Më ndryshmet e reja, që ka miratuar së fundmi Banka e Shqipërisë, personave që kanë marrë në banka kredi konsumatore apo hipotekare u krijohen më shumë hapësira për të ndryshuar monedhën e kredisë apo llojin e hipotekës. Ata mund të kalojnë nga pagesa në euro, në atë me lekë, ose mund të ndryshojnë madje edhe kolateralin (pasurinë e lënë peng) gjatë periudhës që paguajnë këstet e kredisë.
Monedha
Konsumatorit i njihet e drejta të kërkojë konvertimin e monedhës së kredisë, në monedhën, me të cilën merr pagën mujore. Në shumicën e rasteve, për një shtëpi apo makinë, shitësit kërkojnë pagesë në euro dhe kredinë konsumatori e merr në këtë valutë. Por ai e merr pagën në lekë. Tani i krijohet një mundësi e dytë. Në rastet e konvertimit të monedhës së kredisë në monedhën në të cilën gjenerohen të ardhurat, kursi i këmbimit me të cilin do të realizohet konvertimi i monedhës së kredisë do të jetë kursi zyrtar i bankës në ditën që kryhet konvertimi, nëse nuk përcaktohet ndryshe në kontratë.
Banka, për kredinë në monedhë të ndryshme nga monedha në të cilën konsumatori siguron të ardhurat, njofton këtë të fundit nëpërmjet një shkrese ose një mjeti komunikimi, në rastet kur, si rezultat i ndryshimit të kursit të këmbimit, vlera e kësteve të rregullta të pagesës rritet me më shumë se 20% nga vlera që do të rezultonte, nëse do të aplikohej kursi i këmbimit midis monedhës së kredisë dhe monedhës në të cilën konsumatori siguron të ardhurat, në datën e nënshkrimit të kontratës. Njoftimi përmban informacion për konsumatorin, mbi rritjen në vlerën e kësteve të pagueshme prej tij dhe të drejtën që ekziston për ta konvertuar tepricën e mbetur të kredisë në monedhën në të cilën gjeneron të ardhurat.
Kolaterali
Në rregullore shtohet si diçka e re e drejta e klientit për zëvendësimin e pengut/pasurisë (kolateralit) të dhënë si garanci për mospagimin e kredisë, si dhe kushtet që duhen plotësuar për ta përfituar këtë të drejtë.
Rregullorja e Bankës parashikon gjithashtu që, në rastet e kredive me norma të ndryshueshme interesi, indeksi orientues që përdoret në llogaritjen e normës së interesit, duhet të jetë i qartë, i përdorshëm, objektiv dhe i verifikueshëm në çdo rast nga palët e kontratës së kredisë.
Kërkesat e reja të parashikuara në këtë vendim do të zbatohen vetëm për kontratat e kredisë konsumatore dhe kredisë hipotekare, të cilat do të lidhen pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Rregullorja parashikon që banka mund t’i ofrojë konsumatorit, së bashku me kontratën e kredisë, edhe hapjen ose mbajtjen e një llogarie rrjedhëse për regjistrimin dhe kryerjen e transaksioneve të pagesave ose të një llogarie kursimi, e cila ka për qëllim të grumbullojë një shumë për të paguar/shlyer kredinë ose të ofrojë më shumë siguri për aftësinë paguese të konsumatorit.
Kreditimi
Nëse doni të merrni hua në një bankë do ta keni më të vështirë, pasi bankat do ju kërkojnë më shumë “llogari” për të ardhurat dhe do vënë më shumë kushte për kolateralin. Rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, të përgatitur nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit 2018 tregojnë se standardet e kredisë janë shtrënguar si për bizneset, ashtu edhe për individët. Sipas madhësisë së biznesit vihet re se shtrëngimi i standardeve të kreditimit ka qenë i dukshëm në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërkohë që për ndërmarrjet e mëdha standardet janë raportuar thuajse të pandryshuara. Për individët standardet e kredisë janë raportuar të shtrënguara, si në segmentin e kredisë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë konsumatore.
Standardet e kredisë dhënë bizneseve në tremujorin parë të vitit 2018 janë shtrënguar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërkohë që për ndërmarrjet e mëdha ato janë raportuar thuajse të pandryshuara. Në tremujorin e dytë të këtij viti bankat presin që standardet e kreditimit të shtrëngohen në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërkohë që për ndërmarrjet e mëdha pritet të mbeten thuajse të pandryshuara nga tremujori i parë.
Në tremujorin e parë të vitit 2018, standardet e kreditimit për individët u raportuan të shtrënguara, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë për konsum. Standardet e kreditimit priten të mbeten të shtrënguara edhe në tremujorin e dytë të vitit, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe atë për financimin e konsumit.
Faktorët që kanë ndikuar në shtrëngimin e standardeve të kredisë dhënë për individë ishin gjendja financiare e individëve, situata në tregun e pasurive të paluajtshme, si edhe kreditë me probleme. Nga ana tjetër, niveli i likuiditetit, mjaftueshmëria e kapitalit të bankave dhe konkurrenca në sektorin bankar kanë vepruar në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit edhe për këtë tremujor.
Kërkesa për kredi nga individët në tremujorin e parë të vitit 2018 është raportuar më e lartë, e mbështetur si nga kërkesa për kredi për blerje banese, ashtu edhe nga kërkesa për kredi konsumatore. Kërkesa për kredi pritet të jetë në rritje edhe në tremujorin e ardhshëm.