Rivihet në punë kanali vaditës në disa fshatra të Kukësit. Janë 55 milionë lekë që do të investohen në kanalin vaditës i cili do të bëjë të mundur vaditjen e një sipërfaqe mjaft të madhe toke.
 
Rreth 1500 hektarë tokë do të rivitalizohen, pasi prej kohesh atyre u ka munguar uji dhe si pasojë edhe prodhimet bujqësore kanë qenë shumë të pakta.
 
Ndërkohë që mijëra banorë të zonës tokën e kanë burim jetese. Investimi është i ndarë në dy faza,  punimet për fazën e parë kapin vlerën e mbi 29 milonë lekëve dhe kanë nisur  prej gati një muaji. 
 
Aktualisht sipas firmës kontraktuese që po kryen punimet për pastrimin e ndërtim e kanalit do të bëhet i mundur dërgimi i ujit në çdo pjesë toke.
 
Banorët e fshatrave të Njësisë Administrative Shtiqën pohojnë se pastrimi i kanaleve kulluese e vaditëse ka afro 20 vjet pa u pastruar dhe në shumë pjesë është i dëmtuar. Ky investim do të sjellë rigjallërimin e bujqësisë të lënë djerrë.

“Po të rregullohet komplet sjell shumë për bujqësinë. Uji nuk ndalet dhe bëhen te gjitha. Bujqësia ujin ka.”
 
“Ka me qindra hektarë që do të vaditen pa probleme. Pas kaq vitesh një shpërblim për popullin e Kukësit.”
 
“La 26 vite që komuniteti ka qenë i pashpresë me problemin e vaditjes të fushës së Shtiqnit, jam shumë optimist”,
shprehen banorët.
  
Kanali vaditës ka një gjatësi totale 16 km dhe nga shfrytëzimi i tij  do të vihen nën ujë tre fshatra Nangë, Krenxë dhe Shtiqën.
 
Ky investim është më i madhi që është dhënë nga qeveria shqiptare për këtë kanal. Sistemi i kanaleve vaditëse në këto vite ka qenë pothuajse inekzistent për arsye të bllokimit të tyre dhe dëmtimit në shumë pjesë të tij.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com