nëse PD do të zgjedhë LSI për të pasur komisioner në çdo nivel atëherë shanset e fitores së një mandati nga PR, PDIU dhe partitë e tjera në koalicion, janë e mbeten minimale. Nëse PS-PD pranojnë të drejtën ligjore të FRD si parti parlamentare (i njëjtë me rastin LZHK në zgjedhjet e fundit lokale pas deklarimit të deputetit F.Mima si deputet i saj) atëherë koalicioni i tretë politik do të ketë më shumë garanci se vota e saj popullore përballë komisionerëve të PD-PS do të numërohet.
Çështje të tjera të hapura për KQZ mbeten formulat e vjetra të pandryshuara, p.sh neni në fuqi se pavarësisht si zgjidhet kryetari, nënkryetari i përket opozitës; kriteret përjashtuese për kandidatët për kryetar të KQZ; çështjet e financimit apo raportit midis KQZ dhe KZZ-të, ndryshimet e reja mbi numrin e KZZ-ve dhe nevoja për një rishpërndarje territoriale zgjedhore, si dhe çështjet e vëzhgimit, ankimimit, etj, të rezultuara problematike edhe në të kaluarën. Nuk ka progres në detyrimin tonë për politika gjinore në përzgjedhjen e listave të kandidatëve, në ndarjen e qartë midis burimeve shtetërore dhe fushatave elektorale, në konfliktet e interesit midis kandidimit dhe posteve publike, apo në çështjet e transparencës publike dhe reklamave elektorale.
Tradita zgjedhore tek ne mbetet negative ndaj edhe pritjet për 2013 nuk mund të përbëjnë përjashtim të plotë. Shpresa e administrimit të ndershëm zgjedhor mbetet e vakët përderisa fillimisht partitë (PD-PS) me ligj i kanë dhënë monopolin vetes të kontrollojnë dhe administrojnë të gjithë procesin, kurse garancia për një proces të lirë mbetet në pikëpyetje. Dy janë arsyet: e para përderisa reforma zgjedhore mbeti gjysmake, dhe mazhoranca (në kontrast me qëndrimin e BE, SHBA, OSBE) vijon të këmbëngulë se zgjedhjet e fundit kishin standarde të larta. E dyta, përderisa dy palët e vjetra politike kanë të njëjtën kuotë mbështetjeje dhe kështu, do të hyjnë në një garë të ashpër, shumë të ashpër, për të fituar një mandat më shumë, dhe kështu, të drejtën e mandatimit për qeverisjen e katër viteve të ardhshme. Për këto dhe të tjera arsye, formatimi i ri i KQZ do të tregojë shumë për standardet e pritshme zgjedhore dhe për koalicionet parazgjedhore parlamentare. Kjo e bën KQZ të rëndësishme, pavarësisht se roli i tij në zgjedhje parlamentare (me sistem proporcional) mbetet i kufizuar.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)