'Kur miti i Skënderbeut përzihej me festën e Pashkëve në Itali'

'Kur miti i Skënderbeut përzihej me festën e Pashkëve në Itali'

Francesco Altimari, i cili konsiderohet si një nga personalitet më të mëdha të filologjisë në mesin e arbëreshëve dhe profesor në Universitetin e Kalabrisë, ka mbajtur një ligjëratë në Konferencën e Albanologjisë që po zhvillohet në kuadër të aktiviteteve të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.

Pas ligjëratës me titull: "Skënderbeu, si mit themelues i identitetit arbëresh”, ai ka dhënë një intervistë për “Shqiptarja.com”, duke shprehur thelbin e përmbajtjes së kumtesës së tij disaorëshe, ku na bëri të udhëtojmë përmes fakteve në historinë e 500 vjetëve përpara. Këtë herë, jo për të na thënë se çfarë ndodhte me historinë shqiptare, por sesi është rishkruar e mbajtur gjallë kjo histori nëpërmjet trashëgimisë kulturore të arbëreshëve.

Si studiues Altimari ka ndarë me detaje konceptin Skënderbeu si mit themelues i identitetit arbëresh dhe historinë e tij të vërtetë. Sipas Altimarit, pavarësisht përmasave reale të madhështisë së Heroit Kombëtar, në traditën e kulturës orale të arbëreshëve, Skënderbeu është një figurë e shpikur. “Gjergj Kastriot Skënderbeu është miti themelues i identitetit arbëresh.  Ai ka qenë  një mit autentik dhe jo një mit i krijuar gjatë Rilindjes, si nevojë e forcimit të unitetit kombëtar”, thotë mes të tjerave studiuesi arbëresh Francesco Altimari për “Shqiptarja.com”.

Intervista

Sa i përafërt është imazhi i Skënderbeut në folklorin popullor me figurën e vërtetë historike, jo vetëm te kultura e arbëreshëve, por te gjithë shqiptarët kudo që janë?
-Gjergj Kastriot Skënderbeu është miti themelues i identitetit arbëresh.  Ai ka qenë një mit autentik, i cili filloi të bëhet i tillë, që në kohën që shqiptarët nisën jetën normale në Itali dhe u urbanizuan. Ka disa historianë që mendojnë se Skënderbeu ishte një mit i krijuar gjatë Rilindjes, si nevojë e forcimit të unitetit kombëtar, por në të vërtetë, tek arbëreshët Skënderbeu është një mit që i ka rrënjët e thella, në lidhje më të forta historike.

Fakti se në vallet dhe  këngët e popullit arbëresh i kënduan Skënderbeut, është një fakt i lidhjes së fortë historike të arbëreshëve dhe Skënderbeut. Figura e Skënderbeut për arbëreshët, pas vdekjes së tij u bë mburoja e tyre, falë jehonës së madhe për bëmat e tij historike, por dhe për veprimtarinë e tij të mprehtë politike dhe diplomatike që pati në qarqet e larta të diplomacisë së shteteve të perëndimit. Ky imazh i tij e ka favorizuar edhe mikpritjen e arbëreshëve në Itali, sepse ata konsideroheshin si ”Populli i Skënderbeut”.

Arbëreshët e kishin humbur lidhjen me tokën mëmë dhe të gjithë kujtesën e tyre ia dedikonin kësaj figure të madhe të tokës shqiptare. Kaq shumë ishte kthyer në mit figura e Skënderbeut, saqë edhe në regjistrat e famullive arbëreshe gjendet e shkruar dhe e kënduar figura e Skënderbeut. Kujtesa e Skënderbeut është e gjallë që prej shekullit të 16-të, që kur datojnë regjistrat e parë te ne, ku shumë prej arbëreshëve pagëzoheshin tek ne me emrin Skanderbeg. 

Nëse sheh regjistrat e këtyre famullive, emri Skanderbeg del në disa variante të përafërta, deri në shkurtim të këtij emri Begh, ose Bdek. Skënderbeu vlerësohej në të njëjtën kohë edhe nga Europa dhe ky mit ishte i gjallë. Ishte rezistenca e Skënderbeut gjatë ekspansionit turk, që e bëri atë njëkohësisht të njohur edhe si mbrojtës, edhe si simbol i vlerave të përbashkëta të Europës. Pra Skënderbeu nuk ishte vetëm hero kombëtar, por ndër mitet e para të ngritura për ndërtuesit e identitetit evropian.

Gjatë kumtesës tuaj, ju rrëfyet se gjatë festimit të Pashkëve arbëreshët më së shumti i këndonin Skënderbeut dhe fitores së tij dhe festa e Pashkëve nuk ishte një festë e mirëfilltë religjioze. Çfarë simbolizonin në të vërtetë Pashkët për arbëreshët?
 -Arbëreshët kur shkuan në Itali ruajtën ritualet ortodokse, por edhe duke i integruar pjesërisht me ritualet e vendit pritës. Komunitetet arbëreshe që kanë ruajtur kujtesën kombëtare i kthyen edhe Pashkët si festa kombëtare të arbëreshëve dhe kjo festë nisi të mbahej në emër të kujtimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut . Por nga nevoja për të ruajtur traditat dhe mitin e heroit të tyre, arbëreshët e ngatërronin festën e Pashkëve, duke future shumë elementë folklorikë dhe tradita pagane. Për shembull deri në drekë ata bënin ritualet fetare dhe më pas ata fillonin këngët dhe vallet arbëreshe.

Kjo natyrisht nuk ishte normale për një festë religjioze, por ndikoi tek arbëreshët për ta ruajtur të gjallë mitin e Skënderbeut nëpërmjet këtyre manifestimeve. E kjo falë traditës, valleve dhe folklorit të tyre. Nuk ishte aspak e lehtë të bëhej kjo, sepse në kohën e reformimit këshilli i lartë i Vatikanit mori masa që të purifikohej e të normalizohej festa e Pashkëve. Ata që e shihnin, këshilltarë të Vatikanit nuk e kuptonin mirë këtë lloj këmbimi të festës së Pashkëve me elementë të traditës.

Madje një nga këshilltarët që kishte vëzhguar sesi arbëreshët i festonin  Pashkët, duke pasur edhe mosnjohje të kulturës shqiptare, kishte raportuar ndër të tjera se “madje, ditën e Pashkëve ka sjellje të atilla sa edhe burrat vishen si gratë”, pa e ditur se fustanella ishte një kostum kombëtar”. Vatikani këto masa nuk i mori vetëm për arbëreshët, por edhe për italianët e Veriut, të cilët i kishin më të ruajtura folklorin dhe traditat e lashta pagane, sepse dhe ata i bashkonin disa nga ritualet pagane me Festën e Pashkëve.

Pas masave që mori Vatikani, arbëreshët u detyruan që disa nga vallet e traditat e festimit të Pashkëve që na kujtonin heroin tonë t’i trashëgonin tek fëmijët në formën e lojës, sepse fëmijët si shihte njeri më vëmendje se çfarë bënin. Kjo ishte një përpjekje për të mos humbur rrënjët tona, dhe kjo ka bërë që në në disa nga fshatrat arbëreshe ende këndohen dhe kërcehen këto valle autentike. Dhe këtu nuk flitet vetëm për nevojën e mitizimit të Skënderbeut nga arbëreshët, por edhe për faktin se ata kanë ruajtur gjurmët e identitetit të Skënderbeut.

Në fshatrat e arbëreshëve ekzistojnë akoma emra njerëzish që quhen Skanderbeg, ashti siç janë gjetur edhe në regjistrat e vjetër të formularëve të pagëzimeve një numër shumë i madh që kishin emrin e heroit kombëtar. Kështu ndodhi me mitin e Skënderbeut tek arbëreshët, ata nuk e mbyllën në kasafortë kujtimin e tyre, por e riinterpretuan vazhdimisht për të prodhuar një kulturë jo përsëritëse, por ripërtëritëse

Cila ishte periudha e saktë historike që shqiptarët iu rikthyen kujtimit të epokës së Skënderbeut?
-Në komunitetet italo-shqiptare “heroi” i tyre mbijetoi pas vdekjes sepse shqiptarët patën një proces të gjatë të ndërtimit të identitetit që e nisën me rizbulimet fillestare të prejardhjes së tyre. Në fillim kur ata shkuan në Itali, nuk e kishin mundësinë të mendonin për identitetin e tyre por për nevojat e mbijetesës. Pasi krijuan rrethet e para sociale të popullsisë së tyre, vendbanimet, etj, ata e ndjenë si nevojë ta rikrijonin identitetin e tyre.

Edhe pas përfshirjes në territorin italian ata ruajtën identitetin e tyre duke përfshirë këtu gjuhën dhe ritualet, por edhe nevojën për një identitet fetar. Këto ishin rrethanat që i lejonin ata të krijonin modele kulturore dhe antropologjike të pavarura nga ato të atdheut të adoptuar, duke e konceptuar veten e tyre në të njëjtën kohë në terma autonomë kulturorë. Dhe kështu ata ruajtën për më shumë se 500 vjet trashëgiminë kulturore, por edhe historinë e vendit të origjinës së tyre dhe ne jemi krenarë për këtë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren