Ndonëse pjesë e koaliciont të opozitës, kryetarja e LSI i qëndron traditës të së majtëve për ta festuar ditën e Çlirimit të Shqipërisë më 29 nëntor ndryshe nga çfarë ka bërë kreu i PD Lulzim Basha, i cili e ka uruar dje.

Kryemadhi ka zhvilluar homazhe te varrezat e Dëshmorëve, por ajo që vihet re është se edhe këtë herë ka shkelur masat anti-COVID, duke mbledhur grumbull partinë e saj dhe asnjë prej tyre nuk ka vënë maskë, me në krye vetë kryetaren. Gjatë fjalës së saj Kryemadhi tha se është detyra e politikanëve që në këtë ditë përkujtimore, të rrënjoset pasioni dhe dashuria për vendin.

"Është më e pakta që mund të bëjmë sot në emër të LSI-së, për të vendosur një kurorë në shenjë respekti dhe mirënjohje të 28 mijë djemve dhe vajzave shqiptare për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashist. Por ajo që është akoma më e rëndësishme, është që detyra jonë jo vetëm si klasë politike, por detyra jonë si nëna, si gra dhe si vajza, është për të rrënjosur akoma më shumë në zemrën e të rinjve dhe të rejave tanë atë që është shumë më e rëndësishme, dëshira, pasioni dhe dashuria për vendin, dashuria për flamurin, dashuria për atdheun tonë. Nëna Shqipëri është jo simbol, por nëna Shqipëri është jeta e çdo shqiptari. Prandaj është detyra jonë që sot në këtë ditë përkujtimore, jo thjesht për t’u kujtuar, por është ditë që duhet të rrënjoset në mendjet tona dhe sidomos të klasës politike, që të mos bëjmë më gabimet që kemi bërë dhe për të myllur njëherë e përgjithmonë këtë situatë tranzicioni, në këtë vit të mbrapshtë siç ishte viti i pandemisë, apo edhe situata pas tërmetit të 26 nëntorit, për të ringritur edhe njëherë pasionin dhe dashurinë për vendin, për të pasur respekt dhe mirënjohje, jo vetëm për dëshmorët tanë, por për të pasur respekt dhe mirënjohje për punën e atyre djemve dhe vajzave që kanë bërë për Shqipërinë. Lavdi dëshmorëve! ", tha ajo.

Disa minuta më parë kanë mbajtur homazhe te varrezat e Dëshmorëve, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Grmoz Ruçi dhe presidenti Ilir Meta.

Kryetarja e LSI-së është një ndër ato figurat politike që e ka shprehur hapur mosbesimin në ekzistencën e koronavirusit. Këtë e ka dëshmuar shumë herë ku është shfaqur në grumbullime të ndryshme, angazhime politike apo me të rinj duke mos vendosur maskën apo duke mos respektuar distancimin social. 

Por pavarësisht kësaj, autoritetet shqiptare nuk janë kursyer ndaj Kryemadhit teksa e kanë gjobitur 3 herë për thyerjen e masave antiCOVID të vendosura nga qeveria shqiptare. Rasti më i fundit është ajo në festën e ditëlindjes të aktorit Bes Kallaku ku Kryemadhi së bashku me Presidentin Ilir Meta u gjobitën në masën 10 mijë lekë.