Jakup Krasniqi ende lëvdohet se, përkundër Hashim Thaçit, “nuk ka shkuar të përkulet atje”. Kjo “atje“ është varri i Ibrahim Rugovës, ndërsa “përkulje”, sipas kryetarit të Parlamentit të Kosovës, është një nderim ceremonial ndaj kryetarit të dikurshëm të këtij vendi. Kjo, sigurisht, siç ia merr mendja atij, e bën të qëndrojë më lart moralisht, më parimor dhe, gjithsesi - të papërkulur.

Nuredin Lushtaku as pas kaq vitesh nuk është penduar pse, ndonëse ka qenë në pozitë shumë më delikate, ka refuzuar që t’i shfaqë nderime presidentit, i cili sapo ishte ndarë nga jeta – ka qenë komandant i Gardës së Kosovës, një njësi elite ushtarake, e cila në raste ceremonish simbolikisht e përshfaq organizimin dhe sharmin e një shteti.

Nuk është e çuditshme që këta dy burra, pjesëmarrës të luftës çlirimtare, nuk e donin njeriun i cili është bërë i njohur në botë për shkak të rezistencës paqësore, madje është e kuptueshme edhe ta kenë urrejtur, qoftë si pacifist, qoftë si kundërshtar politik.

E habitshme është lehtësia e paimagjinueshme me të cilën ata u japin shfryrje këtyre emocioneve të tyre. Hiç detyrimet e tyre nga pozitat që kishin, nëse jo për njeriun që kishte vdekur, atëherë ata do të duhej të shfaqnin një grimë respekt për atë mori njerëzish, të cilët në një të ftohtë që s’mbahet mend, prisnin në rreshta të pafund për t’i bërë nderime, apo për imazhin që po fitonte Kosova në botë në ato çaste, deri sa ai burrë në arkivol i kishte tubuar në një sallë një mori delegacionesh të larta shtetërore, sa Kosova ndoshta kurrë më s’do të mund t’i bëjë bashkë.

Pastaj, Rugova, deri në çastin vdekjes kishte qenë kryetar shteti, i zgjedhur në një proces të rregullt demokratik, ndaj, po ta nderonin, ata vetëm sa do të nderonin një institucion të shtetit të tyre, për të cilin kishin luftuar.

Por, gjithë këto nuk mjaftojnë që as njëri, as tjetri, ta mbizotërojnë ndjesinë e tyre, ndonëse ajo, larg të qenit një qëndrim racional, ngjan me ndrojtjen e fëmijës që shkel në faltoren e huaj. Ata ndoshta mendojnë se me këtë i japin vlerë absolute përcaktimit të tyre për luftë, se në anën e tyre është edhe e drejta historike dhe se tash, me lehtësi të papërballueshme mund t’i shikojnë me përçmim të gjithë ata që kanë besuar se rruga paqësore është më e mirë për Kosovën, apo ata që e kanë braktisur vendin shumë kohë para se të fillonte lufta. Ata s’duan t’ia dinë se vendimet për luftë e paqe nuk merren aq lehtë dhe se, pas ngjarjeve të tilla dramatike, ka njerëz që tërë jetën e tyre të pastajme e pyesin veten me ankth: a isha në anën e duhur?

“Unë kisha të drejtë, historia ka gabuar”, do të thotë nëpërmjet gojës së një personazhi të romanit më të ri të tij Amin Maalouf, libanezi, i cili e braktis vendin e tij në kohën e luftës qytetare dhe, në përpjekje për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje therëse, do të arrijë të bëhet ndër “të pavdekshmit” e Akademisë Franceze, të shkruajë shumë libra dhe të jetë i çmuar kudo në botë. Thua se flet më gojën e mijëra kosovarëve, të cilët nuk e kanë pasur të lehtë të mos “gabojnë”, deri sa historia po gabonte shumë me këtë vend!

Historia mban mend njerëz të cilët kanë qenë në pozitë që shijeve apo ndjenjave personale t’u japin vlerë absolute, si perandorët romakë Nero e Caligula, por ata mbahen mend për të keq, për patologjinë e pushtetmbatjtjes.Jakup Krasniqi e Nuredin Lushtaku do të duhej të jenë të vetëdijshëm se mbajnë poste me të cilat përfaqësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, ndonëse ky i fundit sigurisht e ka si dhuratë.