Përfaqësues të komuniteteve fetare, familjarë të të mbijetuarve të përndjekurve politikë, si dhe aktorë të ndryshëm nga fusha e artit dhe politikës u bënë bashkë për të kërkuar drejtësi për krimet dhe të dënuarit në kohën e komunizmit. Kërkesat ata i kanë parashtruar në një rezolutë që do t’ua dorëzojnë të enjte një sërë institucioneve.

“Mbështesim letrën e asamblesë Ipeshknore të Shqipërisë për dënimin e krimeve të komunizmit me ligj njëlloj siç i ka dënuar europa krimet e fashizmit, nazizmit, komunizmit dhe stalinizmit. Të miratohet me ligj “Dita kombëtare e kujtesës” në nderim të martirëve të lirisë! Të futen në kurrikulat shkollore krimet makabre të stalinizmit shqiptar 1944-1990.  Të shpallen muze Burgu i Burrelit dhe ai i Spaçit”, u shpreh Besim Ndregjoni, Kreu i Unionit të ish-të përndjekurve politikë

Thirrjes iu bashkuan edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend, që solllën në vëmendje krimet e komunizmit ndaj klerikëve.

Ish-presidenti Bamir Topi komentoi mungesën e zyrtarëve më të lartë të shtetit, si pasardhës të diktaturës që nuk kanë bërë asgjë për ish-të përndjekurit

“Unë nuk arrij të kuptoj çfarë shprese ju ushqeni që vazhdoni dhe kërkoni bashkëpunim, ata nuk kanë qenë ndonjëherë në këtë krah. Nëse kemi pas diktaturë bardhë e zi, tashmë kemi me ngjyra. Ju nuk i drejtoheni akoma as krahut që e ka për detyrë ti mbrojë, as krahut tjetër. Ju çoni mesazhe, po është gjuajte në boshllëk, mos ua merrni për ters që nuk janë të pranishëm, sepse e kanë për turp. Duhet të bëhemi sa më shumë për ta risjellë këtë çështje”, u shpreh Topi.

Aktori i njohur Bujar Asqeriu foli për dhimbjen që kishte përjetuar, teksa luante rolin e një kleriku të ekzekutuar gjatë diktaturës.

“Jo më shumë sesa 6 muaj unë kam përjetuar në skenë një figurë të nderuar të klerit katolik i cili u burgos  dhe në fund u ekzekutua por, mbaj mend që në fjalët e tij, në mendimet e tij kishte fjalë dashurie për njeriun. Kishte fjalë, të cilat nga gjithë shfaqjet që kam bërë, kam pas një emocion të veçantë”.