Sali Berisha akuzon se atentati në Shkodër është një vrasje me licencë qeveritare e fisit Bajri, që sipas tij kanë siguruar fitoren e Ramës në këtë bashki.
Ai thotë se të gjithë e dinë kush e porositi dhe kreu ekzekutimin, por po mbrohen nga Rama, Drejtori i policisë, Ministri i Brendshëm dhe kreu i SPAK Altin Dumani.
"Kjo ishte një masakër me licencë qeveritare të Edi Ramës sepse banda Bajri është banda, e cila rrëmbeu mandatin e kryetarit të bashkisë dhe i është betuar Edi Ramës se do i garantojë mandatin në Shkodër me dhunë dhe terror. Udhëtimi i Altin Dumanit në Shkodër ishte dëshmi e kthimit të kriminelit në vendin e krimit, sepse krimet e kryera në Shkodër të gjitha flenë në dosjet që mban në sirtar më i ligj njëqind herë se Nuredini, Altini i prokurorisë speciale. Pra, siç e shihni, kaluan 10 ditë. Ndonëse Shkodra e di shumë mirë edhe dorasin, edhe porositësin, por këto po i mbyll Altin Dumani, po i mbyll Mondi i Sulës, po i mbyll Proda i bandave, Hoxha i bandave dhe Edi Rama që i ka licencuar', tha ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se nuk kanë pasur asnjë vendim për të bojkotuar Kuvendin, por për shkak të përjashtimit, deputetët opozitarë nuk morën dot pjesë në komisione.
Ndonëse ligjëvënsit e PD u kthyen në Kuvend pasi gjykata zbuti vendimin për përjashtimin e tyre, Berisha thotë se nuk kanë hequr dorë nga mosbindja civile.
“Ka pasur një keqkuptim, keqkuptimi ka qenë që nuk ka asnjë vendim të PD për bojkotin e seancave të parlamentit dhe në rast se i rikthehemi, ju e dini që deputetët tanë që nuk kanë qenë të përjashtuar kanë shkuar në çdo seancë, por janë bllokuar tek dera në mënyrë të paligjshme. Nuk ka patur asnjë vendim edhe njëherë, që të braktisë, që të bojkotohet parlamenti, gjë që mund të merrej, por nuk është marrë.
Ka pasur një vendim kur u bë përjashtimi i 24 deputetëve, ajo pastaj vështirësoi krejtësisht pjesëmarrjen në komisione dhe këto u bojkotuan. Anulimi i vendimit nga Gjykata Administrative rikthej deputetët edhe në komisione. Pra nuk duhet ti marrim gjërat, sikundër nuk janë. Pra nuk ka pasur vendim”, tha Berisha.
Sipas tij, ishte e rëndësishme që opozita të merrte pjesë në debatet për buxhetin 2025.
Së dyti e konsideroj shumë të rëndësishme që deputetët për buxhetin të thonë fjalën e tyre edhe në parlament, sepse taksapagues është edhe populli opozitar, sepse interesat e qytetarëve në rastin e buxhetit është shumë specifike dhe do ti mbrojmë edhe në parlament.
Ne jemi të detyruar të dërgojmë amendamente për këto dhe nuk besoj se, PD do të kishte mirëkuptim nga qytetarët nëse ajo debatin për buxhetin nuk e bënte edhe në parlament. Thënë këto, nuk lëviz asgjë nga mosbindja civile. Ju garantoj me përgjegjësi të plotë këtë. Ajo do të vazhdojë në rrugë, sheshe dhe kudo', tha ai.