Kujtimet e Petraq Xhaçkës: Si ma përvetësoi Enveri dhe e futi në librin e tij idenë se si mund të bëheshin shpime për naftë

Kujtimet e Petraq Xhaçkës: Si ma përvetësoi Enveri dhe e futi në librin e tij idenë se si mund të bëheshin shpime për naftë

Pjesa e gjashtëmbëdhjetë

Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut.

Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë.

Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.

Të ashtuquajturat llogaridhënie ishin gjyqe të vërtetë, bile dhe më të padurueshëm, sepse njerëz pa arsimin përkatës flisnin, të shumtat e herës, pa asnjë lloj përgjegjësie, duke u bërë autorëve të projektit akuza nga më të rëndat. Këto forma të vijës së masave e bënë shumë të vështirë punën e gjeologëve naftëtarë. Përfytyroni vite të tëra të një praktikë të tillë poshtëruese. Lidhur me këtë, do të tregoj një ngjarje, që më ka lënë mbresa të pashlyera.

U projektua dhe u shpua një pus kërkimi jo i thellë, në afërsi të vend-burimeve ekzistuese, në zonën e Krapsit. Rezultati ishte negativ. Rregullat e vendosura kërkonin që me grupin e autorëve, të shkoja në pus edhe unë, për të qenë i pranishëm në llogaridhënie. Midis kritikave e pyetjeve të shumta, një punëtor i brigadës, ndoshta i mësuar me kujdes edhe prej dikujt tjetër, u drejton autorëve një pyetje: – “Ju pyes ju, si autorë, po të kishit zbatuar në këtë projektim porositë dhe mësimet e shokut Enver, a do të kish rezultuar negativ pusi”?

Natyrisht që për autorët kishte rast për shpjegime dhe justifikime dhe ata u munduan. – Shiko, shoku naftëtar, ne. – “Jo, jo, shokë! Unë dua vetëm një përgjigje: ose ‘po’ ose ‘jo’! Se me shpjegime, ne do të kalojmë këtu javë të tëra pastaj…! Pyetja ime, është një pyetje prej punëtori. E thjeshtë, sa më s’bëhet: Po të kishit zbatuar në këtë projektim porositë dhe mësimet shokut Enver a do të kish rezultuar pusi negative”? Ndërhyra unë, por as mua punëtori nuk më la të sqaroja, që gjërat nuk duheshin parë aq të thjeshta, në bardhezi. Punëtori ngulte këmbë si mushka, e nuk shqitej pa një përgjigje të prerë.

Autorët u panë sy ndër sy. – Jo, – tha, për ta hequr qafe, i pari i grupit.

Pas përgjigjes së autorëve, punëtori vështroi nga shokët dhe me një zë të rëndë nxori përfundimin: – “Grupi i autorëve, nuk ka zbatuar mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, prandaj pusi doli negativ. Pra, ju, si autorë jeni thjesht sabotatorë dhe duhet të dënoheni”. Një hije frike e tmerri mbuloi fytyrat e autorëve të projektit. Nuk pipëtinte më, as miza. Unë u vura në pozitë të vështirë. Por megjithatë, duke ditur se një pjesë e madhe e punonjësve të shpimit, më njihnin mirë, që kur punoja si drejtor i tyre, vendosa të marr nisiativën e të flas, duke u munduar t’i liroj autorët, nga kjo akuzë e rëndë dhe idiote.

Këtë e bëra me takt, duke thënë midis të tjerash, se vetë partia e pranon që ka dhe puse negativë në kërkimet gjeologjike dhe bile ka caktuar kuota orientuese për këtë. U thashë se njohja jonë për nëntokën, nuk ishte absolute dhe prandaj nuk mund të thoshim se këtu kishim të bënim me një sabotim. Mbas kësaj mbledhje të nxehte llogaridhënëse, megjithëse kishim shumë orë pa futur gjë në gojë, ne nuk kishim aspak dëshirë, të qëndronim në mensën e pusit të tyre, për të ngrënë apo për të pirë kafe, si bënim zakonisht. I hipëm makinës dhe nisëm rrugën e kthimit për në Institut.

Rrugës, autori kryesor i projektit filloi të qajë. U përpoqa ta pushoj, por ishte e pamundur. Ai qante me dënesë dhe në nuk gjenim fjalë ta ngushëllonim. Të gjithë i kishin sytë e përlotur dhe pa folur vështronim jashtë. Kur më në fund ai pushoi, brenda makinës asnjë nuk fliste. Dhe kështu në heshtje të plotë e bëmë rrugën deri në Institut. Mbështetur në këtë ngjarje dhe në disa raste të tjera, ku kishin të bënim me qëndrime të skajshme, që po ndikonin shumë keq në gjithë punën projektuese, vendosa të shkoj në organet eprore dhe t’ ua bëja të ditur këtë gjendje aspak të rehatshme të gjeologëve. Kështu veprova duke i vajtur në takim titullarit të Ministrisë së Minierave, ministrit, të cilit ia përshkrova realisht gjendjen.

I theksova atij se gjeologët e Institutit hezitojnë të projektojnë puse të rinj dhe kjo mund të sillte një situatë tepër të rëndë, e cila përsëri mund të cilësohej fare lehtë, si komplotim në naftë. Pasi më dëgjoi me kujdes, ai më tha se do të informonte më sipër, bile për këtë problem do të vinte në dijeni vetë udhëheqjen. Kur dola nga zyra e tij, po thosha me vete nëse bëra mirë që e shpura problemin lart apo kjo sipërmarrja ime do të keqkuptohej dhe pastaj rrufetë të binin mbi mua. Thellë-thellë, në ndërgjegjen time e pleqësova se bëra mirë. Pas këtyre ngjarjeve dramatike, në popull, sidomos mes intelektualëve, nisi të qarkullonte shprehja; “nafta kërkon koka”. Frika ish ulur këmbëkryq në mendjet e gjeologëve të naftës.

Pasoja negative pati dënimi i të ashtuquajturit “grup sabotator” edhe tek studentët e Fakultetit të Gjeologji-Minierave të Universitetit të Tiranës. Studentët e rinj, duke vëzhguar nga larg në heshtje shfaqjet e terrorit në sektorin e naftës, filluan të nxirrnin kundërshtime, për t’u regjistruar në këtë fakultet, sidomos në degën e gjeologjisë. Dhe ndër ata që tashmë ishin të regjistruar, niveli i mësimeve ra ndjeshëm. Pedagogët ankoheshin, aq sa studentët në biseda me ta, e thoshin hapur se nuk kishin asnjë interes për të mësuar, por vetëm se kishin qenë të detyruar të vinin në këtë fakultet, sepse shteti nuk u pat dhënë të drejtë studimi në fakultete të tjerë. Edhe ata e kishin në majë të gjuhës, profecinë famëkeqe të naftës; që kërkonte koka!

Ndërsa boshllëku që u krijua në Institutin tonë dhe nevoja për kuadro gjeologësh, pas përjashtimit të shumë gjeologëve prej tij, u plotësua nga ministria me ata të puseve dhe të ndërmarrjeve të shpimit. Pas një periudhe prej disa muajsh, i erdhi zëri “muzikës” që po i binte partia. Pas arrestimit të të ashtuquajturit grup sabotator në naftë, nga Byroja Politike u përjashtuan dhe u dënuan për “veprimtari armiqësore kundër vijës së Partisë së Punës” dhe për faje në fushat e ekonomisë, ministri i Industrisë dhe Minierave, Koço Theodhosi, dhe kryetari Komisionit të Plant të Shtetit, Abdy Këllezi. Bashkë me ta, u dënuan dhe kuadro të tjera të këtyre dy dikastereve.

“Grupi i naftës”, kishte qenë vetëm preludi ose më mirë alibia për arrestimin e këtij kontingjenti funksionarësh të lartë. Pra, u gjet se ku të varej gozhda e fajit dhe justifikimi i dështimeve në ekonomi, para kongresit të ardhshëm të Partisë. Veç kësaj u sigurua dhe doza e fortë e terrorit për lart, në kokë të udhëheqjes, në mënyrë qe të gjithë njerëzit e mbledhur rreth diktatorit, të ishin thjesht fotografi për muret e zyrave apo më thjesht akoma, hijet e tij.

Bashkë me të tjerët, u dënua me burgim dhe ish-drejtori i Drejtorisë Gjeologjike të ministrisë, profesori i shkencave gjeofizike dhe anëtari Akademisë së Shkencave, Teki Biçoku, i cili që prej afro njëzetë e pesë vjetësh, po jepte një kontribut të dukshëm në zhvillimin e shërbimit gjeologjik shqiptar dhe të kërkimeve të mineraleve të dobishëm, të cilin ai e drejtoi për gjithë këtë periudhë. Tekiu, siç kam thënë, pat qenë pjesëtar i luftës partizane dhe oficer i këtyre njësive çlirimtare. Ishin këta dy sektorë që i jepnin oksigjen ekonomisë së sëmurë socialiste dhe mbanin popullin me bukë, -jo më shumë; – me bukë, që të mos vdiste nga uria!

Dhe tragjedia specifike është, se ishin specialistët e këtyre sektorëve, që u dënuan e persekutuan padrejtësisht. Dy anëtarët e Byrosë Politike, Këllezin dhe Theodhosin, gjyqi i lartë i dënoi me vdekje dhe skuadrat e pushkatimit, pas disa ditësh e përfunduan veprën. Për muaj të tëra, tek ne poshtë në bazë, grupet e studimit vinin në përfundimin se; projektet nuk duheshin dorëzuar. U dukej se projektimi i pusit nuk ishte i argumentuar plotësisht, se sasia apo cilësia e materialit seizmik kryesisht, ishte e pakët ose e dobët dhe si pasojë nuk arrinin në përfundim për ta dorëzuar për shpim.

Ishte një reagim i natyrshëm dhe i drejtë i gjeologëve. Mirëpo kjo solli vështirësi serioze në ndërmarrjet e shpimit, sepse brigadat e shpimit po rrinin pa punë, niveli i planifikimit të bërë për metrazhin e kërkimeve dhe si pasoj dhe të rezervave të reja të naftës e gazit, nuk do të realizoheshin. Pa shpime, nuk kishte as zbulime të fushave të reja. Kështu erdhëm te qerthulli i sojit; “veza-pula, pula-veza”, një kolaps, që artificialisht u krijua nga vetë udhëheqja shtetërore me motivacionet që dënuan për sabotatorë, shokët tanë. Gjeologët po merrnin dëshminë e plotë, për pafajësinë e kolegëve të tyre, që u ndëshkuan aq ashpër.

Në këto kushte, udhëheqja e partisë, me zgjidhjet e saj tipike, lëshoi parullën tjetër, që e kish të gatshme: -Gjeologët të projektojnë me guxim! Lënia e brigadave pa punë, është sabotim gjithashtu! Kjo donte të thoshte tërthorazi; “bëni siç keni bërë deri tani, se ne, dihet, nisim të dënojmë sa herë të duam”! Çfarë duhet të bënte gjeologu i naftës, në këto kushte të vështira?! Çfarë duhet të bënim ne, drejtuesit e kësaj pune shkencore, që nuk dinim nga t’ia mbanim?! Në një anë zjarr i madh, në anën tjetër përmbytje e madhe. Që të dyja të rrezikshme për jetën e njeriut. Pra, edhe të shtrëngonin të projektosh me ato palo mundësi teknike që kishim, për t’u futur në zonat malore dhe përsëri në një ditë  bukur, po ata ta vinin saçin e nxehtë përsipër! Vepra më të pamoralshme e më të panjerëzishme në fushën e teknikës, nga ndërhyrjet e majës së piramidës komuniste shqiptare, nuk mund të ketë.

Në disa puse u paraqit nevoja të shtohej projekt-thellësia e pusit gjatë shpimit, në varësi të materialit faktik gjeologjik që ishte fituar deri në thellësinë e arritur. Në këto raste, autorët e projektit dhe ne si drejtori, duhej të shkonim në brigadë e të bisedonim me punëtorët, për t’i bindur ata se përse duhej thelluar më tej pusi, në mënyrë që të merrej miratimi i tyre. Ngandonjëherë reagohej drejt e mirë, sidomos kur në krye ishin brigadierë të arsyeshëm. Por në disa raste, kur vuanin vështirësi teknike, ata shpreheshin kundër, e nuk pranonin thellimin e pusit.

Në këto raste, problemi zgjidhej në ministri, por kushtet që shtroheshin nganjëherë ishin të tilla, sa askush nuk guxonte t’i merrte përsipër. Punëtorët e brigadave, filluan të kërkonin si detyrim prej nesh, garancinë: në qoftë se me atë shtesë nuk zgjidhej detyra gjeologjike, atëherë autorët të detyrohen të paguajnë paratë. Kjo me fjalë të tjera përkthehej, që autorët të futeshin në burg, se ndëshkimi me pagën, nuk vihej dot në jetë. Paga mujore e inxhinierit, ishte vetëm rreth tetë dollarë amerikanë, ndërsa shpimi shtesë, ta zëmë i njëqind metrave, kushtonte disa dhjetëra mijë apo qindra mijë dollarë, tepër larg nga mundësitë e naftëtarëve për t’i shlyer shpenzimet. Sado e shëmtuar dhe e drejtë të duket, pati raste që autorët u tërhoqën nga kërkesa e tyre.

Për të vënë gjeologët para vështirësive ende më të mëdha, në atë kohë, në fjalimet e tij, Enver Hoxha shtroi tezën e çuditshme; “shkenca e gjeologjisë, është një shkencë ekzakte”. Kështu, për herë të parë në botë, doli një marksist i madh, i cili hodhi poshtë gjithë përfundimet e shkencëtarëve të rruzullit, përfundime që janë në fuqi edhe sot, se gjeologjia nuk ishte në grupin e shkencave ekzakte, si matematika, fizika dhe kimia. Për më tepër, diktatori ynë, doli edhe kundër themeluesit të filozofisë së marksizmit shkencor, Engëlsit, i cili kur flet për teorinë e njohjes, si shembull sjell shkencën e gjeologjisë, ku cilëson, midis të tjerash, se; njohja jonë është relative e jo absolute dhe ne nga e panjohura, kalojmë drejt së njohurës. Çfarë mund të bënim ne gjeologët e shkretë, në këto kushte kur Enver Hoxhës, nuk ia dilte dot mësuesi i tij, Engëlsi?!

Takimi që pata bërë me ministrin, më në fund i dha rezultatet e pritura. Një ditë të bukur, na njoftuan që të përgatiteshim, se Mehmet Shehu, kryetari i qeverisë, do të na bënte një vizitë. Më 14 korrik të vitit 1975, në Institut u organizua një mbledhje e rëndësishme. Ajo nuk ishte e gjerë. Ishin ftuar vetëm drejtues të kabineteve e të sektorëve të Institutit, e punonjës të veçantë. Që dy ditë më pare, salla u rrethua nga roje të Gardës së Republikës dhe oficerë të Sigurimit, të cilët bënë të gjitha kontrollet e nevojshme.

Kryeministri Shehu erdhi në orën e caktuar, i shoqëruar nga drejtues të partisë të rrethit të Fierit dhe ata të naftës. Toni i diskutimit, këtë radhë ishte i butë. Ai dënoi gjithë ato shfaqje të ekstremizmit, që po vuanin gjeologët dhe vlerësoi lart punën e tyre vetëmohuese. Situatën e tyre e quajti të vështirë dhe veprime armiqësore, këtë herë ai cilësoi trysnitë që ushtroheshin mbi gjeologët. E kuptova menjëherë, që ministri ia kish përcjellë Mehmet Shehut, shqetësimet e mia të mëdha. Problemet që ngrija unë, ata i kishin mirëpritur dhe kjo i dha një farë oksigjeni edhe punës sime, me shpresën se tani gjërat do të shikoheshin më drejt e më realisht.

– T’i kërkosh gjeologut se po qe se shpon këtu dhe nuk të del naftë, ti je armik, apo po qe se shton projekt-thellësinë e pusit e, nuk nxjerr naftë, ti si autor do ta paguash, – ngriti zërin si bubullime kryeministri, – është veprim prej armiku. Ja ky është sabotim. Kështu mendjellinjtë na kundërvënë inteligjencën me klasën punëtore! Hrushovi nuk do të deshte më tepër se kaq! Edhe unë që jam kryetar i qeverisë, në këto kushte, e dorëzoj diplomën e them: Në djall, nuk punoj më! Nga një valë qetësie, që u përhap deri në skajet e qenies sime, unë pata mundësinë luksoze, të vë re se fjalën “Klasë”, Mehmet Shehu e thosh me dy “l”, si i madhi i tij Enveri, kurse vetë ai shqiptonte një “r” të dyfishtë, tek “qeveria”.

Një mbledhje si kjo u bë dhe në kinemanë e Patosit, me një pjesëmarrje më të gjerë, me drejtues të ndërmarrjeve të naftës dhe punëtorë të shpimeve e të nxjerrjes së naftës. Është për të thënë të vërtetën, se ky fjalim i ngrohu të gjithë gjeologët dhe seizmikët. Edhe pse me pak naivitet më shumë nga sa duhej të tregonim, ne na ngrohu një farë shprese, duke menduar se kështu do të gjykohej edhe në të ardhmen. Fjala e tij, na hapi një dritare në atë mjegullën e madhe, që ishte mbledhur rreth nesh. Por, fatkeqësisht, edhe këtë herë unë gabova, sepse udhëheqja lart, duke kuptuar që situata po shkonte në atë pikë në fushën e kërkimeve, e përdori mbështetjen e gjeologëve dhe shuplakën kundër ekstremizmave në bazë, si taktikë të përkohshme. Ata e kishin kuptuar se, naftëtarët kishin nevojë për një inkurajim dhe e futën këtë hile në lojë. Jeta më vonë tregoi, se ata nuk kishin nxjerrë asnjë mësim.

Naftëtarëve nuk iu nda trysnia, as nga poshtë e, as nga ata vetë atje. Në një pushim që u bë gjatë mbledhjes në Institutit, tek po dilja jashtë sallës, bashkë me punonjësit e tjerë, një nga shoqëruesit e Mehmet Shehut, më zuri nga krahu dhe më tha të kthehesha brenda, se më kërkonte kryeministri. U ktheva dhe vajta iu paraqita kryeministrit, që po bisedonte me Sekretaren e Parë të Fierit. Ata të dy po qëndronin në këmbë afër një stendë, ku ne patëm vendosur një hartë të Shqipërisë. Sa me pa, Mehmet Shehu më pyeti: – “Xhaçka, cilat janë, sipas teje, zonat me perspektivë të vendit tonë për naftë e gaz? Dhe po e ritheksoj, dua mendimin tënd personal”.

Unë fillova t’i flisja, por ashtu në tërësi për zonën perëndimore të Shqipërisë. Ai më ndërpreu: – “Unë dua që të ma përcaktosh me një kuadrat të qartë, zonën më me perspektivë, ku duhet të përqendrohemi në kërkimet tona të naftës e të gazit”.- Po shikoni, shoku Mehmet, – qesha unë, – është zor të flasësh prerë. Ne gjeologët…! – “Ohu, ju gjeologët, ju gjeologët! Ju gjeologët, keni fjalë shumë. Unë dua një kuadrat! Më jep kuadratin”! Atëherë unë u përqendrova dhe i përcaktova përafërsisht, zonën e bregdetit të Lushnjës, vijën Dumre-‘Qytet Stalin’, Patosin, vijën Gorisht-Vlorë, që zgjatej deri në bregdet. Pas kësaj u ndamë për t’iu rikthyer mbledhjes, nga e cila ishim larguar për një pushim të shkurtër.

Nuk kishin kaluar veçse dy-tri javë nga ky takim, kur na vjen një broshurë, që përmbante një fjalim të ri të Enver Hoxhës, mbajtur në Sekretariat të Komitetit Qendror të Partisë, i cili paskej thënë midis të tjerash, se; “nga sa kam studiuar unë, zona më perspektive për naftë e gaz në Shqipëri, është kuadrati që nis me bregdetin e Lushnjës, vijën Dumre-‘Qytet Stalin’, Patosin, vijën Gorisht- Vlorë, e zgjatet deri në bregdet, e këtu duhet të përqendrohen kërkimet e naftës e të gazit”.

E kuptova se kjo ishte thënia që unë e formulova me nxitim pas pyetjes së kryeministrit, thënie që do të vazhdonte të na shitej si pjesë e studimeve të krye-partiakut mitoman. Dhe këtë të vërtetë, askujt deri në ditën e sotme që shkruaj këto kujtime, nuk ia kam rrëfyer.

Ky përcaktim nga institucionet zyrtare, u kanonizua me emrin; “kuadrati perspektiv i përcaktuar nga udhëheqësi Enver Hoxha”. Ajo u bë një tabu, që duhej zbatuar me rigorozitetin më të madh nga ana jonë dhe mbi tetëdhjetë e pesë përqind e puseve të kërkimit, duhej të ishin vetëm e vetëm brenda këtij kuadrati të shenjtë. Në qoftë se shpohej larg tij, kjo cilësohej kundërvënie apo thyerje e orientimeve të partisë dhe kishte pasoja të rënda për specialistët gjeologo-gjeofizikë, duke përfshirë edhe të ngratin Petraq Xhaçka, që pa e vrarë mendjen, e formuloi me nxitim nën shtytjen e Mehmet Shehut!

E ku mund ta mendoja unë, se një ditë, akt-akuza e ime për sabotim e veprimtari armiqësore, do të kish si pjesë thelbësore mëkatin që bëra, lejimin e kërkimeve me shpime jashtë kuadratit të përcaktuar qartë nga Enver Hoxha! Në të vërtetë, unë kurrë më parë nuk kisha menduar apo thënë, se nuk ka perspektivë kërkimi dhe në zona të tjera. Përkundrazi! E këto gjera unë i kam shprehur në shkrime e studime, që janë me siguri të ruajtura edhe sot. Ta dija unë, se atë ditë me Mehmet Shehun, po formuloja akt-akuzën time të ardhshme, do të isha menduar më mirë e, do të këmbëngulja më shumë në sqarimin tim.

Po njeriu nuk di ç’i ka ruajtur fati. Unë nuk isha aq profet të prisja nafakën time, të pas njëzetë vjetëve, siç nuk ishte as vetë kryeministri, që vetëm pas gjashtë vjetëve, do të përfundonte nën rrotat e makinës vrastare të Enverit. Thënia ime fatale u shndërrua në një dogmë të zyrtarizuar. Dhe me e bukura, apo më cinikja, ishte se pas daljes së broshurës, më rekomanduan që të bëja një artikull, mbi rëndësinë shkencore të përcaktimit nga udhëheqësi i ynë, për kuadratin perspektiv! Kuptohet, natyrisht, që edhe atë artikull e bëra. Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg